Debati rreth ngacmimeve seksuale në Kongresin amerikan

Amerika

Debati rreth ngacmimeve seksuale në Kongresin amerikan

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 16:40
Kongresi

Duke filluar nga Hollivudi e deri tek mediat kryesore, burra të famshëm ose janë larguar ose po pushohen nga vendet e punës për keqsjellje të dyshuar seksuale. Çështja tani ka prekur edhe Kongresin amerikan, ku një valë akuzash ka prekur ligjvënësit e Shteteve të Bashkuara nga të dyja partitë politike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës për Kongresin amerikan Katherine Gypson shpjegon.

Një pikë kthese në Kongres?

“Unë do të jap dorëheqjen si anëtar i Senatit amerikan” tha senatori i shtetit të Minesotës Al Franken.

Senatori i Partisë Demokratike Al Franken kërkoi pjesërisht ndjesë për veprimet e tij pasi tetë gra e akuzuan atë për sjellje të keqe seksuale. Por vendimi i tij për të dhënë dorëheqjen erdhi vetëm pasi gjashtë senatore gra i kërkuan atij të largohej.

SENATOR AMY KLOBUCHAR, DEMOKRAT

“Unë mendoj se duhet të kemi hetime për këtë sjellje dhe nganjëherë diçka është kaq skandaloze si disa prej rasteve të fundit, saqë dikush duhet të japë menjëherë dorëheqjen” tha senatorja Amy Klobuchar.

Në një javë kur gratë që kanë thyer heshtjen rreth ngacmimeve seksuale u emëruan “Person i Vitit” i revistës TIME, Senatori Franken nuk ishte i vetmi demokrat që vendosi të largohej nga Kongresi.

Anëtari që ka shërbyer më gjatë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara u detyrua të largohej disa javë pas akuzave se ai kishte ngacmuar seksualisht anëtare të stafit të tij – një lëvizje për të cilën ligjvënësja Nancy Pelosi bëri thirrje pas disa ditësh hezitim.

“Ne kemi përgjegjësi për dinjitetin e Dhomës së Përfaqësuesve – ne gjithashtu duam të respektojmë të drejtat e të akuzuarve” tha ajo.

Edhe ligjvënësit republikanë kanë problemet e tyre. Ligjvënësi Blake Farenthold është nën një hetim etik për zgjidhjen e një akuze ngacmimi me 84 mijë dollarë, para të taksapaguesve. Ndërsa ligjvënësi Trent Franks njoftoi të enjten se ka në plan të japë dorëheqjen, duke zbuluar se ai kishte patur diskutime të papërshtatshme me anëtarë të stafit.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan tha se Kongresi do ta trajtojë çështjen e ngacmimeve seksuale.

“Ky me të vërtetë është një çast vendimtar për vendin tonë dhe shpresoj të kemi një ndryshim realisht pozitiv dhe të vazhdueshëm – jo vetëm me ndryshime ligjesh dhe proçedurash, por ndryshim në kulturë që mos të kemi raste ngacmimesh” tha ligjvënësi Ryan.

Por presidenti i Shteteve të Bashkuara ende nuk është mbajtur përgjegjës për aktet e tij, tha senatori Franken të enjten.

“Ka njëfarë ironie në faktin se po largohem unë ndërkohë që një person, zëri i të cilit është regjistruar duke u mburrur për historinë e tij të sulmeve seksuale, ndodhet në Shtëpinë e Bardhë”.

Shtëpia e Bardhë është përgjigjur duke thënë se votuesit amerikanë i kanë vlerësuar tashmë ato akuza.

“Ne besojmë se njerëzit e këtij vendi i kishin parasysh akuzat kur ata zgjodhën Donald Trumpin president” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Të martën është provë tjetër në kutitë e votimit. Në shtetin e Alabamës do të mbahet votim për një post në senat, ku kandidati republikan Roy Moore është akuzuar se ka ngacmuar seksualisht disa kur ato ishin të mitura./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat