Flakët shkrumbojnë mbi 130 mijë hektarë dhe qindra shtëpi në Kaliforni

Amerika

Flakët shkrumbojnë mbi 130 mijë hektarë dhe qindra shtëpi në Kaliforni

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 19:46
Ilustrim

Zjarrfikësit vazhdojnë betejën me disa vatra zjarri që ndihmohen nga erëra të fuqishme në Kaliforninë jugore. Një valë e re zjarri u shfaq në veri të qytetit San Diego.

Gjatë pesë ditëve të fundit, qindra struktura, ndër to edhe resorte prej miliona dollarësh, janë shkatërruar ndërsa zjarrfikësit luftojnë flakët e ushqyera nga rrymat e ajrit. Rreth 190 mijë persona janë evakuar nga shtëpitë e tyre.

“Vlerësohet se aktualisht zjarri është shtrirë në 130 mijë hektarë. Konfirmuam se 425 shtëpi dhe qindra godina të tjera janë shkatërruar tashmë”, njoftoi Mike Deponce, zëdhënës i departamentit të zjarrfikësve të qytetit Santa Barbara.

Erërat e fuqishme të Santa Anas ndihmojnë flakët që kanë shkrumbuar zona të gjera përgjatë bregdetit të Paqësorit, nga San Diego dhe deri në Santa Barbara, rreth 370 kilometra më në veri.

“Miqve të mi u them se është si një zonë lufte. Shtëpi të humbura dhe një shkatërrim tragjik i jetëve të familjeve që jetojnë në këto zona, si dhe të bukurive natyrore”, thotë zoti Deponce.

Mbi 5700 zjarrfikës, të ndihmuar nga helikopterë, po spërkasin me ujë dhe elementë kundër zjarrit zonat ku digjen gjashtë vatra të mëdha zjarri që nga dita e hënë.

Presidenti Donald Trump miratoi udhëzimet federale që u hapin rrugën agjensive federale për të ndihmuar në koordinim e këtyre përpjekjeve në shtetin e Kalifornisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat