Kanada: Është arrestuar ish-pengu i talibanëve

Amerika

Kanada: Është arrestuar ish-pengu i talibanëve

Më: 3 janar 2018 Në ora: 09:55
Joshua Boyle dhe bashkëshortja e tij Caitlan Coleman

Shtetasi kanadez, Joshua Boyle, i cili para do kohe është çliruar nga rrëmbimi pesëvjeçar i talibanëve në Pakistan, me bashkëshorten e tij dhe fëmijët, është arrestuar në Kanada, me akuza për sulm fizik, ka thënë mbrëmë një avokat i tij.

Në aktakuzën prej 15 pikëve, policia në Otavë e ka ngarkuar këtë person 34 vjeçar, me sulm fizik, sulm seksual, detyrim të izolimit dhe për shprehje të kërcënimeve me vrasje.

Autoritetet kanë urdhëruar që të mos jepen emrat e viktimave të dyshuara.

Eric Granger, avokat i të akuzuarit Boyle, tha se klienti i tij asnjëherë më parë nuk ka pasur problem me ligjin dhe se është i pafajshëm lidhur me të gjitha akuzat.

Joshua Boyle, së bashku me bashkëshorten e tij, Caitlan Coleman dhe tre fëmijët e tyre, ishin çliruar nga rrëmbimi në Pakistan, vitin e kaluar, pesë vjet pasi ky çift ishte zënë peng nga një grup i ndërlidhur me talibanët, derisa udhëtonin në Afganistanin fqqinj.

Fëmijët kanë lindur derisa ata ishin të zënë peng.

Pakistani tha se ushtarët e vet e kishin shpëtuar këtë familje më 11 tetor të vitit të kaluar nga grupi Haqqani dhe se ata ishin dërguar matanë kufirit nga Afganistani.

Ministria e jashtme e Pakistanit tha se operacioni ishte mbështetur në bazë të një informacioni nga inteligjenca e Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët ammerikanë e kanë dhënë një tregim tjetër të rrëmbimit të kësaj familjeje, duke thënë se ajo i ka kaluar pothuajse të pesë vitet e izolimit në Pakistan, e jo në Afganistan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat