Gara për Asamblenë e Virxhinias përfundon me short

Amerika

Gara për Asamblenë e Virxhinias përfundon me short

Më: 5 janar 2018 Në ora: 00:42
SHBA

Republikani David Yancey u shpall fitues me short në garën për një vend në Dhomën e Delegatëve të shtetit të Virxhinias. Kandidatja demokrate Shelly Simonds, që humbi, tha se ajo mund ta ankimojë rezultatin.

Rezultati i sotëm, që u përcaktua me një mënyrë të pazakontë, u jep republikanëve një avantazh prej 2 vendesh, 51 me 49, në Dhomën e Delegatëve prej 100 anëtarësh. Asambleja, organi ligjvenës i Virxhinias, përbëhet nga dy dhoma, ajo e Delegatëve dhe Senati.

Që pas zgjedhjeve të 7 nëntorit 2017, gara në distriktin e 94 kishte mbetur e papërcaktuar për shkak të rezultatit tepër të ngushtë.

Pas numërimit fillestar të fletëvotimeve në nëntor u duk se kandidati republikan Yancey kishte fituar me 10 vota diferencë. Pas rinumërimit u duk se fitorja i takoi demokrates Simonds, me diferencë prej vetëm një vote. Por një ditë më pas, një kolegj prej tre gjyqtarësh në qytetin “Newport News”, e shpalli garën në barazim, duke vendosur që një fletë votimi e debatuar të llogaritej në favor të republikanit Yancey.

Bllokimi i rezultatit në këtë distrikt ndodhi ndërsa demokratët shënuan fitore të thellë në zgjedhjet e Virxhinias.

Sipas ligjeve të shtetit kur gara përfundon në barazim, hidhet short. Hera e fundit që kishte lindur nevoja e shortit ishte në vitin 1971, për një vend në bashkinë e Fairfax-it.

Demokratja Simonds, e cila mund të kërkojë rinumërim tjetër të fletëvotime, nuk e pranoi zyrtarisht humbjen sot pas hedhjes së shortit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat