SHBA, reforma në imigracion - Bota Sot
SHBA, reforma në imigracion

Amerika

E martë, 20 shkurt 2018

SHBA, reforma në imigracion

Më: 30 janar 2018 Në ora: 21:34
New York

Një betejë e fortë në Kongres e pret propozimin e Presidentit Trump për reformat në imigracion, që përfshin një rrugëzgjidhje që do t’u ofronte shtetësi amerikane mbi 2 milionë imigrantëve pa dokumente. Një javë pasi ngërçi mbi politikat për imigracionin shkaktoi mbylljen e qeverisë për tri ditë dhe ndërkohë që mbeten pak ditë deri kur rrezikohet një mbyllje tjetër, udhëheqësit në Kongres po punojnë me intensitet për të arritur një kompromis.

Një vijë kufitare që shtrihet për mijëra kilometra, miliona imigrantë pa dokumente dhe vetëm pak ditë për të arritur një zgjidhje për një ndër çështjet më të nxehta për vendin.

“Për vite e vite me radhë kanë folur për imigracionin e nuk kanë bërë asgjë. Ne do të gjejmë zgjidhje, shpresojmë,” tha Presidenti Trump.

Presidenti do të mbajë të parin fjalim zyrtar mbi gjendjen e vendit, ku do të ketë shansin më të mirë për të paraqitur argumentet e tij.

“Propozimi ynë mbështetet në katër shtylla: mbrojtja e kufirit, përfshirë me ndërtimin e murit, dhënia e statusit të rregullt për imigrantë të paligjshëm të sjellë në moshë të mitur, shfuqizimi i ligjeve që lejojnë imigracion të zgjeruar familjar, si dhe eliminimi i lotarisë për Green Card për të kaluar në një sistem të bazuar në meritat e aplikantëve,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Propozimi i Shtëpisë së Bardhë do të ofronte një rrugë drejt shtetësisë për 1.8 milionë të rinj të sjellë këtu në moshë të mitur. Një senator me peshë në negociata e përshëndeti këtë element:

“Propozimi i presidentit për t’u dhënë 1.8 milionë të rinjve rrugën drejt shtetësisë është një hap i madh në drejtimin e duhur. Presidenti e meriton të ketë një llogari nga ku të tërheqë fondet për të ndërtuar barrierat kufitare, jo thjesht murin. Imigracioni familjar dhe reduktimi në masën 50% i imigracionit të ligjshëm – të gjitha këto janë çështje problematike,” tha Senatori Lindsey Graham.

Propozimi ndeshet me kritika nga të dyja palët. Disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve shprehën zhgënjim lidhur me lëshimet për t’u dhënë shtetësi të rinjve, një propozim që disa përkrahës të presidentit e shohin si amnisti për ata që kanë shkelur ligjin.

“Nuk është e sigurtë që do të marrë as votat e nevojshme nga grupi i republikanëve, që të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve,” thotë studiuesja Molly Reynolds.

Demokratët e kritikuan Shtëpinë e Bardhë duke e quajtur planin “të turpshëm” dhe në kundërshtim me vlerat amerikane. Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se plani është “fushatë për ta bërë Amerikën përsëri të bardhë”.

Udhëheqja republikane iu kundërpërgjigj zonjës Pelosi me thirrjen se nuk ka mbetur kohë për lojëra partiake:

“Ndërkohë që afron afati i 8 shkurtit, është shumë e rëndësishme të vazhdojmë bisedime serioze e konstruktive. Populli amerikan na ka zgjedhur për punë legjislative, jo për të shkëmbyer ofeza, për të zgjidhur programin që ngriti në mënyrë të paligjshme Presidenti Obama, si dhe çështje të tjera të imigracionit. U bëj thirrje kolegëve demokratë të angazhohen me seriozitet dhe sinqeritet dhe të lënë mënjanë lojën për pikë politike,” tha Senatori McConnell.

Shtëpia e Bardhë është treguar nganjëherë e pavendosur për rrugën që do të ndjekë për imigracionin, si rezultat propozimi i ri mund të mos jetë shumë bindës për Kongresin:

“Nuk duket se e ka kapur fillin e vështirë që nevojitet për të trajtuar këtë çështje delikate,” thotë analistja Reylonds.

Por kjo çështje kërkon arritjen e një marrëveshjeje brenda datës 8 shkurt për të mos lejuar një mbyllje tjetër të qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test