Shtëpia e Bardhë mund të bëjë publik dokumentin e klasifikuar

Amerika

Shtëpia e Bardhë mund të bëjë publik dokumentin e klasifikuar

Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 18:15
Shtëpia e Bardhë

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti Donald Trump ka në plan të miratojë publikimin e një raporti të klasifikuar, ku pretendohet se zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit janë treguar të njëanshëm ndaj presidentit. Zyrtari tha se ka gjasa që raporti të publikohet i plotë dhe pa redaktime.

Si Byroja Federale e Hetimeve ashtu edhe Departamenti i Drejtësisë janë shprehur kundër publikimit të dokumentit.

Sot herët në mëngjes, Presidenti Trump shkruante në Twitter: "Udhëheqja e lartë dhe hetuesit e FBI-së si dhe Departamenti i Drejtësisë e kanë politizuar procesin e shenjtë hetimor në favor të demokratëve dhe kundër republikanëve, gjë që, vetëm pak kohë më parë do të kishte qenë e pamendueshme.”

Pak njerëz jashtë Kongresit e kanë lexuar dokumentin, i cili është hartuar nga kongresmeni republikan Devin Nunes. Dokumenti thuhet se përmban hollësi rreth përpjekjeve të Departamentit të Drejtësisë përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016-s për t’i kërkuar leje Gjykatës që të monitoroheshin kontaktet e mundshme të një këshilltari të fushatës së zotit Trump me operativët rusë.

Demokratët dhe kritikët e tjerë të dokumentit thonë se ai në mënyrë selektive përdor informacionin e klasifikuar të zbulimit për të arritur në përfundimin se hetimet mbi ndërhyrjen e Rusisë janë politikisht të njëanshme.

Dy demokratët kryesorë në Kongres, udhëheqësi i Pakicës në Senat, Charles Schumer dhe udhëheqësja e Pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e dënuan dokumentin dhe kritikuan udhëheqësit republikanë se po vendosnin interesin partiak përpara sundimit të ligjit.

Në vorbullën e kërsaj zhurme partiake është përfshirë edhe FBI-ja, e cila ka publikuar një deklaratë të pazakontë, ku thuhet se ajo ka "shqetësime të mëdha" në lidhje me saktësinë e dokumentit.

Dokumenti është shndrruar në një pikë konflikti në Uashingtonin e ndarë politikisht, ku një numër republikanësh po ankohen gjithnjë e më shumë për hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Mueller rreth Rusisë. Ata ankohen gjithashtu se disa zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë kanë punuar për të minuar presidencën e zotit Trump.

Presidenti Trump ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk ekziston "asnjë bashkëpunim i fshehtë" mes fushatës së tij dhe Rusisë. Javën e kaluar, ai tha gjithashtu se hetimit për Rusinë nuk i ishte nxjerrë “asnjë pengesë”.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, bëri thirrje të enjten për dorëheqjen e kryetarit republikan të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqëseusve, Devin Nunes, duke thënë se ai ka kryer veprime, të cilat minojnë hetimin lidhur me mundësinë e bashkëpunimit mes fushatës së presidentit Donald Trump dhe Rusisë.

Për dorëheqjen e zotit Nunes bëri thirrje edhe Kryetarja e Demokratëve në Dhomën e Përfaqëseusve, Nancy Pelosi./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat