Trump: Të gatshëm të dialogojmë me Korenë e Veriut nëse krijohen kushtet

Amerika

Trump: Të gatshëm të dialogojmë me Korenë e Veriut nëse krijohen kushtet

Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 21:32
Presidenti amerikan, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump theksoi sot se SHBA-ja është e gatshme të dialogojë me regjimin koreano-verior, vetëm nëse krijohen kushtet.

“Ne kemi qenë shumë të ashpër me ata, për herë të parë ata dëshirojnë të na flasin dhe do të ishte mirë të ndodhte kjo”, theksoi presidenti gjatë një takimi me guvernatorët e shteteve në Uashington.

Presidenca koreano-jugore konfirmoi sot se Koreja e Veriut ishte e gatshme të bisedonte me SHBA-në, pas një takimi me delegacionin koreano-verior gjatë ceremonisë me rastin e mbylljes së Lojërave Olimpike në Korenë e Jugut.

“Delegacioni koreano-verior ra dakord që bisedimet ndërkoreane dhe marrëdhëniet e veriut me SHBA-në duhet të përmirësohen në të njëjtën kohë”, nënvizoi një komunikatë e Seulit.

Ky gjest për hapje vjen disa ditë pas vendosjes së sanksioneve të reja kundër Phenianit nga ana e Uashingtonit.

Të premten, Donald Trump njoftoi sanksionet më të rënda të vendosura ndonjëherë kundër një vendi duke zbuluar masa të reja destinuar për të detyruar Korenë e Veriut t’i japë fund programit bërthamor dhe raketave balistike ndërkontinentale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat