SHBA: shefi i zbulimit Dan Coats dëshmon për ndërhyrjen ruse

Amerika

SHBA: shefi i zbulimit Dan Coats dëshmon për ndërhyrjen ruse

Më: 6 mars 2018 Në ora: 21:55
Dan Coats

Shefi i zbulimit në Shtetet e Bashkuara, Dan Coats, tha të martën se qeveria amerikane duhet të ketë “një strategji koherente” për të penguar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm për në Kongres, edhe për faktin, se ka shumë mundësi që Moska të angazhohet në një fushatë përçarjesh, sikurse bëri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Drejtori Kombëtar i Zbulimit, Dan Coats i tha Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura se disa agjenci amerikane “janë të ndërgjegjshme” për nevojën që qeveria të marrë masa mbrojtëse ndaj ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane. Por ai nuk dinte ç’të thonte, kur senatorja demokrate e Hauajit Mazie Hirono, e pyeti atë “Përse ne nuk e kemi një strategji qeveritare për këtë çështje?”

"Unë e kuptoj se kjo çështje duhet trajtuar”, tha zoti Coats, duke shtuar se “Nuk kam ndonjë përgjigje specifike për pyetjen tuaj”.

Senatorja Hirono u përgjigj: "Konkluzioni është se kjo nuk ka qenë përparësi për Presidentin Donald Trump, pasi komuniteti amerikan i zbulimit arriti në përfundimin se ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, kishte për qëllim ta ndihmonte atë t’i fitonte zgjedhjet ndaj rivales demokrate Hillary Clinton.”

Zoti Coats tha se Shtetet e Bashkuara deri më sot “nuk kanë patur fakte për një përpjekje të fuqishme nga ana e Rusisë, po ne e dimë se aktivitetet e tyre malicioze vazhdojnë të ekzistojnë. Ka mundësi që ata të bëjnë diçka. Ne thjesht nuk e dimë masën, kohën dhe vendin,” tha ai.

Shefi i zbulimit Dan Coats tha se javën e ardhshme ai pret që Departamenti amerikan i Thesarit të shpallë sanksione ndaj 13 rusëve të akuzuar nga prokurori special Robert Mueller, për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016.

Rusia ka mohuar vazhdimisht të ketë patur rol në zgjedhjet amerikane, por komuniteti i zbulimit në SHBA ka arritur në përfundimin se veprimet e Rusisë janë drejtuar personalisht nga Presidenti rus Vladimir Putin. Presidenti Trump i ka cilësuar disa hetime që janë zhvilluar për mundësinë e bashkëpunimit të fushatës së tij me Rusinë, “gjueti shtrigash” dhe një justifikim që demokratët e përdorin për të shpjeguar fitoren e tij ndaj zonjës Clinton.

Zoti Coats i tha ligjvënësve: "Ne mendojmë se Rusia mund t’i vazhdojë përpjekjet agresive në fushën kibernetike, me synimin për të degraduar vlerat tona demokratike dhe për dobësuar aleancat tona.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat