SHBA njofton se "brenda javës" sanksionon sërish Rusinë

Amerika

SHBA njofton se "brenda javës" sanksionon sërish Rusinë

Më: 7 mars 2018 Në ora: 08:38
Drejtori i Inteligjencës Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Dan Coats

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Dan Coats, ka thënë se ky vend do ta sanksionojë sërish Rusinë për shkak të supozimeve të ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Sipas tij sanksionet e reja do të bëhen të ditura “brenda javës”.

Njoftimi i Coats për sanksionet e reja ka ardhur pak kohë pasi anëtarët e Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura kanë kritikuar administratën e presidentit amerikan, Donald Trump për mosvënie të sanksioneve ndaj Rusisë, në kohën kur ka publikuar një listë prej 210 rusëve të pasur dhe të fuqishëm që janë të lidhur me Kremlinin, në muajin janar.

Sekretari i Thesarit amerikan, Steven Mnuchin, “do të njoftojë për këtë gjë brenda një jave”, ka thënë Coats, duke shtuar se sanksionet do të shënjeshtrojnë të paktën 13 rusët e akuzuar nga këshilltari special, Robert Mueller, për kryerjen e operacioneve që kanë pasur qëllim përçarjen në zgjedhjet e vitit 2016.

Sanksionet do të shtojnë në listë, “ata individë që kanë qenë të përfshirë”, ka thënë ai.

Në padinë e Muellerit të muajit të kaluar janë akuzuar 13 rusë dhe tri kompani ruse për organizimin e fushatave në rrjetet sociale me qëllim të thellimit të ndarjes në mes të votuesve amerikanë dhe t’i ndihmojnë Trumpit që të triumfojë në garën e tij kundër demokrates, Hillary Clinton.

Derisa disa nga sanksionet do të kenë cak personat e paditur nga Mueller, masat e reja do të shkojnë “përtej” asaj dhe do të prekin edhe rusë të tjerë, ka thënë Coats, pa dhënë detaje shtesë.

Mnuchin në anën tjetër ka deklaruar para një komiteti në Dhomën e Përfaqësuesve, se sanksionet e reja do të bëhen të ditura në “javët e ardhshme”.

Sipas tij këto shpallje kanë kërkuar “një punë të jashtëzakonshme”, dhe janë të përkrahura plotësisht nga Shtëpia e Bardhë.

“Mund t’iu sigurojë se në diskutimet e mia me presidentin, ai e mbështet plotësisht punën që jemi duke bërë dhe derisa ne po flasim një ekip tejet i madh është duke punuar”, ka thënë Mnuchin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat