Kadetët ndërkombëtarë në akademinë ushtarake West Point - Bota Sot
Kadetët ndërkombëtarë në akademinë ushtarake West Point

Amerika

E premte, 21 shtator 2018

Kadetët ndërkombëtarë në akademinë ushtarake West Point

Më: 19 mars 2018 Në ora: 07:02
ilustrim

Në qershor të vitit 2017, Mali i Zi, që dikur konsiderohej si një enklavë ballkanike pro-ruse, festoi pa bujë hyrjen e vendit në NATO. Para se të anëtarësohej në NATO, Mali i Zi dërgoi kadeten e tij të parë në akademinë ushtarake West Point. Nevena Nikoliç dhe kolegët e saj ndërkombëtarë në West Point kanë një mundësi të rrallë për ta parë botën dhe Amerikën nëpërmjet pikëpamjes së akademisë prestigjioze ushtarake, zyrtarët e të cilëve besojnë se prania e kadetëve të huaj është tejet e rëndësishme.

Malazezja Nevena Nikolic erdhi në West Point tre vjet më parë. Akademia ka pranuar studentë të huaj për më shumë se 100 vjet. I pari u diplomua në 1889.

“I pari ishte nga Guatemala. Që atëherë, janë diplomuar 478 ndërkombëtarë, të cilët përfaqësojnë 84 vende të ndryshme. Pra, është një program me goxha histori”.

Nevena aplikoi në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, pasi dëgjoi nga kolegët malazezë rreth përvojës së tyre në Akademinë e Marinës në Anapolis.

“Unë erdha në West Point disa ditë para fillimit të trajnimit. Çdo gjë shkoi mirë, sepse kemi familje sponsorizuese që na ndihmojnë me gjithçka. Dhe pastaj filloi trajnimi, i cili të sfidon shumë, ngaqë tranzicioni nga jeta civile në atë ushtarake është shumë i vështirë. Dy apo tre muajt e parë të trajnimit ishin vendimtarët”.

Pas vështirësive fillestare, Nevena u përshtat mirë në West Point. Akademia, e cila ndodhet rreth 80 kilometra në veri të qytetit të Nju Jorkut, ka trajnuar oficerë për ushtrinë amerikane që nga themelimi i saj në vitin 1802.

Brent Matthews, dekani në krye të kadetëve ndërkombëtarë, thotë se ka arsye pse pranohen kadetë nga vendet e tjera.

“Arsyetimi më parë, ishte që të trajnonim udhëheqësit e ardhshëm me të njëjtën mënyrë se si trajnohen të tanët. Sot, kjo ka ndryshuar pak. Unë mendoj se arsyeja kryesore është zhvillimi i individit për të arritur maksimumin e tyre” thotë Brent Matthews.

Ligji i Shteteve të Bashkuara, lejon deri në 60 kadetë nga vendet e huaja të studiojnë në Akademinë Ushtarake, e cila ka 4400 kadetë, dhe arsimimi i tyre sponsorizohet nga qeveritë përkatëse. Tani janë 54 studentë ndërkombëtarë, që përfaqësojnë 30 vende të ndryshme.

Sfida kryesore për të huajt është gjuha angleze. Për Brent Matthews, prania e tyre në akademi është absolutisht e rëndësishme.

“Kadetët amerikanë mund ta shohin botën përmes syve të një personi tjetër. Ata ekspozohen ndaj mënyrave të ndryshme se si vende të tjera veprojnë. Kjo u zgjeron horizontin. Pra, kadetët amerikanë përfitojnë nga kolegët e tyre ndërkombëtarë. Gjithashtu, kadetët ndërkombëtarë përfitojnë të mësojnë këndvështrimin amerikan”.

Për Nevena Nikoliçin, e cila do të diplomohet në maj të vitit 2019, edukimi i saj në West Point do të jetë një pikënisje e mirë për karrierën e saj në ushtrinë malazeze.

“Do të doja të shkoj në Afganistan me njësinë time sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse mendoj se ai lloj trajnimi ushtarak është më i miri për zhvillimin e ardhshëm si ushtare. Pra, mezi pres për sfida të tilla”, thotë ajo./voa

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test