Trump hedh poshtë aludimet se nuk po krijon dot ekipin e avokatëve mbrojtës

Amerika

Trump hedh poshtë aludimet se nuk po krijon dot ekipin e avokatëve mbrojtës

Më: 25 mars 2018 Në ora: 23:18
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë sot pretendimet se po has në vështirësi për të krijuar një ekip ligjor që do ta mbrojë gjatë procesit hetimor për Rusinë. Pak pasi komentoi Presidenti për këtë çështje, u njoftua se dy juristë të tjerë, për të cilët ishte njoftuar se do t’i bashkoheshin ekipit të avokatëve mbrojtës të tij, nuk do të jenë realisht pjesë e këtij ekipi.

Ish-prokurori federal, Joseph DiGenova dhe bashkëshortja e tij Victoria Toensing, patën rënë dakort javën e kaluar për të ndihmuar në përfaqësimin ligjor të Presidentit. Por, vetëm pak orë pasi Presidenti Trump shkruajti në Twitter se është shumë i kënaqur me ekipin e tij ligjor, avokati i tij personal, Jay Sekulow, tha se DiGenova dhe Toensing nuk do të jenë pjesë e ekipit të avokatëve që po mbrojnë Presidentin Trump përballë akuzave se fushata e tij elektorale e vitit 2016 bashkëpunoi me Rusinë për të ndihmuar në fitoren e tij dhe në vazhdim për të penguar drejtësinë dhe procesin hetimor.

Në një deklaratë të zotit Sekulow thuhet se “Presidenti është i zhgënjyer që konfliktet (e interesit) i penguan Joe DiGenovan dhe Victoria Toensing që t’i bashkohen ekipit të posaçëm ligjor të Presidentit. Sidoqoftë, këto konflikte nuk i pengojnë ata që të ndihmojnë Presidentin për çështje të tjera ligjore. Presidenti mirëpret bashkëpunimin me ta”.

Këto ndryshime të fundit në ekipin ligjor të Presidentit Trump vijnë vetëm dy ditë pasi avokati i tij kryesor, John Dowd, dha dorëheqjen, ndërsa një tjetër avokat i rëndësishëm në Uashington, Theodore Olson, refuzoi t’i bashkohej ekipit mbrojtës të Presidentit Trump.

Në Twitter, Presidenti Trump shkruajti se “shumë juristë dhe firma të rëndësishme ligjore duan të më përfaqësojnë në çështjen e Rusisë. Mos i besoni historitë e lajmeve të rreme se është e vështirë të gjendet një jurist për këtë gjë. Fama & pasuria nuk refuzohen kurrë nga juristët, megjithëse disa mund të kenë mendime të dyta. Problemi është se një avokati të ri apo firme të re ligjore mund t’i duhen muaj për t’ja marrë dorën (ndoshta edhe vetëm për arsyen se mund të faturojnë më shumë shpenzime), gjë që nuk do të ishte e drejtë për vendin tonë të mrekullueshëm – dhe unë jam shumë i kënaqur me ekipin tim ligjor aktual”.

Presidenti Trump shtoi se “mbi të gjitha, nuk pati bashkëpunim me Rusinë, por vetëm nga Hillary mashtruesja dhe demokratët!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat