Ushtria amerikane mohon të ketë sulmuar një bazë ajrore në Siri

Amerika

Ushtria amerikane mohon të ketë sulmuar një bazë ajrore në Siri

Më: 9 prill 2018 Në ora: 09:49
ilustrim

Mediet shtetërore siriane thanë se një sulm me raketa ka ndodhur të hënën në një bazë ajrore në provincën e Homsit në Siri, duke lënë pas vetes një numër viktimash.

Sipas raportimeve, sulmi ka ndodhur në bazën e njohur si T4 dhe media shtetërore siriane fajësoi ushtrinë amerikane.

Zyrtarët amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë kryer sulm në Siri.

"Megjithatë, po vazhdojmë ta ndjekim nga afër situatën dhe të mbështesim përpjekjet diplomatike për t'i mbajtur përgjegjës ata në Siri dhe gjetiu për përdorimin e armëve kimike", tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit, Christopher Sherwood.

Siria vazhdimisht ka mohuar përdorimin e armëve kimike gjatë konfliktit që filloi në vitin 2011, përfshirë edhe sulmin e fundit të dyshuar të së shtunës në para lagjet e Damaskut të kontrolluara nga kryengritësit, që la pas vetes 40 të vrarë.

Të dielën vonë, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, e dënuan fuqishëm sulmin kimik në Siri dhe u pajtuan që "qeveria e presidentit sirian Bashar al-Assad duhet të mbahet përgjegjëse për shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të njeriut".

Në një bisedë telefonike "ata u pajtuan të shkëmbejnë informacione për natyrën e sulmeve dhe të bashkërendojnë një përgjigje të fortë të përbashkët", njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Trump përdori rrjetin Twitter të dielën për të thënë se "do të ketë një çmim të lartë për t'u paguar", për atë që ai e quajti "sulm të çmendur kimik" të shtunën.

Në një akt të rrallë kritikash të forta në adresë të udhëheqësit rus, presidenti amerikan deklaroi "Presidenti Putin, Rusia dhe Irani janë përgjegjës" për mbështetjen që i japin "kafshës Asad".

Ai kërkoi më tej nga Siria hapjen e zonës për personelin mjekësor dhe verifikues.

Ministria e Jashtme ruse hodhi poshtë pohimet për sulm kimik duke theksuar se "përhapja e tregimeve të rreme për përdorimin e klorit dhe substancave të tjera helmuese nga forcat qeveritare (siriane) vazhdon".

"Ne kemi paralajmëruar disa herë së fundmi për provokime të tilla të rrezikshme", thuhet në deklaratën e Moskës. "Qëllimi i një spekulimi të tillë mashtrues, pa asnjë argument, është mbrojtja e terroristëve dhe përpjekje për të justifikuar përdorimin e forcës nga jashtë".

Irani tha se pretendimet e Shteteve të Bashkuara, synojnë arsyetimin e veprimeve të reja ushtarake amerikane.

Një vit më parë, pas një sulmi me armë kimike në Siri, presidenti Trump urdhëroi goditjen më 59 raketa Tomahawk në Siri, duke vënë në shënjestër një bazë ushtarake prej nga ishin ngritur avionët që kishin kryer sulmin kimik.

Presidenti Trump nuk tha se si do të përgjigjet Amerika pas sulmit të së shtunës. Por këshilltari për sigurinë kombëtare Thomas Bossert tha për rrjetin ABC News, se “asnjë opsion nuk mund të përjashtohet".

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mblidhet të hënën rreth sulmit të pretenduar, pasi që nëntë vende kërkuan një mbledhje emergjente. Bashkimi Evropian tha se "dëshmitë flasin për një sulm tjetër kimik", nga regjimi sirian./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat