Trump i zemëruar- Avokati i tij tani ka nevojë për avokat

Amerika

Trump i zemëruar- Avokati i tij tani ka nevojë për avokat

Më: 10 prill 2018 Në ora: 11:03
Michael Cohen

FBI kontrolloi zyrën e avokatit të Trumpit lidhur me aferën e shumëpërfolur me pornostarin Stormy Daniels, e që shihet si kthesë interesante në këtë çështje. Michael Cohen është avokati personal i presidentit amerikan.

Ideja erdhi me sa duket nga i ngarkuari i posaçëm për hetimet mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidencuale amerikane, Robert Mueller. Ai po heton, nëse ka pasur ujdi të fshehta mes Rusisë dhe ekipit të Trumpit gjatë fushatës presidenciale amerikane. Por nëpunësit e FBi-së u interesuan për diçka tjetër, për aferën e Trumpit me pornostarin, Stormy Daniels.

Image
Stormy Daniels

Sipas informacioneve të "Washington Post" hetuesit kanë marrë dokumente, që lidhen me pagesën që Cohen i ka ofruar pornostarit, rreth 130.000 dollarë. Pagesa u bë pak para zgjedhjeve presidenciale në kuadër të një marrëveshjeje mospërmendjeje. Por Stormy Daniels e quan marrëveshjen të pavlefshme dhe ka ngritur padi.

Avokati ka nevojë për avokat

Trump mohon të ketë pasur dijeni për këtë pagesë. Kontrollin e zyrës së avokatit personal të tij, ai e cilësoi si "turp". Me këtë është arritur "një nivel tjetër padrejtësie", u ankua Trump para gazetarëve. Zyra e Trumpit ka hedhur poshtë se Trump ka pasur aferë seksuale me pornostarin.

Image
Donald Trump

Tani avokati i presidentit amerikan, Michael Cohen ka nevojë për avokat. E ai është Stephen Ryan, i cili e cilësoi aksionin si "të papërshtatshëm dhe panevojshëm". Vërtet kontrollet e zyrës së avokatëve janë veçanërisht të pazakonta, sepse komunikimi mes përfaqësuesve të ligjit dhe klientëve të tyre mbrohet mirë nga e drejta amerikane.

Hetuesit e FBI-së kanë konfiskuar edhe dokumente të tjerë si dokumente tatimesh. Cohen ka kooperuar me të gjitha instancat dhe ka lejuar të pyetet nën betim në kongresin amerikan, ka thënë avokati i tij. Kontrolli i FBI-së ka bërë që të merret material sensibël dhe i mirëmbrojtur, që i nënshtrohet marrëdhënies së besimit mes avokatit dhe mandantit të tij./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat