Pence u bën thirrje aleatëve të Amerikës Latine për izolim të Venezuelës

Amerika

Pence u bën thirrje aleatëve të Amerikës Latine për izolim të Venezuelës

Më: 14 prill 2018 Në ora: 11:53
Mike Pence

Duke treguar solidaritet me liderët opozitarë të Venezuelës, nënpresidenti amerikan, Mike Pence u ka bërë thirrje aleatëve Latino-Amerikanë që ta izolojnë Venezuelën, duke dhënë shenja se administrata e Trumpit mund të vendosë sanksione shtesë për të luftuar krizën politike të këtij shteti, transmeton AP.

Pence i cili ka qëndruar në Lima për të marrë pjesë në një samit ka thënë se SHBA-ja do të ofrojë rreth 16 milionë dollarë ndihmë humanitare për personat që janë larguar nga Venezuela gjatë udhëheqjes së presidentit Nicolas Maduro.

“Ne dëshirojmë ta bëjmë të qartë një gjë, ne jemi me popullin e Venezuelës”, ka thënë Pence në rezidencën e ambasadës amerikane, gjatë një takimi me liderët opozitarë të këtij vendi.

Pence e ka cilësuar “diktaturë” qeverisjen e Maduros dhe ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë të ketë qasje të ashpër ndaj këtij lidershipi.

“Unë besoj se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë janë të përgatitur për të bërë më shumë”, ka thënë Pence duke akuzuar Maduron për “refuzim të ndihmës humanitare”.

Pence është duke zhvilluar këto vizita në vend të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka anuluar vizitën e tij të parë të planfikuar në Amerikën Latine, për të menaxhuar përgjigjen amerikane ndaj sulmeve të supozuara me armë kimike në Siri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat