Majami, destinacion për turizmin e shtetësisë amerikane - Bota Sot
Majami, destinacion për turizmin e shtetësisë amerikane

Amerika

E enjte, 24 maj 2018

Majami, destinacion për turizmin e shtetësisë amerikane

Më: 15 prill 2018 Në ora: 00:33
ilustrim

Klima e butë, era e ngrohtë e oqeanit, dinamika e jetës së natës prej vitesh e ka bërë Majamin një destinacion të preferuar turistik për evropiano-lindorët. Por kohët e fundit shumë prej atyre që vijnë këtu nuk nisen thjesht nga dëshira për plazh, por për shumë gra ruse e ukrainase, udhëtimi drejt Floridës bëhet me qëllimin që të lindin në këtë shtet, duke u ofruar fëmijëve shtetësinë amerikane.

Kseniya Popova ka ardhur në Majami nga Vladivostoku. Por Kseniya nuk ka bërë dy ditë rrugë nga Rusia lindore thjesht për të shijuar restorantet e plazhin e Majamit. Ajo ka ardhur bashkë me bashkëshortin për të lindur këtu vajzën, Taisiya.

"Gjithmonë kam dashur ta lindja fëmijën në Shtetet e Bashkuara. E kisha pikësynim. Sapo ngela shtatzënë, bashkë me burrin pamë se ku do të vinim dhe zgjodhëm Majamin. Plot shoqe të mia kanë bërë të njëjtën gjë. Këtu i ke të gjitha: motin e mirë, shërbimin cilësor për shëndetin dhe shtetësinë”.

Çdo fëmijë që lind në Shtetet e Bashkuara merr automatikisht shtetësinë amerikane. Po ashtu është plotësisht e ligjshme të vish në Shtetet e Bashkuara thjesht për të lindur fëmijën këtu. Nailya Valieva ka themeluar kompaninë “Happy Baby” një ndër shumë biznese që ndihmojnë çiftet të përgatisin dokumentet dhe të zgjedhin mjekun e të gjejnë apartament:

"Nuk është e paligjshme të vish në Majami për të lindur fëmijën. Shumë njerëz e konsiderojnë kujdesin shëndetësor në Shtetet e Bashkuara si më të mirin në botë, klima është fantastike, nënat gjejnë këtu çdo gjë që u nevojitet, gjërat ecin lehtë”.

Këtë mendim kanë edhe nënat e reja. Ato thonë se e bëjnë këtë udhëtim të gjatë e të kushtueshëm pasi duan kujdes shëndetësor me cilësi të lartë dhe një mentalitet më pozitiv për lindjen:

"Shtatzania shihet si sëmundje (si gjendje patologjike) në Rusi. Duhet të shkosh për vizita të panumërta te mjeku, të bësh një milion analiza. Këtu në Shtetet e Bashkuara është më lehtë. Bën një sonogram, dëgjon rrahjet e zemrës së foshnjës, pastaj je e lirë deri kur vjen koha për vizitën tjetër,” thotë Katerina Khramova, që ka ardhur në Shtetet e Bashkuara për të lindur fëmijën.

Olga Sukhanova nga Moska vendosi të bënte një fëmijë tjetër kur vajza që kishte mbushi 20 vjeç.

"E linda me operacion. U impresionova nga mënyra se sa të koordinuar dhe kompetentë ishin mjekët”.

Remberto Santos është mjek obstetër nga Kuba me një karrierë 23 vjeçare në spitalet e Majamit. Ai thotë se gjysma e pacienteve të tij janë nga Evropa Lindore:

"Pacientet nga Rusia dhe Ukraina e durojnë më shumë dhimbjen. Disa prej tyre kërkojnë anestezi gjatë lindjes, por shumica preferojnë lindje të natyrshme”.

Gratë aplikojnë për një vizë turistike. Për të marrë vizën u duhet të kenë një biletë me kthim që tregon se kur do të largohen nga Shtetet e Bashkuara, si dhe një deklaratë nga banka që tregon sa para kanë në llogari:

"U duhet të dëshmojnë se amerikanët nuk do të paguajnë nga taksat e tyre për të mbuluar koston mjekësore për lindjen,” thotë Nailya Valieva.

Zakonisht vizat janë tre mujore. Gratë vijnë në Shtetet e Bashkuara afro një muaj para datës së lindjes, dhe pas lindjes së foshnjes qëndrojnë edhe një muaj tjetër. Ky turizëm për shtetësinë e fëmijës kushton rreth 20 mijë dollarë, por kostoja nuk i dekurajon ata prindër që duan rehatinë e Majamit në pritje dhe gjatë lindjes, para se të kthehen në atdhe me një shtetas të ri amerikan./voa

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test