Trump: Hetimi i Robert Muellerit po humbet shpejt besueshmërinë

Amerika

Trump: Hetimi i Robert Muellerit po humbet shpejt besueshmërinë

Më: 7 maj 2018 Në ora: 21:33
Trump e nënvleftësoi hetimin një-vjeçar të Prokurorit të Posaçëm lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane,

Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se hetimi për lidhjet e fushatës së tij të vitit 2016 me Rusinë, është "duke e humbur me shpejtësi besueshmërinë”.

Në katër komente që bëri në Twitter, Trump e nënvleftësoi hetimin një-vjeçar të Prokurorit të Posaçëm lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane dhe në se ai është përpjekur të pengojë drejtësinë, në përpjekjet për të ndaluar hetimin vitin e kaluar, kur pushoi nga puna Drejtorin e FBI-së James Comey, i cili drejtonte hetimin para se në vendin e tij të caktohej Mueller.

"A ka për të vazhduar edhe më gjatë kjo Gjueti Shtrigash e rreme, që të ketë ndikim për keq te zgjedhjet e mesit të mandatit, gjë që kanë synuar kurdoherë demokratët? Republikanë, tregohuni të fortë dhe të zgjuar para se të jetë tepër vonë!”

Në një tjetër tweet, Presidenti shkruante: “Çfarrë rrëmuje. Vendi ynë duhet t’i kthehet prapë punës”.

Zoti Trump shkruan në Twitter se “Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve nën kontrollin e republikanëve gjeti se nuk ka patur bashkëpunim, koordinim, apo diçka tjetër me Rusinë. Kështuqë grupi hetimor thotë: çfarë ka mbetur tjetër? Të themi se ka patur pengim të drejtësisë për një krim të trilluar, të rremë….”

Trump shkruante në Twitter se “13 demokratë të zemëruar kanë marrë përsipër Gjuetinë ruse të Shtrigave” në ekipin e juristëve të Muellerit.” Ai shkruante se juristët e zotit Mueller "po fillojnë të zbulojnë se ekziston një sistem gjyqësor që i mbron njerëzit nga padrejtësitë…dhe vetëm prisni që dalë në pah konflikti juaj të interesit ende i pazbuluar!”

Trump aludoi për një seancë dëshmish që u bë të premten e kaluar kundër Paul Manafortit, i cili për disa muaj ishte menaxheri i fushatës së tij para zgjedhjeve. Manafort është akuzuar për mashtrime bankare dhe evazion fiskal lidhur me përpjekjet e tij lobiste në Ukraine që datojnë nga periudha e fushatës presidenciale e zotit Trump, por Gjykatësi T.S. Ellis III i Virginias ngriti pikëpyetjen në se Mueller kishte autoritetin për të ngritur çështjen e Manafortit.

Trump është ankuar disa herë për lidhje mes demokratëve dhe grupit të juristëve të zotit Mueller, megjithëse rregullat e Departamentit të Drejtësisë ndalojnë marrjen në konsideratë të përkatësive politike në emërimin e prokurorëve. Në ekipin e juristëve të zotit Mueller janë përfshirë një numër avokatësh me eksperiencë në raste korrupsioni të zyrtarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat