SHBA sanksionon guvernatorin e Bankës Qendrore në Iran

Amerika

SHBA sanksionon guvernatorin e Bankës Qendrore në Iran

Më: 15 maj 2018 Në ora: 22:00
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara i kanë vënë sanksione guvernatorit të Bankës Qendrore të Iranit, duke e akuzuar për ofrim të ndihmës në aktivitetet terroriste.

Zyra e Thesarit për Kontrollin e Aseteve të Huaja ka njoftuar më 15 maj për sanksionet kundër Valiollah Seif dhe kundër zyrtarit të lartë të Bankës Qendrore, Ali Tarzali.

Sipas kësaj zyre ata janë ndëshkuar me sanksione sekondare, sipas së cilave secili që bën biznes me personat e sanksionuar mund të përjashtohet nga sistemi financiar amerikan.

Ata janë listuar si “terroristë të veçantë globalë” nën dyshimet se kanë ndihmuar në grumbullimin e miliona dollarëve për trupat Quds të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit dhe për mbështetje të milicisë së Hezbollahut.

“Është e tmerrshme, mirëpo jo e befasishme që zyrtari i lartë bankar i Iranit të ndihmonte në financimin e grupeve terroriste si Hezbollahu, duke shkatërruar kredibilitetin që do të mund ta pretendonte derisa ka qenë në postin e guvernatorit të Bankës Qendore”, ka thënë përmes një deklarate Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.

Në deklaratë është theksuar dhe këto sanksione nuk prekin Bankën Qendrore të Iranit.

Ky hap vjen vetëm një javë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të largohen nga marrëveshja bërthamore që ka Teherani me fuqitë botërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat