Shtëpia e Bardhë "qartëson" postimin e Trumpit në Twitter

Amerika

Shtëpia e Bardhë "qartëson" postimin e Trumpit në Twitter

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 15:37
Sarah Sanders

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump u është referuar akuzave për bashkëpunim të fshehtë të fushatës së tij me zyrtarët rusë dhe jo atyre për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, më 2016, kur ka shkruar në Twitter se çështja është një "mashrtim i madh".

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, i bëri këto komente pasi Trump sërish sugjeroi se Rusia nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet, të cilat i ka fituar ai.

Disa ditë më parë, ndërkaq, Trump i ka pranuar konstatimet e komunitetit amerikan të inteligjencës se Rusia ka ndërhyrë.

Trump tha se paraardhësi i tij, Barack Obama, e ka ditur për akuzat për ndërhyrjen e Rusisë, përpara zgjedhjeve të nëntorit, 2016.

"Përse nuk i ka thënë fushatës sonë? Sepse, e tëra është një mashtrim i madh, prandaj", shkroi Trump të hënën në Twitter.

Sanders tha se presidenti "padyshim ka folur për bashkëpunimin e fshehtë të fushatës së tij (me zyrtarët rusë)".

"Ai ka qenë shumë i qartë se nuk ka pasur bashkëpunim të tillë. E ka thënë 1,000 herë", tha Sanders.

Trump vazhdimisht ka hedhur dyshime mbi konstatimet e agjencive amerikane të inteligjencës - të publikuara në një raport në janar të vitit 2017 - sipas të cilave, presidenti rus, Vladimir Putin, ka udhëruar fushatë propaganduese dhe piraterimi kundër zgjedhjeve.

Pasi ka shkaktuar kritika nga ligjvënësit amerikanë dhe të tjerë, pas konferencës me Putinin për këtë çështje, Trump ka thënë se e pranon "kostatimin e komunitetit të inteligjencës për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat