Trump "e ka ditur" për takimin e fushatës së tij me rusët?!

Amerika

Trump "e ka ditur" për takimin e fushatës së tij me rusët?!

Më: 27 korrik 2018 Në ora: 11:40
Michael Cohen dhe Donald Trump

Ish-avokati i presidentit amerikan, Donald Trump, tha se ky i fundit ka qenë në dijeni paraprakisht për një takim - në qershor të vitit 2016 - midis ndihmësve të tij dhe një delegacioni rus, që i ka ofruar fushatës zgjedhore të Trumpit ndihmë, duke shpërndarë informacione dëmtuese për rivalen e tij, Hillary Clinton.

Sipas mediave amerikane, CNN dhe NBC, avokati Michael Cohen tha se ka qenë i pranishëm kur djali i Trumpit, Donald Trump Jr., i ka treguar babait të tij për ofertën ruse dhe se Trump e ka miratuar takimin.

Cohen, i cili është vetë nën hetime, raportohet të jetë shprehur i gatshëm për të dëshmuar për këtë çështje para këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, i cili po heton ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Trump ka mohuar se ka ditur paraprakisht për takimin e fushatës së tij me rusët.

Trump Jr., dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe menaxher i fushatës së Trumpit, Paul Manafort, janë takuar në Kullën Trump të Nju Jorkut më 9 qershor, 2016, me avokaten ruse me ndikim, Natalia Veselnitskaya.

Veselnitskaya ka mohuar se ka vepruar në emër të Kremlinit, duke i thënë Kongresit se ajo vepron "e pavarur nga çdo organ qeveritar".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat