Kriza e Venezuelës, Maduro kërkon heqjen e subvencionimit për karburantet

Amerika

Kriza e Venezuelës, Maduro kërkon heqjen e subvencionimit për karburantet

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 10:49
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka paralajmëruar rritjen e çmimit të karburanteve të subvencionuara, me qëllim që të frenojë kontrabandistët që i shkaktojnë vendit miliona dollarë dëme.

“Benzina duhet të shitet në nivelin e çmimeve ndërkombëtare për të ndalur kontrabandimin e saj në Kolumbi dhe Karaibe”, tha Maduro në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror.

Ashtu si shumë kombe të tjera prodhuese të naftës, Venezuela u ofron shtetasve të saj një çmim tejet të subvencionuar. Por, kontrabandistët përfitojnë nga kjo situatë, duke e rishitur karburantin në vendet fqinje e duke i futur në xhepat e tyre të ardhurat shtesë.

Ekonomia e Venezuelës është në pikiatë të thellë, me normat e inflacionit që përllogariten të kapin një milion për qind këtë vit, megjithatë, çmimi i naftës nuk ka pësuar aspak ndryshim.

Mediet lokale raportojnë se një filxhan kafeje kushton rreth 2.2 milion bolivarë (apo 0.5 dollarë në tregun e zi). Për të njëjtin çmim, kushdo mund ta mbushë një automjet personal tip SUV me karburant rreth 9.000 herë. Lëvizja për të kufizuar subvencionimin e karburanteve është pjesë e një plani të gjerë për të rritur të ardhurat qeveritare.

Maduro tha se “subvencionet e drejtpërdrejta” do t’u ofrohen sërish shtetasve me karta identiteti venezueliane, nëse ata i regjistrojnë automjetet e tyre në censusin qeveritar, por nuk e bëri të qartë sesi do të funksionojë kjo skemë.

Shumë venezuelianë, gjithsesi kundërshtojnë refuzimin e qeverisë së Maduros për të përdorur kartat e identitetit.

Edhe pse Venezuela është e pasur me naftë, teksa konsiderohet si vendi me rezervat më të mëdha natyrore të saj në botë, është pikërisht kjo pasuri që qëndron në rrënjët e shumë prej problemeve ekonomike të saj.

Të ardhurat nga nafta përllogariten sa 95 për qind i të hollave të siguruara nga eksportet në Venezuelë. Kjo nënkupton se, kur çmimet e naftës ishin më të larta, shumë parà përfundonin në arkat e qeverisë venezueliane.

Gjatë kohës së ish-presidentit socialist Hugo Chavez, në pushtet nga shkurti i 1999-s deri në vdekjen e tij në mars 2013, ai shfrytëzonte një pjesë të këtyre parave për të financuar programe sociale tejet bujare për të reduktuar pabarazinë dhe varfërinë.

Por, kur çmimi i naftës ra ndjeshëm në vitin 2014, qeveria u përball papritur me një “vrimë të madhe” në financat e saj, e për këtë arsye ka shkurtuar disa prej programeve më popullore të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat