Trump sulmon përsëri Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions

Amerika

Trump sulmon përsëri Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 21:25
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump të martën sulmoi përsëri Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions dhe agjentin e shkarkuar të FBI-së Peter Strzok, duke i fajësuar ata për hetimin mbi lidhjet e mundshme të Rusisë me fushatën e tij presidenciale të vitit 2016 që ka konsumuar presidencën e tij.

Në një postim në Twitter presidenti u shpreh se "Nëse do të kishim një Prokuror të Përgjithshëm të vërtetë, kjo gjueti shtrigash kurrë nuk do të kishte filluar. Po hetohen njerëzit e gabuar".

Sulmi i Presidentit Trump ndaj zyrtarit më të lartë të zbatimit të ligjit në vend erdhi disa ditë pasi ai e cilësoi Prokurorin Sessions si "të frikësuar dhe të ngurtë" dhe "të pa pranishëm në betejë".

Presidenti Trump për një kohë të gjatë e ka kritikuar zotin Sessions, por nuk e ka shkarkuar atë nga detyra për tërheqjen vullnetare nga mbikëqyrja e hetimeve të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller. Hetimet shtrihen mbi dy pista, bashkëpunimin e mundshëm të zyrës elektorale të kandidatit Trump me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 dhe mbi nëse zoti Trump ka penguar drejtësinë duke u përpjekur të shmangte fillimin e hetimeve.

Në bazë të rregullave të Departamentit të Drejtësisë, Sekretari Sessions ishte i detyruar të tërhiqej nga mbikqyrja e hetimeve për shkak të konfliktit të interesit. Zoti Sesssions vetë kishte patur kontakte me ish ambasadorin e atëhershëm të Rusisë në Uashington dhe ishte mbështetës i fortë i kandidaturës së zotit Trump për president.

Zoti Trump gjithashtu sulmoi ish agjentin e FBI-së Strzok, i cili ishte një nga zyrtarët kyç në ekipin hetues të prokurorit Mueller, derisa prokurori Mueller e largoi atë pas bërjes publike të disa teksteve nga celulari i tij, ku ai kritikonte ashpër zotin Trump.

FBI e shkarkoi atë javën e kaluar, megjithëse raporti i hetimeve të brendshme të Departamentit të Drejtësisë theksonte se nuk ka ndonjë provë se zoti Strzok dhe avokatja e FBI-së Lisa Page, gruaja me të cilën ai kishte shkëmbyer mesazhet personale, kishin kryer ndonjë veprim që

lidhej me detyrën e tyre, bazuar në pikëpamjet personale që kishin për zotin Trump.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat