SHBA mirëpret lirimin e liderit opozitar në Azerbajxhan

Amerika

SHBA mirëpret lirimin e liderit opozitar në Azerbajxhan

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 18:35
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert

Departamenti amerikan i Shtetit ka mirëpritur vendimin e një gjykate në Azerbajxhan për lirimin e politikanit opozitar, Ilaqar Mammadov, pasi qëndroi për pesë vjet në burg.

“Dënimi dhe burgosja për pesë vjet e Mammadovit ka rritur shqetësime serioze mbi sundimin e ligjit në Azerbajxhan”, tha zëdhënësja e DASH-it, Heather Nauert përmes një deklarate për media.

Mammadov, lider i partisë opozitare Alternativa Republikane, u lirua nga burgu më 13 gusht, pasi qëndroi në burg për pesë vjet. Ai ishte dënuar me shtatë vjet burgim.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Qeverisë në Azerbajxhan që të hedhë poshtë akuzat kundër Mammadovit, “në përputhje me obligimet e saj ndërkombëtare dhe në përputhje me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Gjithashtu DASH i bëri thirrje autoriteteve në Baku që të lirojë “të gjithë individët që gjenden në burgje për shkak se kanë ushtruar të drejtat e tyre fundamentale”.

Gjykata e Apelit në qytetin Saki, më 13 gusht mori vendim që koha e mbetur prej dy vjetësh e dënimit të Mammadovit duhet të suspendohet.

Gjykata po ashtu vendosi që Mammadov për dy vjet do të jetë i lirë me kusht dhe gjatë kësaj periudhe nuk do të mund të udhëtojë jashtë vendit.

Këtë vendim, Mammadov e quajti si një “fitore jo e plotë”, duke thënë se avokatët e tij, kishin kërkuar “një lirim të plotë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat