SHBA vendosin sanksione të reja për Korenë e Veriut

Amerika

SHBA vendosin sanksione të reja për Korenë e Veriut

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 08:00
Sanksionet e reja ngrijnë çdo pasuri që këto kompani mund të kenë në SHBA dhe nuk i lejojnë amerikanët të bëjnë biznes me to.

Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën sanksione ndaj disa kompanive në Kinë, Rusi dhe Singapor, për të cilat thanë se kishin shkelur embargon e tregtisë me Korenë e Veriut.

Kjo është përpjekja më e fundit e Uashingtonit për ta ruajtur presionin ndaj Phenianit, si kusht që t’i japë fund zhvillimit të armëve bërthamore

Departamenti amerikan i Thesarit akuzoi kompaninë kineze “Dalian Sun Moon Star International Logistics Trading Co.” dhe degën e saj në Singapore, SINSMS Ltd., për falsifikimin e dokumenteve për të lehtësuar transportin e palejueshëm të alkoholit dhe cigareve në Korenë e Veriut, që i kanë siguruar kompanive fitime neto prej më tepër se 1 miliardë dollarësh në vit.

Shtetet e Bashkuara po ashtu thanë se kompania Profinet Ltd. në Rusi ka shkelur sanksionet e Kombeve të Bashkuara, duke i siguruar shërbime në port anijeve me ngarkesa nafte, me flamuj koreanoveriorë, ndaj të cilave janë vendosur sanksione, në tre porte në lindje të Rusisë. Në listën e zezë është përfshirë edhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë.

Sanksionet e reja ngrijnë çdo pasuri që këto kompani mund të kenë në SHBA dhe nuk i lejojnë amerikanët të bëjnë biznes me to.

Kur i njoftoi sanksionet e reja, Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin tha:

"Departamenti i Thesarit do të vazhdojë me zbatimin e sanksioneve ekzistuese ndaj Koresë së Veriut dhe do të marrë masa për bllokimin e kompanive, porteve dhe mjeteve që lehtësojnë dërgesat e paligjshme dhe mundësojnë rrjedhjen e të ardhurave drejt Koresë së Veriut. Pasojat për shkeljen e këtyre sanksioneve do të mbeten në fuqi, deri sa të arrihet çnuklearizimi i plotë, përfundimtar dhe plotësisht i verifikueshëm i Koresë së Veriut.”

Udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un ra dakord në muajin qershor, në takimin e Singaporit me Presidentin amerikan Donald Trump, për çnuklearizimin e Gadishullit Korean, por nuk u dhanë hollësi për kohën dhe mënyrën se si do të zhvillohej ky proces.

Që nga ajo kohë, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut janë angazhuar në bisedime të mëtejshme për çështjen se si t’i jepet fund ambicieve bërthamore të Phenianit, por nuk janë arritur ndonjë marrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat