SHBA paralajmërojnë më shumë sanksione ndaj Turqisë

Amerika

SHBA paralajmërojnë më shumë sanksione ndaj Turqisë

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 21:13
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin

Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin thotë se Shtetet e Bashkuara janë gati të vendosin më shumë sanksione ndaj Turqisë, nëse pastori amerikan Andrew Brunson nuk lirohet nga arresti shtëpiak.

Zoti Mnuchin e bëri deklaratën të enjten, gjatë një takimi të presidentit me anëtarët kabinetit.

"Kemi vendosur sanksione ndaj disa prej anëtarëve të qeverisë turke. Do të vendosim edhe të tjera, nëse nuk e lirojnë shpejt", tha zoti Mnuchin, duke iu referuar pastorit amerikan.

Më parë këtë muaj, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Ministrit të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm të Turqisë, si përgjigje ndaj burgosjes së Andrew Brunson-it. Pastori jeton në Turqi prej 20 vitesh dhe kryesonte një kongregacion ungjillor prej rreth 20 personash në qytetin-port të Izmirit.

Turqia e akuzon atë për spiunazh dhe po e mban nën arrest shtëpiak, ndërsa ndaj tij po zhvillohet një proces gjyqësor.

Të mërkurën, Turqia njoftoi rritjen e tarifave ndaj një game mallrash amerikane, që përfshijnë importet e automjeteve, alkoolit, qymyrit, orizit dhe produkte kozmetike.

Në një postim në twitter, nënpresidenti turk Fuat Oktay shkruante se rritja e tarifave po bëhej "brenda kuadrit të parimit të reciprocitetit, si hakmarrje ndaj sulmeve ekonomike me ndërgjegje, nga ana e Shteteve të Bashkuara".

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan akuzoi SHBA-në se po zhvillojnë një luftë ekonomike ndaj vendit të tij dhe të martën propozoi bojkotimin e mallrave elektronike amerikane.

E pyetur se si administrata e Presidentit amerikan Donald Trump do të reagonte ndaj një bojkoti të tillë nga ana e Turqisë, sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders u përgjigj të martën se "nuk kishte informacion mbi këtë çështje”.

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Turqi Jeffrey Hovenier, vizitoi të martën zotin Brunson dhe bëri thirrje për zgjidhje "pa vonesë" dhe në "mënyrë të drejtë e transparente" të çështjes së tij, sikurse të atyre personave të ndaluar në Turqi.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Xhon Bolton u takua të hënën në Shtëpinë e Bardhë me ambasadorin turk Serdar Kiliç, por sipas njoftimeve, diskutimet nuk sollën ndonjë përparim thelbësor.

Presidenti Trump, i cili e ka quajtur arrestimin e pastorit Brunson një "turp të madh", i dyfishoi të premten e kaluar tarifat ndaj çelikut dhe aluminit që vjen nga Turqia, si masë për të rritur presionin ndaj Presidentit turk Erdogan.

Mosmarrëveshjet në rritje mes të dy vendeve e kanë përkeqësuar krizën ekonomike në Turqi, duke shkaktuar rënien në nivele rekord të monedhës turke, lirës. Këtë vit lira ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj, kundrejt dollarit amerikan.

Zoti Erdogan u ka bërë thirrje turqve të shkëmbejnë dollarët me lira, me qëllimin për të mbështetur monedhën vendase.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat