Plani Amerikan dhe të drejtat e grave

Amerika

Plani Amerikan dhe të drejtat e grave

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 19:40
SHBA

Procesi i konfirmimit të Gjykatësit Kavanaugh u dominua nga akuzat kundër tij për sulm seksual. Aktivistet për të drejtat e grave kanë shprehur shqetësim se këto akuza kanë larguar vëmendjen nga temat qendrore: filozofia juridike e zotit Kavanaugh dhe rrezikun që paraqet një Gjykata e Lartë me shumicë konservatore ndaj të drejtës së abortit. Shtetet e Bashkuara kanë njohur episode të errëta në historinë e tyre për sa u përket të drejtave të grave. Një kapitull pak i njohur i kësaj historie është Plani Amerikan, me të cilin na njeh kolegia Ardita Dunellari, e cila sjell një kronikë mbi betejën e grave amerikane për barazi dhe dinjitet:

 

Nuk është një fakt as i ri, as i pazakontë që burrat kanë përdorur forcën fizike dhe institucione për të kontrolluar, ngacmuar apo sulmuar seksualisht gratë thotë autorja dhe aktivistja për të drejtat e grave, Jennifer Baumgardner. Në thelb të procesit për konfirmimin e Gjykatësit Kavanaugh si anëtar i Gjykatës së Lartë është presioni nga grupe konservatore për të kufizuar të drejtën e gruas për abort, thotë aktivistja.

“Përfshirja e Gjykatësit Kavanaugh në Gjykatën e Lartë, e cila do të kishte në përbërje një shumicë konservatore do të kishte ndikim rrënjësor tek gruaja; do të merrte karakter anti-grua. Nëse konfirmohet kandidatura e tij, apo e dikujt tjetër si ai, ndikimi material dhe institucional do të ishte shumë më i madh se këto lëvizje, apo se skandali i radhës që po diskutohet këtë javë”.

Lëvizja #MeToo ekspozoi një numër rastesh të bujshme të abuzimeve seksuale që tronditën vendin dhe mbushën faqet e shtypit. Zonja Baumgardner thotë se këto raste nxorën në pah një kulturë maskiliste, që synon të mbajë nën kontroll gruan:

“Frika nga koncepti i lirisë së gruas është shumë thellë në vetëdijen e njerëzve është e rrënjosur në institucionet amerikane. Ka një numër ligjesh në ekzistencë; po ashtu shoqëria jonë është mjaft tolerante ndaj përpjekjeve për t’i mohuar gruas të drejtën për të vendosur për trupin dhe mbi liritë e saj”.

Historia amerikane sjell shembuj të shumtë të ballafaqimit të gruas me një kulturë shtypëse. Në rastet kur gratë ngrinin zërin, shqetësimet e tyre injoroheshin, ose ato vetë ndëshkoheshin.

Një libër i ri i titulluar “Gjyqet e Nina McCall-it” ka bërë bujë në Shtetet e Bashkuara pasi ekspozon një kapitull të errët, por pak të njohur të historisë amerikane. Autori Scott Stern rrëfen historinë e një vajze të re, e cila ishte burgosur dhe trajtuar me medikamente të dëmshme, pa një proces të rregullt gjyqësor në 1918. Ajo hodhi në gjyq qeverinë me akuzën se i ishin mohuar të drejtat kushtetuese bazë.

“Nina McCall u burgos për rreth tre muaj, thjesht sepse dyshohej se ishte infektuar me gonorrhea, e pastaj sifilis,” thotë zoti Stern.

Autori përllogarit se dhjetëra, ndoshta qindra mijëra gra, si Nina McCall u përndoqën, u manipuluan, u ndaluan dhe u mjekuan me forcë në gjysmën e parë të shekullit të 20-të”.

Ishte kulmi i Luftës I Botërore dhe qeveria federale po mobilizonte mijëra të rinj për betejë. Në qyteza në të gjithë vendin, u ngritën baza stërvitore që shiheshin nga komunitetet si magnete për vese e sëmundje. Autoritetet krijuan Planin Amerikan si kundërpërgjigje ndaj veseve.

“Një nga mënyrat që gjetën ishte të mbyllnin gratë në institucione shtetërore, në rastet kur dyshoheshin për prostitucion ose për imoralitet”.

Libri i autorit Scott Stern jep hollësi të një politike që i dha autoritetin forcave të rendit të përndiqnin, të etiketonin, akuzonin e të detyronin gratë t’u nënshtroheshin mjekimeve me substanca toksike, në një kohë kur nuk ekzistonin mjekime efektive për sëmundje si gonarrea apo sifilisi. E gjithë kjo realizohej pa prova, pa urdhër gjykate, thjesht nën dyshimet se ishin infektuar me sëmundje seksuale.

Nina McCall ishte një ndër të paktat që ngritën zërin. Fakti që ishin burgosur nën akuzat se ishin të infektuara me sëmundje seksuale shoqërohej me një stigmë të rëndë për këto vajza.

“Shumë gra që u ndaluan u ndeshën me pasoja të rënda kur u bë i ditur fakti përse ishin burgosur. Për këtë arsye gratë nuk flisnin për Planin Amerikan, nuk bënin fushatë kundër tij, nuk ngrinin padi. Gratë nuk donin t’i tregonin njeriu se të gjithë do t’u kthenin shpinën; do të dëboheshin nga banesa, do të braktiseshin nga familja; do të humbnin punën. Pra këto gra që ishin në dieni të Planin Amerikan nuk mund të flisnin për të sepse do të vuanin pasoja të rënda”.

Për dekada ekzistenca e Planit Amerikan nuk diskutohej dhe nuk sfidohej ligjërisht. Për dekada jetët e dhjetëra mijëra vajzave e grave u përmbysën, shumë prej tyre vuajtën pasoja të rënda shëndetësore, pa ndonjë përfitim të dukshëm në kontrollin e sëmundjeve.

“Plani Amerikan, ky sistem që mbyllte gratë pas hekurave është krejt i pakuptimtë nga pikëpamja e mirëqenies së komunitetit. Jo vetëm gratë, por edhe burrat përhapin infeksione. Pra nuk ka kuptim të izolosh vetëm gratë, jo burrat. Ishte një program tepër diskriminues ndaj grave”.

Por nuk ishte thjesht diskriminimi gjinor. Plani reflektonte edhe racizmin dhe paragjykimin klasor. Ato që u ndaluan ishin kryesisht gra me ngjyrë, dhe ishin thuajse të gjitha nga shtresa të varfra:

“Megjithëse gjithë ato që u ndaluan nga plani ishin gra, jo të gjitha gratë trajtoheshin njëlloj. Një numër shumë i vogël grash të arsimuara dhe një numër relativisht i vogël grash të bardha u burgosën. Praktikisht nuk pati asnjë nga shtresat e larta. Në zbatim këto ligje reflektonin një numër paragjykimesh të shoqërisë amerikane”.

Aktivistja Baumgardner thotë se raca dhe statusi në shoqëri vazhdojnë të luajnë rol në qëndrimin ndaj grave. Ajo sjell si shembull mënyrën si u trajtua Christine Blasey Ford kur ngriti akuza ndaj Gjykatësit Kavanaugh:

“Prej saj nuk kërkohet të dëshmojë se është grua e respektueshme siç do t’i kërkohej një gruaja të një race tjetër. Kjo rrjedh nga racizmi në Shtetet e Bashkuara. Pra njerëzit janë më të prirur të mendojnë se ajo nuk ka arsye të gënjejë; po ashtu askush nuk po e akuzon si ‘e çmendur dhe e përdalë’ siç thane për Anita Hill [lexo: Anita Hill, një grua zezake, akuzoi kandidatin për Gjykatën e Lartë, Clarence Thomas për ngacmim seksual],” thotë zonja Baumgardner.

Shoqëria amerikane ka shënuar përparim të dukshëm në një shekull. Afro dy vjet pas burgosjes së Nina McCallit, gratë amerikane fituan të drejtën e votës. Lëvizja #MeToo, e cila sapo mbushi një vit, e ka sjellë në qendër të vëmendjes problemin e ngacmimeve dhe sulmeve seksuale. Opinioni publik është shumë më i hapur të besojë akuzat e ngritura nga gratë. Ndërkohë, një numër rekord grash konkurrojnë për poste në qeverinë federale e shtetërore në zgjedhjet e nëntorit duke kërkuar një vend në strukturat më të larta të vendimarrjes. Akuzat ndaj Gjykatës Kavanaugh do të jenë një ndër faktorët që do të diktojnë votën e shumë amerikanëve më 6 nëntor./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat