Lirimi i pastorit Brunson dhe takimi i tij me Presidentin Trump

Amerika

Lirimi i pastorit Brunson dhe takimi i tij me Presidentin Trump

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 18:23
Pastori Brunson me presidentin Trump

Pastori amerikan Andrew Brunson, i liruar nga Turqia pas kalimit të dy viteve në burg, arriti dje në Shtetet e Bashkuara. Ai e falenderoi Presidentin Trump për përpjekjet për lirimin e tij, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë.

Pastori amerikan Andrew Brunsom u lut për Presidentin Donald Trump dje gjatë takimit në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Andrew Brunson, një i krishterë ungjëllor, shprehu gjithashtu vlerësimin e tij për presionin e fortë të qeverisë amerikane mbi Turqinë për të siguruar lirimin e tij.

"Ne veçanërisht duam të falënderojmë administratën," tha zoti Brunson në praninë e familjes së tij. "Ju me të vërtetë luftuat për ne," shtoi ai.

"Nga një burg turk në Shtëpinë e Bardhë për 24 orë. Jo dhe aq keq," tha Presidenti Trump.

Zoti Trump gjithashtu falenderoi Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për lirimin e pastorit Brunson, duke thënë se nuk ishte paguar asnjë shpërblim për këtë veprim.

I pyetur nga Zëri i Amerikës të premten mbi procesin e lirimit të pastorit Brunson, Trump tha në aeroportin e Cincinnatit se ne "biseduam me Turqinë dhe ai u lirua përmes sistemit të drejtësisë. Ne kemi bërë përpjekje për një kohë të gjatë për lirimin e tij."

Lirimi i pastorit Brunson shënon fundin e një mosmarrëveshjeje të ashpër diplomatike mes Uashingtonit dhe Ankarasë. Zoti Brunson mund të përballej me 35 vjet burg nëse do të shpallej fajtor për akuzat për terrorizëm dhe spiunazh, që Uashingtoni i ka quajtur të pabaza.

Presidenti Trump tha në Zyrën Ovale se zgjidhja e kësaj çështjeje shënon një "hap të madh" në marrëdhëniet SHBA-Turqi.

Presidenti Recep Tajip Erdogan tha dje në një postim në Twitter se gjyqësori turk kishte marrë një vendim të pavarur dhe se shpreson se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë.

Gjatë ditës së katërt të seancave të premten, tre dëshmitarë të prokurorisë tërhoqën dëshmitë e tyre të mëparshme. Njëri tha se nuk e dinte se kush ishte pastori Brunson, ndërsa të tjerët pretenduan se gjykata kishte keqkuptuar deklaratat e tyre të mëparshme.

Gjykata turke pastaj e shpalli pastorin Brunson fajtor, por e dënoi atë me vetëm tre vjet dhe një muaj burg. Pastori tashmë kishte kaluar dy vjet në paraburgim dhe u lirua për kohën e kryer.

Prindërit e zotit Brunson thanë se ishte një "befasi e këndshme" kur mësuan se djali i tyre ishte liruar nga Turqia. "U gëzuam gjumë kur mësuam se ai ishte liruar", tha nëna e pastorit për shërbimin turk të Zërit të Amerikës në shtëpinë e saj në Black Mount të Karolinës së Veriut./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat