Ish-pjatalarësi shqiptar që deshi të shpëtonte lokalin e famshëm “Carnegie Deli”, në New York

Amerika

Ish-pjatalarësi shqiptar që deshi të shpëtonte lokalin e famshëm “Carnegie Deli”, në New York

Më: 31 dhjetor 2016 Në ora: 16:30
Carnegie Deli

Në New York, restorantet shkojnë e vijnë, mirëpo një lokal dukej sikur do të jetonte përgjithmonë. I hapur në 1937, Carnegie Deli u kthye shpejt në një ikonë të qytetit. Kryesisht me kuzhinë hebraike, lokali ofronte sanduiçe e ëmbëlsira të famshme dhe ka pasur mes klientëve të rregullt disa nga figurat më të mëdha të artit dhe kulturës së qytetit.
Viktimë e famës së vet, në dekadat e fundit, më shumë se njujorkezë vizitohej nga turistë kuriozë.

Fundi ishte gati i paralajmëruar. I thyer nga rënia e financave, nga gjobat, humbja e një gjyqi me punëtorët dhe divorci i pronarëve, biznesi ishte nisur në rrugën pa kthim. Në tetor, pronarja deklaroi se do ta mbyllte në fund të vitit.

Image

Lajmi i mbylljes mërziti shumë vetë përfshi edhe ata që nuk e kanë frekuentuar prej vitesh, por ruanin kujtime të fëminisë e rinisë aty.
Një njeri u përpoq në veçanti që ta shpëtonte. Emigranti shqiptar Sammy Musovic, i cili, kur mbërriti për herë të parë në SHBA, 40 vjet më parë, ka punuar aty si pjatalarës. Sot, është pronar restorantesh të njohura në Manhattan.

Bashkë me djemtë, ai thirri një konferencë shtypi përpara Carnegie Delit në tetor dhe tha se do ta shpëtonte lokalin.
“Të mbyllet ky lokal është si t’i heqësh Nju Jorkut Ndërtesën e Shtetit të Perandorisë (Empire State Building) apo Statujën e Lirisë”, deklaroi ai.
Sammy Musovic nuk ishte i vetmi që u përpoq ta blinte këtë biznes që të mos mbyllej.

Image

Gazetat njujorkeze shkrujtën në atë kohë se Musovic e njeh dhe kandidatin për President, Donald Trump.
Ai kishte organizuar këtë vit një takim fondembledhës për Melania Trump të cilën e kishte përshkruar si një grua të bukur që donte ta shihte në Shtëpinë e Bardhë. Ai u tha gazetave se vendlindja e saj ishte në Jugosllavi, ndërsa e tija ishte jo larg kufirit të Malit të Zi.
“Prej saj e mbështes edhe Donald Trump”, kishte sqaruar ai.

Dëshira e tij për Shtëpinë e Bardhë u plotësua, kjo për Carnegie Deli, jo. Sot ishte dita e fundit, për lokalin e famshëm.
Kamerat ishin përsëri të gjitha nga Sammy Musovic. Me një çek tani prej 10 milionë dollarësh në dorë, ai tha para gazetarëve se ishte gati t’ia paguante pronares Marian Harper-Levine. Mirëpo, si sqaroi menaxheri i fundit kësaj ikone të qytetit, familja vendosi që historia të mbyllet me ta.

Pronarja ka thënë se Sammy Musovic ka folur më shumë me median se sa me përfaqsuesit e saj, si dhe se nuk ka treguar ndonjë siguri se ka para që ta mbështesë çekun që e shpalos përpara kamerave. Ajo tha gjithashtu se nuk ka gjetur në arkivat e dokumenteve të saj ndonjë gjurmë se shqiptari ka qenë vërtet i punësuar aty si tregon.

Sammy Musovic u ka thënë gazetarëve se është pronar i lokaleve të njohura Sojourn, Vero dhe Selena Rosa, si dhe që nëse do t’ia linin atij në dorë do ta mbante hapur Carnegie Delin edhe 100 vjet të tjera. (Ruben Avxhiu)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat