Në Detroit, u shënua 9 vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Amerika

Në Detroit, u shënua 9 vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Beqir Sina Nga Beqir Sina Më 14 shkurt 2017 Në ora: 17:54
Pamje nga manifestimi per nder te 9 vjetorit te Pavaresise se Kosoves

Me motivin e valles “Sonte ka festë Kosova", është shënuar 9 - Vjetori i Pavarësisë së Kosovës, organizuar  nga Shoqata Atdhetare “ Kosova” në Detroit - Michigan. Festën e pavarësisë së Kosovës, e ka hapur Grupi i Shkollës së Kërcimit pranë Kishës Katolike Shqiptare të Shën Palit në qytetin Rochester Hills.

Ndërkohë, që Flamurtarët  me flamurin amerikan z. Luigj Shterbyci dhe me flamurin shqiptar patrioti i dalluar z. Vasel Ujkaj dhe me flamurin e Kosovës z. Pashk Daka, defiluan para duartrokitjve të pranishmeve nën zërin e bukur të këngëtares së mirënjohur Albina Nrejaj dhe në keyboard Beku Gjelaj.

Udhëheqësit e këtij manifestimi Petrit Musolli dhe Elizebate Markaj,  duke iu uruar mirëseardhjen në 9 -të  vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të organizuar nga Shoqata “ Kosova” në Michigan, kanë falenderuar për prezencën e tyre: Presidentin e Shoqatës Kosova, Zotin Mikel Demaj si dhe  kryesinë e anëtarësinë e gjerë të Shoqatës Kosova,  që i nderuan dhe respektuan ata për të drejtuar programin e këtij manifestimi solemn. 

“Është, një nder i veçant për mua dhe bashkprezantuesen Zonjushen Elizabetta Markaj - Studente e shkelqyeshme e vitit të dytë të  para-Avokatisë apo Pre- law student në Michigan State, të drejtojmë këtë manifestim solemn me rastin e 9 -të  Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të organizuar nga Shoqata “ Kosova” në Michigan”, thanë në hapje të manifestimit Mucolli e Markaj.

Duke shtuar se: ”Pas shumë lotësh, burgosje, izolime, përsekutime, vrasje, dhunime dhe likuidime, pikërisht në 17 Shkurt te vitit 2008, Kosova erdhi ne stacionin e fundit të saj, ku deputetët e Parlamentit te Kosovës, shpallen Kosovën Shtet te Pavarur dhe Sovran.

Gjithashtu, kujtojmë pjesëmarrjen tonë në suksesin e një Shteti te ri që tani e kanë njohur 113 shtete që përfshijnë 2/3 e ekonomisë botërore.

Kujtojmë, te gjithë ata që luftuan dhe dhanë jetën për liri dhe pavarësi jo vetëm për kohën e tyre , por  për lirinë që gëzojmë ne sot dhe gjeneratat që do vijnë".
Ata thanë se “ 28 Nëntori i vitit 1912  dhe 17 Shkurti i vitit 2008 për ne kanë qenë dhe do mbetën symbol i bashkimit, unitetit, sakrificës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.  Padyshim këto janë datat dhe ditët më fatlume të Kombit tonë".

Pas këndimit të Himnit Amerikan dhe atë  Shqiptar, të kënduar nga soprano Ermelinda Paparisto, drejtuesit luten për nderim dhe respekt me një minutë heshtje, të nderojnë dhe kujtojnë të gjithë ata që u flijuan dhe u martirizuan për Lirinë dhe Pavarësinë e kombit tonë.

Dhe, ftuan në tryezën e nderit:

Famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “ Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në qytetin Southfield i Përndershmi Don Ndue Gjergji, Senator of Great State of Michigan, Senator David Knezek, Famullitari i Kishës Katolike Shqiptare të Shën Palit në qytetin Rochester Hills i Përndershmi Don Alfred Kalaj, ish kandidaten për kongresiste ngapartia Demokrate - znj.Suzanna Shkreli.

 Mysafirin special dhe folësin e rastit, anëtar i kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare “ VATRA” nga New Yorku z. Marjan Cubi, kryetar i Këshillit të Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, Nju Jork, dhe Presidentin e Shoqatës “Malësia e Madhe” Michigan Attorney at law Mr. Tony Vulaj, nën presidenti i Federatës Pan Shqiptare “VATRA” në Michigan, z. Mondi Rakaj.

Dhe, nikoqirin e kësaj mbrëmje: Ish deputetin e Parlamentit të Kosovës,  profesor i shkencave matematiko-natyrore, Presidenti i Shoqatës “ Kosova” në Michigan Prof. Mikel Demaj.

Famullitari i Kishës Katolike “Zoja Pajtore” i përndershmin Don Ndue Gjergji , me rastin  9 vjetorit të Pavarësis? Kosovës, bëri një urim si dhe përshëndeti manifestimin.

Më pas grupi i fëmijve të shkollës së kërcimit pranë Kishës Katolike Shqiptare të Shën Palit me koreografi nga koreografja profesioniste Joli Paparisto, në mes duartrokitjeve dolën në sken me një valle me motive Kosovare.

Në vazhdim famullitari i Kishës katolike shqiptare të Shën Palit I përndershmi Don Alfred Kalaj-  u ftua për të bërë bekimin e darkës.
Në vazhdim të programit u dha një monolog të titulluar “Me fat lirinë” të shkruar nga aktivisti i dalluar z. Nikollë Gojçaj, i cili vjen nga një familje e mirënjohur nacionaliste dhe patriotike, thanë ata.

Drejtuesit, e këtij manifestimi, Mucolli dhe Markaj,  duke prezantuar zotin Marjan Cubi, thanë se ky është  edhe momenti, sipas tyre më kulminant të programit, mbasi zoti Marjan Cubi, do të nderohet me "Titullin e Mirënjohjes" , nga Shoqata Kosova.

Më lejoni që në pika të shkurta të prezantoj para jush mysafirin special dhe folësin e rastit z. Marjan Cubi, tha Mucolli, duke lexuar një material biografik të zotit Cubi.

Ai tha se :“Marjan Cubi, u lind në drenoc të Klinës, më 1948. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje ku moshën e hershme të rinisë e kaloi  në kushte të vështira ekonomike për shkak se më 1945 pushteti jugosllav i mori familjes gjithë pasurinë.

Në moshën 16 vjeç u regjistrua në Shkollën Industriale në Arangjellovac, të cilën e kreu pas tri vjetësh. Më pas vazhdoi Shkollën e Lartë Teknologjike për jometale.

Pasi kreu shërbimin ushtarak, më 1972 shkoi në Libi ku punoi në një kompani për dekorimin e mermerit dhe qeramikës. Në Shtete e Bashkuara të Amerikës emigroi më 1974 ku u martua me zonjushën Dila Gjuraj, është baba i tre fëmijve; Ilirit, Afroditës dhe Terezës.

Që në ditët e para në mërgim ai u aktivizua në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të mirë” ( Sot “Zoja e Shkodrës”) në New York dhe më pas në Federatën Pan Shqiptare “VATRA” ku vazhdon veprimtarinë edhe sot.

Pas themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në New York më 1990, Marjani angazhohet në të për të dhënë kontributin e vet për lirinë e Kosovës. Në fillim u zgjodh anëtar i Kryesisë, ndërsa më vonë, për gjashtë vite me radhë, nënkryetar i saj. Në prill të vitit 1998 kur Kosova po kalonte çaste më dramatike zgjidhet kryetar i degës së LDK-së. Këtë detyrë e ushtron deri në prill të vitit 2002.

Pas pranimit të pavarësisë së Kosovës, në New York me rrethe u themelua një këshill prej tre besimeve për grumbullimin e fondeve për ndërtimin e Katedralës “Nënë Tereza në Prishtinë”, ku do jetë kryetar këtij këshilli për tetë vjet me sukses duke grumbulluar mëse një million tetqind mijë dollar.

Është, kryetar i Qëndrës Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në New York.

Ka botuar një libër me titull “Në emër të lirisë e të pavarësisë”dhe një libër i shkruar nga shkrimtari kosovar z. Mikel Gojani me titull “Marjan Cubi - “Njeri Urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës”.

Mucolli, tha se figura e veprimtarit Marjan Cubi është shumë dimensionale ashtu siç është edhe vet veprimtaria e tij. Ai ja kushtoj një jetë të tërë vëndlindjes dhe popullit të tij,duke qënë larg dhe pranë atdheut.

“Andaj, të nderuar Zonja dhe Zotrinjë, iu drejtua pjesmarresve Mucolli,  tani ftoj mysafirin special dhe folësin e rastit anëtar i kryesisë së Federatës Pan Shqiptare  “VATRA” nga New Yorku Z. Marjan Cubi, të marr Mirënjohjen dhe të përshëndes manifestimin”.

Më pas ata ftuan në skenë presidentin e Shoqatës “ Kosova” në Michigan professor Mikel Demaj për të bërë një falenderim dhe përshëndetje rasti këtij manifestimi solemn  duke shënuar Pavaresin e Kosoves ne Dteroit Michigan.

Në fund përshëndeti edhe nënpresidenti i Federatës Pan Shqiptare “VATRA” në Michigan zotin Mondi Rakaj.

Shënimi i 9 -të Vjetorit të pavarësisë së Kosovë, nga Shoqata Atdhetare “ Kosova” , në Detroit - Michigan, u mbyll me një program të pasur me këngë e valle nga Grupi i fëmijve të shkollës së kërcimit pranë Kishës Katolike Shqiptare të Shën Palit me koreografi nga koreografja profesioniste Joli Paparisto.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat