Profesori nga Kosova përballet me ngacmim racist në Amerikë

Amerika

Profesori nga Kosova përballet me ngacmim racist në Amerikë

Më: 2 mars 2017 Në ora: 21:29
Profesori Rajan Juniku, ligjërues në Departamentin e Kimisë në Universitetin “North Carolina” në Wilmington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Profesori Rajan Juniku, ligjërues në Departamentin e Kimisë në Universitetin “North Carolina” në Wilmington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte qenë ulur në kampusin e universitetit, kur drejt tij ishte nisur një oficer policie.

Arsyeja nuk ishte aspak e denjë për një nëpunës të sigurisë në një prej universiteteve më të njohura në Amerikë, e aq më pak drejtuar një profesori.

Juniku që ka lindur në Kosovë por që jeton në Amerikë ku edhe punon si ligjërues i kimisë, është përballur me fyerje raciste dhe ngacmime etnike nga nëpunësi i sigurisë në këtë Universitet.

Veshja e Junikut kishte mjaftuar që një banor i kampusit të telefononte “Departamentin e Policisë së Kampusit” duke shprehur dyshime mbi profesorin, si një sulmues i mundshëm.

Lajmin për incidentin e ka bërë publik vet Universiteti i “North Carolina” sipas të cilëve, përpos fyerjeve dhe ngacmimeve raciste, profesori nuk është sulmuar as ngacmuar fizikisht.

“Një oficer u dërgua tek  vendi ku po qëndronte profesori që më pas u identifikua si profesor në Universitet. Më pas atij i është kërkuar që të heq mantelin e tij që të sigurohet nëse ai kishte armë apo jo”, thuhet në komunikatën e Universitetit, raporton Insajderi.

Sipas kësaj komunikate, incidenti nuk ka zgjatur më shumë se disa minuta.

“Oficeri ka insistuar që profesori të tregojnë etninë e tij dhe të argumentojë se nuk është i rrezikshëm. Por nuk ka pasur asnjë konflikt fizik”, thuhet në komunikatën e Universitetit.

Për këtë rast ka reaguar edhe bashkëshortja e profesorit, Alicia Juniku. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Alicia ka shkruar me zemërim mbi incidentin që ka ndodhur me bashkëshortin e saj.

“Ai ka qenë i sëmurë në dy ditët e fundit dhe ishte duke u ngrohur në diell, teksa fakti që ka pasur një xhaketë, xhins dhe triko të veshura, për dikë në Universitet ai është dukur më shumë si një terrorist sesa si profesor, edhe pse ai ishte duke qëndruar në kampus”, ka shkruar Alicia Juniku.

Vet Universiteti, ka publikuar telefonatën që çoi në ndalimin e profesorit Juniku.

“A mund të më tregoni nëse ai është i zi, i bardhë apo hispanik”, dëgjohet teksa oficeri e pyet telefonuesin.

“Më shumë duket si një indian”, i përgjigjet telefonuesi.

“A mund të themi se është nga Lindja e Mesme”, pyet oficeri teksa merr pohimin nga telefonuesi.

Përpos Universitetit që ka kërkuar falje ndaj profesorit, ashpër ka reaguar edhe kolegu i Junikut, profesori i shkencave politike në këtë Universitet, Stephen Meinhold.

“Kjo është tmerruese për institucionin tonë”, ka shkruar ai.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat