Diaspora shqiptare në SHBA mbështet platformën shqiptare

Amerika

Diaspora shqiptare në SHBA mbështet platformën shqiptare

Më: 12 mars 2017 Në ora: 09:17
SHBA

Komuniteti shqiptaro-amerikan në Çikago ka ofruar mbështetjen për platformën shqiptare, duke ftuar Shqipërinë dhe Kosovën të kontribojnë në zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Maqedoni.

“Presidenca e komunitetit shqiptaro-amerikan vendosi njëzëri për të mbështetur deklaratën e përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, e njohur si platforma shqiptare. Ne mirëpresim unifikimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe angazhimin kushtetues të dy shteteve shqiptare në Ballkan, në këtë moment të vërtetë dhe delikat për të dhënë një kontribut të rëndësishëm historik në zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni “, thuhet në deklaratë.

Komuniteti shqiptaro-amerikan jo vetëm mbështet platformën shqiptare por edhe insiston në zbatimin e plotë të pikave të platformës.

“Ne shpresojmë se platforma do të bashkojë faktorin politik shqiptar për zbatimin e plotë dhe për të parandaluar më tej defaktorizimin e shqiptarëve dhe vendin e tyre në Maqedoni,” thuhet më tej në deklaratë.

Komuniteti shqiptar në Çikago thotë se prej një kohe të gjatë kanë marrëdhënie të shkëlqyera me administratën amerikane, që kanë mbështetur politikisht dhe financiarisht luftën në Kosovë dhe atë në Maqedoni në vitin 2001.

Prandaj, komuniteti shqiptar në SHBA deklaron se do të aktivizojë të gjithë mekanizmat e tij që të ofrojnë mbështetje për kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë me kujdes zhvillimet në Maqedoni dhe në rajon, në varësi të rrethanave do të marrim vendime në të ardhmen. Ne ftojmë shqiptarët në Maqedoni të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të ulëta, të qëndrojnë vigjilentë ” përfundon deklarata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat