Kryesia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit Musli Mulosmani

Amerika

Kryesia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit Musli Mulosmani

Nga: Tome Mrija Më: 4 maj 2017 Në ora: 00:02
Musli Mulosmani

Kryesia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me qendër në New York, me dhimbje të thellë mësoi se me datën 2 maj 2017, ndërroi jetë një nga eksponentët më të shquar të diasporës sonë në SHBA, atdhetari i flaktë i çështjes kombëtare  Musli Çela Mulosmani, pasardhës i figurave më të njohur të Malësisë së Gjakovës, si: Binak Alisë, Mic Sokolit, Shaban Binaku, Ali Binaku, Qerim Binaku, Zeqir Halili e të tjerë, që brez pas brezi luftuan për Shqipërinë etnike.

Binak Alia, ishte personalitet që nderoi Trojet Etnike Shqiptare. Ai spikati në krye të gjithë kuvendeve për pajtimin e gjaqeve në mes të shqiptarëve para se të fillonin kryengritjet e mëdha kundër Portës së Lartë si dhe ishte pjesëmarrës aktiv në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878.

Që nga dita e themelimit të Lidhjes së Prizrenit në vitn 1962, bashkëatdhetari ynë Musli Mulosmani, ishte pjesëmarrës dhe përkrahës i zjarrtë në të gjitha aktivitetet dhe protestat me profil atdhetarë, për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe lirinë e Kosovës nga kthetrat e pushtuesve shekullorë serbo-malazezë. 

Për fat të mire, ëndrra e aktivistit të çështjes kombetare Musli Mulosmanaj u bë realitet, ku në Shqipëri në vitin 1990 u rrëzua komunizmi dhe Kosova fitoi Pavarësinë. Kjo ishte edhe merita e madhe e Musli Mulosmanaj dhe shumë të tjerëve, që për dekada me radhë nuk kursyen asgjë për të mbrojtur interesat kombëtare. Për këto merita atdhetare, ai është vlerësuar më tituj nderi dhe respekti nga Republika e Shqipërisë dhe Kosova.  

Kryesia e Lidhjes gjithnjë do t’i kujtoj me respekt të madh, vizitat e shpeshta dhe takimet e ngrohta të zhvilluar me aktivistin e palodhur të çështjes kombëtare Musli Mulosmani, traditë familjare, të cilën ai e trashëgoi dhe e vazhdoi në emigracionin e lartë, si një shembull pozitiv për brezin e ri sot.

Për Lidhjen e Prizrenit, ndarja nga jeta e mikut dhe aktivistit të palodhur Musli Mulosmani, është një humbje e madhe për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikanë, ku ai punoi dhe veproi për shumë vite me nder dhe besnikëri tipike shqiptare, sikurse ka qenë traditë e hershme e familjes së tij.

Kryesia e Lidhjes së Prizrenit, përcjellë sot ngushëllimet më të sinçerta familjes dhe farefisit, miqëve, shokëve dhe dashamirëve të tij. 

I lehtë i qoftë dheu!

Ismet Berisha

Kryetari i Lidhjes së Prizrenit

Tomë Mrijaj

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat