Netë të paharruara në Detroit

Amerika

Netë të paharruara në Detroit

Ilir Buçpapaj Nga Ilir Buçpapaj Më 22 qershor 2017 Në ora: 17:26
Aktiviteti ne Detroit

Miçigani i hapësirave dhe pasurive të mëdha më shumë se një shekull është vatër dhe strehë e ngrohtë edhe për shqiptarët. Aktualisht në të banojnë mbi 150 mijë shqiptarë.

Me punën dhe djersën e ndershme, nga viti në vit, nga dekada në dekadë, në Detroit, kanë ecur përpara duke treguar cilësitë dhe virtytet  më të mira njerëzore.

Shqipëria dhe çështja shqiptare ka qenë dhe mbetet në qendër të vëmendjes.

Bashkatdhetarët tanë kanë krijuar një sërë shoqatash dhe qendrash fetare si kisha e ShenPalit, Zoja Pajtore, xhamia dhe teqja, të cilat janë kthyer në qendra pelegrinazhi dhe atdhetarie për shqiptarët. Për çështje pune me ka takuar të vizitoi shumë herë këtë shtet ku kam gjetur kurdoherë ngrohtësinë e bashkëkombësve. Një mbresë të pashlyeshme më ka lënë edhe këtë fund maji dhe fillim qershori . Natyra ishte e harlisur dhe gjithçka të mrekullonte. Tashmë gjithshka më dukej më e gjallë dhe më e bukur.

Së bashku me gazetarin dhe hartuesin e qindra këngëve, Ramazan Çeka, pas një udhëtimi të gjatë Tiranë-Vjenë- Uashington-Detroit, arritëm në Miçigan. Atë pasdite të 27 qershorit kishte dalë për të na pritur Ndue Ftoni, nga Shoshi i Dukagjinit. Më bëri përshtypje që në fillim aftësia e komunikimit sikur të na kishte njohur prej shumë kohësh. Ditët e qëndrimit në Miçigan për ne ishin shumë të ngjeshura.

E diel, 28 maj, shoqatat shqiptare në bashkëpunim me kishën katolike të Shën Palit, kishin organizuar një spartakiadë me ndeshje futbolli, volejbolli, basketbolli, gara atletike, lojëra popullore shqiptare. Pranë korieve të shumta ishin familjarë të shumtë. Flamujt shqiptarë dhe parulla në gjuhën shqipe ishin të shumta. Kudo dëgjohej vetëm shqip. Realizuam shumë intervista me bashkatdhetarë nga Shkodra, Korça, Gjirokastra, Malësia e Madhe. Të gjithë shprehnin dashurinë për tokën mëmë, Shqipërinë. Na tërhoqi vëmendjen numri i madh i të rinjve dhe të rejave , dëshmi e lidhjes me tokën e të parëve të tyre. Në Miçigan u takuam me shumë veprimtarë, drejtues të shoqatave, gazetarë, biznesmenë, etj.

Me Luigj Gjokën isha takuar edhe më përpara si në Miçigan, Tiranë, Has, gjatë pranverës së vitit 1999 kur zhvilloheshin luftimet nga bijtë e  Kosovës për çlirimin nga zgjedha e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit. Luigji i kujton ato ditë të stuhishme: “ Aktivistët e “Vendlindja na thërret”, në atë periudhë punuan shumë për mbledhjen e burimeve financiare për të ardhur në ndihmë familjeve në nevojë në Kosovë e në veçanti në blerjen e armatimit për luftëtarët e UÇK-së.

Në qytetin e Miçiganit u mblodhën mbi një milion e gjysmë dollarë. Kjo na kujton vitet e periudhës së pavarësisë dhe të Luftës së Parë Botërore kur me qindra shqiptarë nga Amerika u kthyen në Shqipëri për mbrojtjen e trojeve Arbënore. Një gjë të tillë bënë edhe në vitin 1999, kur u regjistruan 40 mijë vullnetarë për të luftuar për Kosovën. Drejt Shqipërisë erdhi batalioni “Atllantiku”, që u bë shembull frymëzimi për mbarë radhët e UÇK-së.

Bashkëkombësit tanë me punën dhe djersën e tyre kanë shënuar suksese edhe në fushën e biznesit. Kujtojmë veprimtarin e shquar Ekrem Bardha që është aktiv edhe sot.

Në Detroit takuam edhe biznesmenin e suksesshëm Pal Shkreli, që ka 40 vjet në Amerikë. Ecuria e punës së tij në biznes ka ardhur duke u rritur nga viti në vit. Ky burrë fjalëpakë por është shumë punëtorë dhe ka qënë vazhdimisht në krah të biznesmenëve të rinj duke i këshilluar dhe hyrë garant për ta me dhjetëra mijë dollarë. A nuk është ky një veprim sa njerëzorë aq edhe atdhetarë?

“Kur ndihmon një bashkatdhetarë detyrën ke bërë”, shprehet me modesti Pal Shkreli.

Në Miçigan funksionojnë edhe dy televizione ACTV dhe ALBTV USA, të cilët ndiqen nga shikues të shumtë, jo vetëm në këtë shtet por edhe në mbarë Amerikën. Ishim në mjediset ACTV me pronar patriotin Ndue Ftoi. Të gjithë ishin në lëvizje dhe të përqendruar në realizimin e emisioneve. Drejtori i këtij televizioni ishte veprimtar i shquar Eduart Aliko, i cili na tha: ”Televizioni ynë ndiqet në mbarë SHBA dhe kemi një shikueshmëri të konsiderueshme. Tematika është e gjërë e që lidhet me komunitetin shqiptar. Stafi i TV  ACTV-së është , duke filluar nga kameramanët Paulin Palushi, Ndue Hila dhe gazetarët Gjovalin Kaçorri, Zef Përgega, Rush Dragu, etj, punojmë si një ekip kompakt dhe kemi mbështetjen e pronarit Ndue Ftoni.

Më bëri përshtypje numri i madh i shkrimtarëve dhe poetëve që zhvillonin veprimtarinë e tyre me numër të madh vëllimesh si në poezi, tregime, publicistikë, monografi, etj., si Zef Përgegaj që kishte botuar 25 tituj librash në gjini të ndryshme, Rush Dragu, etj.

Rush Dragu krahas botimit të një numri të madh librash duke filluar nga libri për Kelmendin, vendlindjen e tij, ka shkruar edhe një serë librash me karakter historik dhe publicistik. I papërtuar për realizimin e emisionit të TV në të gjitha gjinitë si reportazhet, analizat politike dhe shoqërore, bisedave me personalitete dhe figura të njohura të mërgatës tonë në Amerikë, është edhe një veprimtar i shquar dhe i zellshëm, i aktiviteteve që bëhen në Miçigan. Një lidhje të brendshme dhe një zell të veçantë ka për vendlindjen e tij Lepushën, nën hijen e Malit të Trojanit. Tërë qënia e tij tjetërsohet kur i flet për Qafën e Delecit, për Koprishtin, Mrizet, për pyjet, lirishtet, lulet e barin, për gjithçka të magjishme të këtyre anëve. Një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij, lëndën letrare e ka marr nga këto hapësira. Pa dashje m’u sollën ndër mënd Sefergja, Livadhi i Arushës, Koprishti i Ujk Carës, Jama, Rrasa e Shnikut, Smuti Roga, e shumë e shumë vende që i kam shkelur me këmbë për realizimin e dokumentarëve.

Në çdo kontakt që patëm me bashkatdhetarët tanë, si në lokalet me pronarë shqiptarë, në kishat katolike, ortodokse, në xhaminë dhe teqenë bektashiane, në mjediset familjare, biseda në mënyrë të natyrshme shkonte në trevat nga kanë ardhur, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, nga Presheva e Bujanovci, nga Çamëria.

Shqiptarët kudo që jetojnë e banojnë familjen e kanë të shenjtë dhe mundohen ta ruajnë me çdo kusht. Këtë  dukuri e pamë dhe e prekëm edhe në shtëpinë e Ndue Ftonit, këtij personazhi që është bërë objekt i shkrimtarëve dhe artistëve. Kujtojmë se shkrimtari i madh Fadil Kraja . ka shkruar romanin artistik “Guxo”, saga e një shoshjani me këtë kushtim: ”Dukagjinsit dhe shqiptarit të thekur, Ndue Ftoni, guximit të tij frymëzues në përballjen me vështirësitë e jetës dhe besimit të tij po kaq frymëzues për të realizuar ëndërron e tyre amerikane”.

Një shtëpi e bukur, rrethuar nga të gjitha anët me lule të llojllojshme, me tavolina në bahçe për miqtë e tij të shumtë, bujtësit e përhershëm, i gjetëm Nduen dhe Filen, gruan e tij, që  sollën në jetë 5 fëmijë: Lizën, Luçianën, Agetinën , Pranverën dhe më të voglën dhe më të dashurin, Ronaldon. Të katër vajzat janë me shkollë të lartë dhe punojnë në bisneset e tij.

Ndue Ftoni në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, në restorantin e tij “The Imperial House”, organizoi festimin me njëmijë e dyqint bashkatdhetarë me të gjitha shpenzimet e mbuluara nga ai: Dëshmi e qartë e atdhetarisë dhe bujarisë së këtij burri të Dukagjinit.

Organizimi i veprimtarive kulturore dhe artistike është bërë një traditë që po gjenë përhapje të gjerë në këtë shtet ku jetojnë dhe banojnë mbi njëqindepesëdhjetë mijë shqiptarë. Është viti i dytë i organizimit të Festivalit Shqiptaro-Amerikan. Me 2,3 dhe 4 qershor, për dy vite me radhë në sheshin qendror të Detroitit, Hart Plaza, buzë liqenit magjepsë që ndan SHBA me Kanadanë, ushtoi nga kënga dhe vallja shqipe. Festivalin e çeli drejtori i Festivalit, biznesmeni i suksesshëm Ben Pllumbaj, i cili nënvizoi për vlerat dhe rolin që ka kjo veprimtari për mërgimtarët shqiptarë të të gjithë krahinave ku jetojnë ato.

Sheshi kishte pamje festive me dekorin tonë kombëtar, simbolet dhe ngjyrat kuq e zi, me logon e madhe ”Albanian Amerikan Festival”, në ballinë të podiumit, flamuri shqiptar dhe amerikan, dhe postierin e madh me fotografinë e Shenjtes Nënë Tereza. Nga drejtuesit e këtij festivali Dom Ndue Gjergji dhe Ben Pllumbaj që kjo veprimtari krahas këngëve dhe valleve shqiptare të kishte edhe shitoret ambulante me suvenire kombëtare si dhe ushqime të kuzhinës shqiptare, veshje, etj.

Festivali u hap me 2 qershor në një atmosferë festive. Në fillim u këndua himni kombëtar i SHBA pastaj himni kombëtar i Shqipërisë, kënduar nga sopranoja e shquar shqiptare Anila Hoxha (Gjermeni).

Në skenë kënduan Frederik Ndoci, Gëzim Nika, Ermira Babaliu, Valbona Mema, Sabri Fejzullahi, Gjyste Vulaj, Artur Matia, Hana Nikprela, Genta Ismaili, Lili Gjidodaj, Enkeljda Arifi, Hysni Allushi, vëllezërit nga Korça, Nesti dhe Endri Prifti.

Në këtë atmosferë festive të binte në sy edhe gazetari dhe veprimtari i kudondodhur Beqir Sina, me aparatin fotografik të varur në qafë, me tërë qenien e tij për të kapur çdo moment, çdo gjë. Buzëqeshja e tij karakteristike bën që ta respektosh edhe më shumë.

Bisedojmë me Mirush Kabashin, këtë artist dhe atdhetarë të shquar dhe më thotë: ”Edhe ne në Shqipëri duhet të marrim nga vëllezërit tanë këtu në Amerikë, për punën dhe kulturën që kanë fituar”.

Në këtë atmosferë, gjithçka ngjasonte me një organizëm të gjallë ku krahas kontakteve shkëmbeheshin adresa, libra, liheshin pikëpjekje...

Gjovalin Kaçorri merrte intervista për televizionin. “Kam mbaruar studimet për inxhinier pyjesh por puna më e dashur që kam provuar është puna me këtë televizion. Pronari Ndue Ftoni na jep hapësira dhe mundësi për punë krijuese në televizion”, thotë ai, ndërsa shkëputet për të bërë edhe një tjetër intervistë me këngëtarin e shquar shqiptar Sabri Fejzullahu.

Në të tre netët e festivalit shpërfaqën vlerat e tyre edhe grupi i valleve me djem e vajza  të grupit “Rozafa” e Nju Jorkut me drejtuese koreografen Angjelina Nika, grupi i valleve  “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i Detroitit me koreografe Joli Paparistro, si dhe grupi simpatik “Shqiponjat e Vogla” nga Torontoja me udhëheqës artistik Ramadan Këllezi dhe Rudi Kondaj.

Një atmosferë mbresëlënëse e krijonin këta grupe gjatë interpretimit të këngëve që kërcenin në mes të skenës dhe publikut të shumtë. Alternimi i këngëve me humorin dhe interpretimin e poezive e bëri më të zhdërvjellët dhe të larmishëm këtë festival. Me mjaft interes u ndoqën poezitë e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri interpretuar nga Mirush Kabashi, Nderi i Kombit .

Nga drejtuesit dhe organizatorët kjo festë shqiptare në Detroit ishte konceptuar që krahas interpretimit në skenë të zhvillohej veprimtaria edhe në bregun e lumit Ëindsor përballë qytetit me të njejin emër të Kanadasë, në mes dritave që përthyheshin në ujërat e pastra të lumit. Kënga dhe vallja shqiptare dëgjohej deri në mesnatë. Kjo veprimtari zgjoi kureshtjen e banorëve vendas dhe të turistëve të huaj. Jehona dhe mbresat e marra në këto tre netë të Festivalit të Dytë të Miçiganit do të ruhen për shumë kohë në mendjen dhe zemrën e pjesëmarrësve. Ai është një shembull kur dëshirat harmonizohen dhe materializohen mrekullisht edhe frytet janë të mëdha.

Image
Aktiviteti ne Detroit
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat