Sëmundja i mori jetën e babait, sot ky shqiptar po mahnit me gjestin e tij!

Amerika

Sëmundja i mori jetën e babait, sot ky shqiptar po mahnit me gjestin e tij!

Më: 8 korrik 2017 Në ora: 20:16
Mario Ademaj

Mario Ademaj nuk është një yll roku, edhe pse i pëlqen të këndojë, herë pas here, siç bëri këtë verë, kur përjetoi emocionet e dhëndrit. Në jetë bën mjekun. Pasioni i tij është bamirësia.

Mario dhe bashkëshortja e tij kanë ardhur nga Kalifornia e largët, ku jetojnë,  për të celebruar dashurinë në vendin e origjinës, në Shqipëri, te rrënjët e tyre.

Pas dasmës, tradita e do që çifti të shkojë në  muaj mjalti, por ka prioritete. Para muajit të mjaltit, Mario do të kryejë ritualin e përvitshëm – përgjatë një dite duhet t’u ofrojë banorëve të një qyteti vizita dhe medikamente falas.

“Mbarova shkollën e mjekësisë në Amerikë dhe mendova  se  duhet të bëja diçka për vendin  tim.” – thotë Mario.

Dy vite më parë, së bashku me disa mjekë vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria u ofroi shërbim banorëve të Pogradecit.

“Aty brenda një dite erdhën 2000 pacientë, të cilët nuk kishin parë doktor me sy, gjatë 5 viteve të fundit, kryesisht për arsye financiare.”

Këtë herë zgjodhi Shkodrën  dhe arriti të frymëzojë edhe vullnetarë të rinj.

“Për shoqatën dëgjova në rrjetet sociale. Mua më pëlqen puna vullnetare. Ishte një risi edhe për  qytetin  e Shkodrës, pasi nuk bëhen shpesh gjëra të tilla. Kjo është një eksperiencë shumë e mirë për mua,” thotë një mjek vullnetar që i është bashkuar nismës së Marios.

Kësaj nisme iu përgjigj edhe një dentiste, e cila ka ofruar mjedisin e klinikës së saj  për vizitat e mjekëve.

“Isha shumë e gatëshme dhe ishte knaqësi për mua që ta ofroja këtë ambient. Vullnetarizmi në Shkodër nuk është i  përhapur. Mario është ndër rastet e pakta.”
Mario është larguar në moshë të hershme nga Shqipëria. Nuk e kishte ëndërruar kurrë që një ditë do të studionte mjekësi në Amerikë. Zgjedhjen e bëri i nistur nga semudja e rëndë e të atit,  nga nevoja që ai kishte, jo vetëm për ndihmë mjekësore, por mbi të gjitha njerëzore. Babain, fatkeqësisht nuk arriti ta mbante në jetë, por u zotua që do të bënte gjithçka për të tjerët.

Për të, mjekësia është mbi të gjitha humanizëm dhe që në vitet e shkollës formëzoi idenë e një klinike ambulatore falas në shërbim të bashkëatdhetarëve.

Sot, kjo ide  është konkretizuar në një organizatë që quhet “Skuadra mjekësore ndërkombëtare për Shqipërinë”, e cila ndihmohet nga familje të ndryshme shqiptare.
“Për fondet kemi një komunitet shqiptaro-amerikan  të jashtëzakonshëm në SHBA.  Në shtete të ndryshme  që nga Miçigani, Viskonsin, Kalifornia, Çikago. Familjet që na  mbështesin në Amerikë  nuk jnë familje të pasura, nuk kanë para, por e vlerësojnë shumë situatën e rëndë shëndetësore në Shqipëri. Fondet që na japin shkojnë për medikamente. Minimumi që meritojnë  njerëzit këtu është shëndeti,” thotë  Marjo.
Plani i Marios është që një ditë, klinika e tij falas,   të shtrihet në të gjitha trevat, ku ka shqiptarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat