Krenaria legjitime e Adem Belliut në 20 vjetorin e TV Albanian Culture

Amerika

Krenaria legjitime e Adem Belliut në 20 vjetorin e TV Albanian Culture

Nga: Beqir Sina Më: 14 shtator 2017 Në ora: 16:00
Adem Belliu

 Albanian Culture Awards, do të organizohet më 29 Tetor në  Symphony Space ne Broadway Manhattan

Tirane, 1 Shtator/AE-Flora Nikolla/.- Adem Belliut, i duket ende vetja si në ëndërr, kur sheh  kalendarin qe shënon  20 vite jetë nga koha kur ideoi dhe krijoi , TV Albanian Culture në Nju Jork të SHBA-së.

Sot, një biznesmen i suksesit në fushën e Real Estate ne Nju Jork Citi , Adem Belliu, duke shfletuar arkivin 20 vjecar të TV Albanian Culture, sheh si koha ka lënë gjurmë pozitive në zhvillimin ekonomik, shoqeror dhe artistik-kulturor të diasporës shqiptare të Amerikës. Shëmbujt për ilustrim janë  shumë por ai  përmënd se nëse, nxënësit e shkollës shqipe «Naim Frasheri» të Bronxit në 1997, kur ai i xhironte, mësonin gjuhën shqipe dhe ruanin traditën e kulturën kombëtare , sot janë ekonomistë, avokatë, biznesmenë, artistë, doktorë që i shërbejnë me dinjitet Amerikës, vendit që i rriti, i edukoi dhe ju dha mundësinë të thonë me krenari që janë shqiptarë.

Në  23 vitet e jetës së tij në Nju Jork së bashku me familja tij kanë qënë të suksesshem jo vetëm në komunitetin shqiptaro-amerikan por dhe si qytetarë amerikanë. Bashkeshortja, Mimoza ne arsim, djali Gertoldi, Accountant ne Ekonomi e Biznes dhe vajza e tij Vera në Media Televizive dhe Bizness.

Në këto 20 vjet TV Albanian Culture, është nderuar mbi 10 herë nga BRONXNET BETA AWARD si «Best Foreign Show», «Best Show in Service to its Community», «Artistic Acheivement», etj. Adem Belliu tregon në këtë intervistë ekskluzive për Albanian Excellence, intervistat që u ka marrë në vitin 1999, ushtarëve të batalionit Atllantik që do të merrnin pjesë ne luftën e Kosovës, aktivitetet e organizuara nga Vatra, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerkane apo dhe intervistat  me aktivistë të shquar të komunitetit shqptaro-amerikan si, Fadil Berisha, Shqipe Malushi, Anna Kohen, Richard Lukaj, Harry Bajraktari, Gjek Gjonlekaj, si dhe figura te njohura te politikes amerikane si, Hillary Clinton, Charles Schumer, Ben Gillman, Elliott Engel, Gjeneralin Clark, Madeleine Albright, De Blazio, Joe Dioguardi, Jeff Klein, Mark Gjonaj, e mjaft të tjerë.

Një Natë të madhe cmimesh me Red Carpet do të organizohet më këtë rast , më  29 tetor ne Symphony Space, në Manhhatan, ku do të performojnë artistë të zhanreve të ndryshme muzikore. Një maratone e vërtetë vlerësh  do të kalojnë qilimin   kuq në këtë event të komunitetit shqiptaro-amerikan, ku janë ftuar të  gjitha organizatat e komunitetit qe kane lënë një vend të shënuar në historinë e këtyre 20 viteve në këtë komunitet.

Adem Belliu, do të vazhdojë të drejtojë e prodhoje emisionet televizive të TV Albanian Culture, në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan.

TV Albanian Culture,  tashmë është pjesë e familjes Belliu, u bë një aktivitet i përditshëm i familjes së muzikantit të talentuar i cili ende ka dëshirë të hapë një radio me muzikë klasike. Ai shikon sot , 20 vjet më pas,  si fëmijët e tij po kontribuojne në mënyre vullnetare në prodhimet e mbarëvajtjen e TV Albanian Culture.

Dhe kjo  qe sigurisht , ia shton  më shumë krenarinë e tij legjitime për TV Albanian Culture dhe familjen e tij te mrekullueshme.

F.N: Mund të tregoni historinë  e jetës tuaj profesionale ?

A.B :Për t’ju pergjigjur kësaj pyetje me duhet ta ndaje jetën time profesionale në dy epoka: Shqiperi e ShBA. Unë e kam nisur jetën profesionale  me artistë të njohur në skenat e artit shqiptar që në fillim të viteve ’80. Kam luajtur me orkestrën simfonike të RTSH, Institutit të Lartë të Arteve, të qytetit të Vlorës dhe kam bashkëpunuar me artistët e Estradës profesioniste të Vlorës, si mësues në shkollën e muzikës «Naim Frasheri» në Vlorë, shkollë kjo me mjaft tradita në fushen e artit, ku kemi nxjerrë nxënës si Adrian Hila, Anita Bitri e mjaft të tjerë.

Në vitin 1987 kam qënë organizatori i koncertit të parë simfojazz me nxenësit e mi me materiale të orkestruara nga Adrian Hila, që në atë kohe ishte nxenës në shkollë të mesme.

Si shumë shqiptarë të asaj kohe ndryshimi i sistemeve na gjeti të papërgatitur për ndryshimet që do të vinin në fushën ekonomike. Nuk dua të bej histori per ndryshimet qe ndodhen ne Shqiperi, pasi eshte shkruajtur mjaft por desha të theksoja se në vitet e para të ’90 hodha hapat e para në fushën e tregtisë e biznesit. Suksesi profesional në Shqipëri me dha mundësinë te isha në kërkim të suksesit profesional edhe në ShBA.

F.N :Çfarë  keni realizuar deri më tani ?

A.B: Me modesti e them se në keto 23 vjet që jam në Nju Jork, familja ime dhe unë si individ kemi qene mjaft të suksesshem jo vetëm në komunitetin shqiptaro-amerikane, por me krenari e them edhe si qytetarë amerikanë. Si qytetarë amerikanë jam integruar ne ekonominë e këtij vendi si biznesmenë në Real Estate, bashkeshortja Mimoza ne arsim, djali Gertoldi accountant ne ekonomi e business dhe vajza Vera në media televizive e bizness. Ndërsa krenarine kombëtare ma jep TV Albanian Culture që është në vigjilje të festimit të 20 Vjetorit. Në këto 20 vjet TV Albanian Culture, është nderuar mbi 10 herë nga BRONXNET BETA AWARD si «Best Foreign Show», «Best Show in Service to its Community», «Artistic Acheivement», etj. Sukseset e TV Albanian Culture unë nuk i quaj vetëm si të miat, për mua këto suksese i përkasin dhe komunitetit shqiptaro-amerikan pasi ky TV pasqyron jetën e larmishme të diasporës shqiptare.

F.N: Gjithsesi si e nisët ju jetën në Amerikë, cilat ishin fillimet tuaja ?

A.B: Në Amerikë kam emigruar në Janar 1994. Si për të gjithë emigrantët, dhe për ne, fillimet ishin të vështira, jo vetëm ana ekonomike por edhe shoqërore e kulturore. Megjithatë une kam qënë optimist që në Amerikë do ishim mirë, pasi ky është vendi i mundësive të mëdha vetem të kesh pasion, durim, e këmbëngulje. Me emigrimin e familjes sime në ShBA, isha i bindur që ekonomikisht do isha mirë, por nuk isha shumë i sigurtë se sa do arrija të ushtroja zanatin tim si muzikant. Në vitet 1995-96, kam performuar në orkestrën simfonike të Bronxit ne Lehman College. Muzikantët e kësaj orkestre, ishin profesionistë në fusha të ndryshme, dhe dy herë në javë vinin dhe performonin për hobi në këtë orkestër. Gjatë kësaj periudhe, unë e kuptova që do e kisha të vështirë të mbështesja familjen ekonomikisht me punën si muzikant. Kështu që në këtë kohë, më lindi ideja të vazhdoja studimet në fushën e produksionit televiziv. Më vonë në këte fushë u diplomuan dhe anëtarët e familjes, pasi mua më duhej mbeshtetja e tyre për te arritur të prodhoja programet televizive per komunitetin shqiptar të Amerikës.

F.N: Sot ju jeni i suksesshëm, si njeri, si kryefamiljar , në profesion . Si do ta përshkruanit ju të qënurin i  suksesshëm ?

A.B:  E kam pak të vështire t’i përgjigjem kesaj pyetje pasi përgjigja faktorizohet edhe nga idetë e mia për të ardhmen. Më vjen mirë qe ju më cilësoni të suksesshëm në kategori të ndryshme të jetës sime si individ. Jam i lumtur që kam arritur suksese të njëpasnjeshme në jetën time familjare. Jam krenar që kam krijuar një familje të'shendoshë baza e së cilës ka qene edukimi dhe shkolla. Në kuadrin familjar, si Mimoza ashtu edhe dy femijët kanë kryer studimet universitare dhe pasuniversitare në Amerikë.

Mendoj se merita për suksesin tim në teresi i takon gjithë familjes sime, bashkeshortes e dy fëmijëve, pasi ata kanë mbështetur cdo hap timin, edhe kur kam gabuar.

F.N: Si lindi te ju ideja e krijimit të një televizioni. Cila është historia e tij ?

A.B: Familja ime emigroi në NY në Janar të 1994. Në atë kohë cdo të dielë transmetohej 1 orë program në gjuhën shqipe. I përgatitur nga studjoja Viktoria me pronare vëllezërit Osmani. Me mbylljen e studios Viktoria u krijua një boshllek për emigrantët shqiptarë. Në këto kushte, mendova të vazhdoja shkollën për produksion televiziv me qëllim që të mundësoja prodhimin e një emisioni televiziv në gjuhën shqipe. Kisha dëshirë të vazhdoja traditën që bashkëatdhetarët të vazhdonin të shikonin emisionin në gjuhen shqipe cdo të dielë pasdite.

F.N: Sigurisht që në 20 vite jete  Albanian Culture TV ka patur nje seri të madhe ngjarjesh dhe personazhesh të jetës së komunitetit shqiptaro-amerikan.  Cilat  do të donit të  veconit ?

A.B: Une jam munduar të mbaj një ekuiliber në punën time 20 vjecare. Jam munduar të trajtoj cdo aktivitet me të njëjtën rëndësi. Pasi në fund të fundit cdo aktivitet është pjesë e jetës sonë të përdirtshme. Do desha të përmendja mbresat që më kanë lënë intervistat që kam marrë në Royal Regency Hotel në vitin 1999, ushtarëve të batalionit Atllantik që do niseshin të merrnin pjesë ne luftën e Kosoveës. Po ashtu do desha të përmendja, aktivitetet e organizuara nga Vatra, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerkane për nivelin e lartë të organizimit. Po ashtu kam pasur nderin e madh të intervistoje jo vetëm aktivistë të shquar të komunitetit shqptaro-amerikan si, Fadil Berisha, Shqipe Malushi, Anna Kohen, Richard Lukaj, Harry Bajraktari, Gjek Gjonlekaj, e te tjere , por edhe figura te njohura te politikes amerikane si Hillary Clinton, Charles Schumer, Ben Gillman, Elliott Engel, Gjeneralin Clark, Madeleine Albright, De Blazio, Joe Dioguardi, Jeff Klein, Mark Gjonaj, e mjat të tjerë.

F.N: Cilët kanë qënë bashkepunëtorët tuaj më të ngushtë në këtë udhë të bukur e të vështirë  ?

A.B: Familja ime, gruaja dhe femijët janë mbështetja ime emocionale dhe financiare. Që në vegjëli, jam rritur me një thenie të nënës sime, «Nuk mbahet shtepija me një shtylle». Dhe këtë thënie të cilën e kam trashëguar dhe te femijët e mi, e kam patur si busullë gjatë jetës sime. Por me këtë intervistë me jepet rasti të falenderoj edhe mjaft shokë e miq që më janë gjendur pranëdh mbështetur emocionalisht në suksesin tim profesional gjatë këtyre 23 vjeteve të jetës sime në Amerikë. Do të dëshiroja të permendja fillimisht bahkëpunëtorët e tanishëm,  Marjana Bulku, Dalip Greca & Beqir Sina që momentalisht përgatisin rubrikat e tyre në TV Albanian Culture, Ilir Lena – Producenti Emisionit Pasqyra  në Toronto të Kanadasë, Altedo Myteveliu & Aldo Sulollari në studion e Tiranës të TV Albanian Culture. Me që më jepet rasti do të dëshiroja të falenderoja disa nga moderatoret e para të TV Albanian Culture si Violeta Dushollari, Elmira Mujo, Matilda Ndrecka, Valdez Murati, Albana Melyshi Lifschin, Florjana Garo. Por gjithashtu nuk mund të le pa përmëndur edhe gazetarin Gjek Gjonlekaj i cili ka intervistuar personalitete në fushën e publicistikës, & znj. Keze Zylo që ka realizuar disa intervista në ekranin e TV Albanian Culture.

F.N: Si ndiheni ju në këtë 20 vjetor ?

A.B: Me duket vetja si në ëndërr, e pabesueshme që kanë kaluar 20 vjet. Në përgjithesi, ne nuk e kuptojmë kalimin e kohes, dhe ndryshimin që ajo le te cdonjëri nga ne. Aktualisht, une po shikoj mbresën që kanë lene keta 20 vjet ne diasporën shqiptare të Amerikës. Duke shfletuar arkivin 20 vjecar të TV Albanian Culture kam pare si koha ka lënë vrazhdat e veta pozitive në zhvillimin ekonomik, shoqeror dhe artistik-kulturor të diasporës shqiptare të Amerikës. Shëmbujt për ilustrim janë me qindra, por unë do përmënd në këtë artikull nxënësit e shkollës shqipe «Naim Frasheri» të Bronxit që në 1997, 20 vjet më parë mësonin gjuhën e bukur shqipe dhe ruanin traditën e kulturën kombëtare në bangat e kësaj shkolle, sot janë ekonmistët, avokatët, biznesmenet, artistët, doktorët që i shërbejnë me dinjitet Amerikës, vendit që i rriti, i edukoi dhe ju dha mundësinë të thonë me krenari që janë shqiptarë.

Gjithashtu ndjehem i lumtur se shikoj që kontributi im 20 vjecar në historinë e diasporës shqiptare të Amerikës do festohet nga mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan. Këto 20 vjet nuk janë vetëm të mijat, këto 20 vjet jane një bilanc historik që pasqyron rritjen dhe zhvillimin e komunitetit shqiptaro-amerikane me emigrantët e rinj te ardhur nga Shqiperia & Kosova (si quhet ndryshe etapa e tretë e emigrimit shqiptar në Amerikë).  Ne përgatitjen e aktiviteteve ne vigjilje te 20 vjetori shikoj një angazhim te plote jo vetem nga ana e familjes sime, me të cilën kam filluar rrugëtimin tim drejt suksesit, por edhe të dashamiresve e teleshikuesve të TV Albanian Culture.

F.N: Do të organizoni  një Natë të madhe cmimesh më  29 tetor ne Symphony Space , cfare parashikon kjo ngjarje që do te organizohet në një nga sallat më të njohura  të Manhattanit ?

A.B: Historikisht në këto 20 vjet aktivitetet e përditshme të TV Albanian Culture, përvjetorët e tij janë festuar me mbrëmje masive për komunitetin ku kanë marrë pjesë këngëtarët më të njohur. Ky televizion mban historinë 20 vjecare të jetes shqiptaro-amerikane për periudhen 1997-2017.

Kështu që ky pervjetor, është festa e komunitetit për periudhën në fjalë. Ne këto 20 vjet, ne kemi kaluar mjaft gëzime e hidhërime së bashku, dhe keto të gjitha janë regjistruar nga lentja televizive e TV Albanian Culture. Por në vigjilje të 20 vjetorit, të këtij përvjetori të madh të TV Albanian Culture vendosëm të organizonim një Koncert të tipit Red Carpet ku do të performojnë artistë të zhanreve të ndryshme muzikore. Për të celebruar 20 vjetorin menduam të bënim dicka ndryshe nga mbrëmjet masive, karakteristike e komunitetit tonë Koncerti është konceptuar si një mbremje ku komuniteti shqiptaro-amerikan, do të festojë 20 vjet histori të aktivitetit të tij politik, shoqeror & artistic.

Si grup organizues kemi menduar të ftojmë të gjitha organizatat e komunitetit qe kane lënë një vend të shënuar në historinë e këtyre 20 viteve në komunitetin shqiptaro-amerikan. Ky eveniment është konceptuar si një mbremje Gala që ne e kemi titulluar, Albanian Culture Aëard, që do të mbahet më 29 Tetor në sallën e teatrit Symphony Space ne Broadëay Manhattan.

F.N : Cilat janë sfidat që do të ofrojë  Albanian Culture Tv pas 10 vitesh ?

A.B: Mendoj se unë do vazhdojë të drejtoj e prodhoj emisionet televizive të TV Albanian Culture, mendoj se do të vazhdojë të jem në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan.Por në të njëjtën kohë jam i ndergjegjshëm që koha do bejë të veten. Kete po e kuptoj tani që po shfletoj arkivën 20 vjecare. Në fillim të karrierës sime si producent i TV Albanian Culture kam realizuar mjaft filmime të shkurtra të fëmijëve të mi duke bëre prova si moderatore emisionesh. Dikush mund të thotë tani, që paskam qënë largëpamës, por jo aspak. Filmimet e fëmijëve i bëja me qëllimin që t’i kisha në videotekat familjare ( gjë që e kam bërë që herët kur djali ishte 2-3 vjec).

Unë atëherë isha në moshë të re dhe nuk më shkonte mendja që do arrija ta kisha këtë televizion në aktivitet për 20 vjet. Në atë kohe mendoja se do ishte dicka kalimtare për disa vjet si televizionet paraardhëse. Por koha provoi të kundertën.  TV Albanian Culture u bë pjesë e familjes sime, u bë një aktivitet i përditshëm i familjes sime. Kështu që sot, 20 vjet më pas unë po shikoj fëmijët e mi që po kontribuojne në mënyre vullnetare në prodhimet e mbarëvajtjen e TV Albanian Culture.
Mendoj se në vigjiljen e 30 vjetorit, shpresoj të jenë fëmijet e mi të jenë organizatorët e drejtuesit e TV Albanian Culture. Pra qëllimi im është trashëgimi i stafetës te brezi i dytë i familjes Belliu të Nju Jorkut, dmth fëmijët e mi të vazhdojne mbarëvajtjen e TV Albanian Culture.

F.N: Ka ndonjë ide që ka mbetur peng i mëndjes suaj ?

A.B: Enderr kam të hap një stacion radioje 24 orë me muzikë klasike për të ndjerë satisfaksionin si muzikant. Cdo mengjez, kur shoqeroj bashkëshorten në punë, degjoj stacionin 105.9 FM «Classical New York». Muzika klasike më jep një qetësi shpirtërore, që me ndihmon shumë ne uljen e ankthit e aktivitetit ditor. E shikoj si një ëndërr por në të njëjtën kohë edhe detyrë ndaj bashkëatdhetarëve të mi.

F.N: Si është një ditë në jetën tuaj ?

A.B: Jam i pari që ngrihem herët nga gjumi dhe filloj i bëj zgjimin familjes me ca shprehje karakteristike të babait tim, për të cilat fëmijët më ngacmojnë shpesh herë. Dita ime është mjaft aktive. Cdo gjë që bëj gjatë ditës unë e konsideroj punë. Fillimisht familja nuk e pranonte që të kisha një ditë të ngarkuar, pasi duke qene i vetëpunesuar në biznesin tim të Real Estate isha gjithmonë në lëvizje dhe nuk u dukej sikur punoja. Por kur filluan të më zëvëndesonin në periudhat që largohesha për kohë të gjatë në Shqiperi, ata filluan të thonë se ishte e vështirë të bëje punën ditore të Ademit.
Dita më nis me rutinën e ngrënies së mëngjezit që është mjaft dietik dhe me cuarjen e bashkëshortes sime në punë, një detyrë që e bëj me kënaqësi prej 19 vjetesh në Amerikë, pasi e konsideroj edhe si një mbledhje para fillimit të ditës apo si një analizë e veprimtarisë ditore në fund të ditës.

F.N: Sa orë punoni në ditë ?

A.B:  Varet, mund them asnjë orë dhe 24 orë. Mund të duket pak qesharake për lexuesin, por nuk kam një orar të caktuar gjatë dites, sepse varet se cfarë më del në cast edhe pse mund të kem planifikuar dicka tjetër. Di të them se problemeve të biznesit u jap prioritet. Vitet e para kam patur raste që jam ngritur edhe në mes të natës për të qënë prezent ku qëndron problemi në biznes.  Momentalisht, për shkak të diferences kohore Neë York- Tirane, shfrytezoj orët e vona të natës për të drejtuar e instruktuar departamentet e programimit e editimit në studjon e TV Albanian Culture në Tiranë.

F.N: Cilat janë aktivitetet ne fushen e TV Albanian Culture që ju realizoni ?

A.B: Për mua fjala aktivitete është baraz me prodhimtari televizive. Në mënyrë aktive, realizoj 3-4 prodhime televizive në javë në studion TV Albanian Culture ne Neë York e Tiranë. Në studion e  New Yorkut prodhohen rubrikat «Një Jetë disa Histori», «Diaspora Debaton», Aktivitete të ndryshme të Vatres dhe mjaft organizatave të tjera të komunitetit tonë.

F.N:Ku dhe si i shpenzoni ju paratë ?

A.B: Paraja prishet për shërbimet e përditshme të familjes, dhe shpenzime në drejtim të funksionimit të TV Albanian Culture. Paranë zakonisht e prish në shërbim të punës. Por di të them se nuk është e lehtë të mbulosh shpenzimet e dy studiove (New York & Tirane) të TV Albanian Culture.

F.N: E kujtoni dot këshillën më të mirë që ju kanë dhënë ?

A.B: Në jetë më janë dhene shumë këshilla. Mbi të gjitha, si udhërrëfyese kanë qënë këshillat me vepra të prindërve të mi. Në vecanti babai gjithmonë thoshte, “Mos u prish me shokët”, që unë sot mundohem ta zbatoje në jetën time të përditshme.

F.N: Cila do të ishte këshilla që ju do t’i jepnit një të riu që sapo ka nisur karierrën e tij ?

A.B:Unë gjithmonë kam qënë ëndërrimtar. Nuk kam patur frikë nga vështirësitë. Prandaj cdo të riu që ka shpirtin e iniciativës do t’i jepja këshillën, “Mos hiq dorë nga ëndrrat e tua”. Edhe pse vitet kanë kaluar, nuk heq dorë nga idetë e mia. Gjithmonë më lindin ide të reja, të cilat i diskutoj me fëmijët e bashkeshorten.

F.N: Çfarë konsideroni ju gjënë më të mirë  të të qënit të suksesshëm?

A.B:Per mua suksesi është pavarësi profesionale. Kur je i suksesshëm jeton i lirë dhe i pavarur. Kur je i suksesshëm edhe ëndrrat e reja kanë një konkluzion dhe kanë një bazë që mund të realizohen. Kur je i suksesshëm ndjen thellë respektin e shoqerisë, pasi suksesi është i bazuar në punën konkrete të individit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat