A e dashuroi Faik Konica striptisten amerikane? – Ilir Konomi: Thashetheme gazetash - Bota Sot
A e dashuroi Faik Konica striptisten amerikane? – Ilir Konomi: Thashetheme gazetash

Amerika

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

A e dashuroi Faik Konica striptisten amerikane? – Ilir Konomi: Thashetheme gazetash

Më: 3 nëntor 2017 Në ora: 18:25
Faik Konica

Në një video të shpërndarë nga Botimet “UET Press”, në bashkëbisedim me Alda Bardhylin, Ilir Ikonomi e quan këtë raport më shumë thashetheme gazetash.
“Ndoshta të vërtetën nuk do ta mësojë askush sepse këto janë si të thuash thashetheme gazetash në shtypin e Uashingtonit. Gazetat flisnin shumë për marrëdhënien e Faik Konicës, me zonjën An Corio. Ajo ishte një striptiste në Uashington dhe gazetat rendin shumë pas sensacioneve. Konica në vitin 1938 bën një deklaratë për agjencinë e lajmeve Associated Press ku thotë se unë nuk kam asnjë gjë me An Corio dhe ajo është shumë e martuar dhe unë skam të bëj fare me të”.

Në fillim të vitit 1938 Faiku ishte parë të takohej me aktoren e famshme të striptizës, 29-vjeçaren Ann Corio (An Korio), dhe menjëherë u hap fjala se ai kishte ndërmend të lidhte kurorë me të. Corio ishte një nga 12 fëmijët e një çifti emigrantësh italianë dhe ishte bërë e njohur me shfaqjet e saj në varietenë e tipit burlesque që përfshinte parodi si dhe një dozë të mirë striptize. Në Amerikën e kohës, stripti ishte pjesa më e rëndësishme e kësaj varieteje të përshtatur për një audiencë mashkullore. Në Uashington, teatri, në hyrje të të cilit ndriçonin dy fjalët e shkruara me neon Burlesque Burlesque ndodhej në Rrugën Nëntë. Këtu atmosfera ishte krejt e ndryshme nga rrugët e tjera aty pranë që mbizotëroheshin nga dyqanet Garfinkel dhe Hecht’s.

Faiku ishte ndër frekuentuesit e teatrit, siç kuptojmë nga ky paragraf i marrë nga një gazetë e kohës: “Pak përfaqësues të huaj ia kalojnë Faik Konicës për nga popullariteti në qarqet shoqërore, mes politikanëve dhe shtypit. Ai është një kombinim i rrallë i mikpritësit të shkëlqyer, dijetarit, linguistit dhe playboy-it.Në netët e dimrit, kur detyra diplomatike e lejon, ai ulet në radhën e parë të teatrit burlesque të kryeqytetit. Njëra nga të preferuarat e tij është Ann Corio, kërcimtarja e striptit”.

Corio ishte vajzë inteligjente. E kishte mbaruar shkollën e artit me një diplomë Magna Cum Laude dhe në rrethet shoqërore përshkruhej si mjaft e edukuar dhe brilante në bisedë. Ishte ndër artistet më të paguara të këtij zanati dhe fitonte deri në një mijë dollarë në javë. Corio ishte martuar me Emmet Callahan, pronar i disa teatrove. Faiku nuk e mohonte se e kishte ftuar Ann Corion disa herë për çaj. Shtytja mund të ketë qenë kurioziteti për bukuroshen e striptit dhe përgjithësisht tërheqja e Faikut drejt çdo lloj arti. Corio mund të ketë qenë po aq e tërhequr nga erudicioni i këtij njeriu që nuk ngjante me askënd tjetër në trupin diplomatik.

Por, meqenëse zërat kishin marrë dhënë, ai u detyrua të bënte këtë përgënjeshtrim publik mbrëmjen e 11 janarit 1938: “Ministrin e Shqipërisë e argëton së tepërmi cektësia e disa gazetarëve amerikanë, të cilët kanë arritur në përfundimin se ai ka rënë në dashuri dhe ka ndërmend të martohet me sharmanten Ann Corio, megjithëse ajo është mjaft e martuar. Përveç konsideratave të tjera, është fakt shumë i njohur se ligji i vendit ua ndalon diplomatëve shqiptarë të martohen me shtetase të huaja”.

Gazetat aq prisnin. Washington Post-i e botoi menjëherë deklaratën e Faikut bashkë me foton e tij dhe të Ann Corios përbri. Shumë të tjera reaguan me qesëndi.
John O’Rehn i gazetës The Sun, shkruante: “Askush nuk i përdor më me dinjitet deklaratat formale se sa Faik Konica, ministri shqiptar në Shtetet e Bashkuara… Por nuk besoj se ministrin e argëtuan këto zëra, prandaj mendoj se deklarata e tij na zbuloi një Faik mjaft diplomatik”.

Corio shihej nga disa si gruaja më e bukur e botës, prandaj çdo burrë që shoqërohej me të nuk i shpëtonte dot syrit vigjilent të reporterëve. Pak kohë pas deklaratës së Faikut ajo u nda nga burri pastaj u bashkuan. Gazetat e njoftuan lajmin pa harruar të shtonin “atë historinë me diplomatin shqiptar”.

Lajmin e botoi edhe Dielli i Gurrazezit dhe në përkthim ndihej një nëntekst i qartë qesëndie. Për një farë kohe, emri i Faikut do të shtohej si bisht në çdo histori që kishte lidhje me mbretëreshën amerikane të striptit, pa çka se e gjithë kjo mund të ishte një sajesë e shtypit të etur për sensacione.

Pyetjet se përse shqiptarët e duan ende Konicën, Konomi u përgjigj: “Është interesante, shqiptarët janë kaq të tërhequr pas Faik Konicës dhe duhet të ketë diçka që i bën ata kuriozë për Faik Konicën. Unë mendoj se njëra nga arsyet është se Faik Konica vinte në pah të metat e shqiptarëve. Ju e dini shqiptarët shpesh kur flasin me njëri-tjetrin shajnë veten e tyre. Për shembull ne jemi kështu ne jemi ashtu ose mallkojnë veten që janë kështu ose janë ashtu dhe Faik Konica këtë kishte. Ai gjente të metat e shqiptarëve që ishin të spikatura dhe ua thoshte hapur atyre, por kjo si të thuash si ajo dëshira e babait ose nënës për fëmijën që kane ndrojtje t’ia thonë të vërtetat ne sy fëmijës për ta përmirësuar atë dhe sigurisht që natyra e Faik Konicës ishte e sertë, por në fund të fundit qëllimi i tij ishte që shqiptaret të përmirësoheshin” .

Konomi thotë se ka gjurmuar gazetat e kohës dhe është përpjekur të gjej çdo gjë ka pasur të bëjë me Faik Konicën në vitet kur ai ishte ambasador i mbretit Ahmet Zogut në Uashington.

Lidhur me pyetjen në ishte Sara Blloshmi arsyeja e marrëdhënieve delikate mes Ahmet Zogut dhe Faik Konicës, referuar romanit “Sarah” të Alfred Pezës, Konomi u përgjigj se “Unë kam prirjen për të kërkuar dokumente nëpër arkiva dhe nuk kam gjetur ndonjë dokument që të flasë për këtë gjë. N.q.s. e gjej atë dhe kur ta gjej atëherë do të komentojë për këtë, por deri tani nuk kam dëgjuar”.

Më shumë mbi Konicën mund të lexoni në librin “Faik Konica, Jeta në Uashington”, botim i “UET Press”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test