Kush është John Alite, mafiozi shqiptar i cili rrëzoi “Cosa Nostra-n”

Amerika

Kush është John Alite, mafiozi shqiptar i cili rrëzoi “Cosa Nostra-n”

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 20:24
John Alite

John Alite, shqiptari me origjinë nga Gjirokastra, i lindur dhe i rritur në Queens të NYC, nga i biri i një taksixhiu, tek i besuari i John Gotti, bossit të organizatës mafioze më të famshme në botë.

Por, si arriti John Alite të bëhej një nga personat më të besuar në këtë familje dhe cilat ishin arsyet që  në fund e çuan të bashkëpunojë me FBI-në.

1- Në lidhje me prejardhjen tuaj shqiptare, na thoni diçka më shume rreth saj, familjes tuaj. Si dhe arsyet e emigrimit drejt SHBA-së?

Kam lindur dhe rritur në New York, rrënjët e familjes time janë nga Tirana dhe Gjirokastra! Gjyshi nga babi është me origjinë nga Gjirokastra, ai ka lindur dhe është rritur po aty. Rreth viteve 1938 gjyshi Ali emigroi drejt Amerikës, së bashku më një kushëririn e vet për të zhvilluar një biznes këtu, hapjen e një restoranti. Pas shtatë vitesh ai tërheq dhe pjesën tjetër të familjes, si edhe babin tim. Gjatë regjimit komunist ne si familje kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me familjen e Enver Hoxhës, dhe kjo na favorizonte shumë që ne të hynim dhe të dilnim lirshëm nga Shqipëria.

2- Kush ka qenë John Alite përpara se të përfshihej në botën e krimit?

Kur unë kam qënë i ri nuk më thërrisnin John por Go Go, sepse unë kam qënë tip shumë i aktiv dhe i shkathët. Para se të përfshihesha në botën e krimit, vazhdoja shkollën dhe merresha me aktivitete sportive, kryesisht me boks dhe bejsboll edhe sot nuk kam hequr dorë prej tyre, sporti ishte traditë e familjes tonë. Lagjia ku unë u rrita ndikuan në rininë time, aty zbatohej ligji i rrugës dhe duhet të ishe i “fortë” që ti mbijetoje rrugës, të vetmët shqiptar aty ishim ne, të tjerët ishin kryesisht italian. Rreth e rrotull kisha gangsa, mafioz, një prej tyre ishte edhe xhaxhai im ishte i përfshirë me krimin.

3- Kur u bëtë pjesë e mafies, cili ishte reagimi i familjes tuaj?

Babai im nuk kishte lidhje fare me botën e krimit, ndryshe nga xhaxhai im. Familja nuk e priste që jeta ime do merrte rrjedhën e një mafiozi. Ata mendonin se unë thjeshtë isha pjesë e lojërave të fatit dhe kjo u dukej diçka e zakonshme duke e krahasuar me lojërat e fatit në Shqipëri. Një natë xhaxhai më mori në një klubet e bixhozit në Bronx ku u njoha me nga afër me mafiozët italo-amerikanë.

4- Cili ishte roli juaj në këtë organizatë dhe si arritët të bëheshit një nga më të besuarit të John Gotti-t ?

Rastësisht në një kafe njihem me John Junior Gotti, djalin e Gotti-t të madh. Duke u bërë shok me të, babai i Junior e kuptoi tipin tim dhe ishte në interesin e tij që unë të qëndroja pranë të birit, kështu më bën dhe pjesë të aktiviteteve të tyre kriminale. Më shumë sesa shok, unë isha kujdestari i Junior, ndonjëherë merrja përsipër edhe përgjegjësitë e tij.

Isha zbatues i rregullave të Gottit, punëve të tyre të pista, të cilat ai vet nuk i zbatoi kurrë. Unë kam marr armën dhe kam kryer krime, ndryshe nga italianët ne shqiptarët nuk ndruhemi nga dhuna , përballemi , u’a kthejmë me të njëjtën monedhë e tregojmë trimërinë, guximin dhe besnikërinë tonë. Dhe Gotti kishte nevojë pikërisht për këta lloj tipash. Ku i biri gjatë gjithë kohës ka qënë i fshehur pas hijes time , ka mbijetuar dhe përfituar fal guximit dhe aftësive të mija.

5- Pasi dolët nga burgu, çfarë drejtimi mori jeta juaj? Sa e vështirë ishte për ju të bënit një jetë normale?

Ndërsa isha në burg u informova se Gotti po rrëfente shumë gënjeshtra në lidhje me mua, por ato nuk ishin aspak të vërteta dhe unë disponoja dokumenta kundër fjalëve të tij dhe për t’i vërtetuar këto unë e ndjeva si detyrë të rrëfehem. Që të gjithë të më njohin kush ka qënë në të vërtetë John Alite , trimërinë dhe besnikërinë time e treguar ndaj tyre ndërkohë ata u munduan të ma punonin pas shpine “hë mo se shqiptar ky” duke më nënvlerësuar!

Nuk ishte e lehtë t’i rikthehesha jetës normale, por unë jam shqiptar nuk mund t’ja mbathja dhe u riktheva në rrugën ku isha rritur, njerëzit përreth më njihnin dhe më respektonin. Jam me fat që kam nisur një jetë të re duke qëndruar pranë familjes pasi kam humbur shumë kohë duke qëndruar larg tyre, tani jam duke bërë punë të ndershme dhe një pjesë të kohës u’a kushtoj adoleshentëve për t’u treguar sesa e pabesë,  zhgënjyese është jeta e rrugës.

6- Tani që nuk jeni më pjesë e mafies, a ndihet e rrezikuar familja juaj?

Nuk është e lehtë të jesh një kundër italianëve, forcës së mafies, por e rëndësishme është që unë nuk jam më pjesë e tyre. Dhe familja ime e di që unë kam ndryshuar nuk jam më pjesë e mafies dhe unë jam aty për ata. Nëse unë nuk jetoj më, ndoshta vetëm atëherë ata mund të kenë frikë!

7- “Rregullat e Gotti-i” është libri juaj i parë i bazuar në historinë e vërtetë të jetës tuaj. Cilat ishin rregullat e Gotti-t?

Në librin e parë është pasqyruar jeta e vërtet e John Alite, e pasqyruar në fakte të vërteta dhe të dokumentuara. Duke shkruar një libër hidhja poshtë gënjeshtrat e Gottit dhe të gjithë të më njohin për të vërtetën time, besnikërinë e treguar që John Junior Gotti dhe Truchio nuk e bënë kurrë por mbijetuan nën hijen time. Rregullat e Gotti-t ishin të gjitha të rreme, ai i theu të gjitha një e nga një, ai vet nuk i zbatoi kurrë ato, por ishin të tjerët që i zbatuan. Ai i bëri të tjerët të besonin se edhe ai bënte të njëjtat gjëra si të tjerët, por në të vërtet ai nuk i zbatonte. Ai na kërkoi të mos flisnim për vrasjet që kishim bërë por ai vet u kap në një video duke folur për vrasjet që kemi kryer. Gjithashtu Gottit Junior i’u gjet nga FBI-ja një listë me emrat e atyre që kishin shkuar në dasëm nga të Pesë Familjet bashkë me postet në organizatat respektive dhe shifrën e parave të sjella dhuratë. Edhe pse rregulli në familje e donte që këto të mos shkruheshin në letër. Një rregull tjetër ishtë bashkëpunimi më FBI-në që cilësohej tradhëti dhe dënohej me ekzekutim dhe Gotti Junior e kishtë firmosur këtë letër ndërkohë unë ndodhesha në burg. Gjë të cilën natyra dhe karakteri im prej shqiptari nuk më lejonte t’a bëja në fillim kur FBI-ja kërkoi bashkëpunimin tim. Rregullat e Gottit ishin që për të shpëtuar vet, duhet të sakrifikohej dikush tjetër.

8- Tani vini me një libër të dytë, cila është tematika që trajtoni aty? Cila është arsyeja që ju ka shtyrë të shkruani këto libra? A do të shohim ndonjë nga librat tuaj me ndonjë skenar filmi?

Ky libër është shkruar për të treguar sesi ndryshoi gjithë jeta ime, nga një djalë që merrej me aktivitete sportive dhe një shpirt luftarak, në një vrasës të trajnuar. Arsyeja përse unë vendosa të publikoj këtë libër duke u bazuar në historinë e vërtetë të jetës time që vendi im të më njoh. Jam krenar që jam shqiptar ashtu dua të më njohin edhe shqiptarët me syrin e të vërtetës dhe jo si një mafioz italian. Por gjithashtu dua t’u mësoj fëmijëve shqiptar që të shohin jetën me një tjetër drejtim, jo atë të parave dhe argëtimit pasi ajo është një mashtrim dhe duke mos i besuar askujt, sepse gjithkush mund t’ju shes një ditë për para. Mediat mund t’ju shkatërrojnë imazhin tuaj duke e bërë jetën tuaj publike duke rrëfyer të pavërteta rreth jush dhe duke prishur kështu imazhin e shqiptarëve. Por ne Shqipet jemi më të të mirët dhe bota këtë e di.

Me kanë kontaktuar disa regjisor për t’a kthyer në një film, por nëse do të ishte e mundur do të doja t’a shihja të realizuar me producent dhe aktor shqiptar pasi shqipet i kam në zemër. Edhe në trupin tim kam tatuazhe flamuj shqiptar dhe fjalë si Shqipe

9- Ka plot të rinjë që ju shohin si idhull. Cili është mesazhi që keni për ata ?

Më pëlqen të dëgjoj që ka të rinj që më shohin si idhull por nuk do doja që kjo të ishte për atë pjesë të jetës time të errët si kriminel. Dua të më shohin si hero por për arsyet e duhura. Për këtë arsye jam duke u marr me të rinjtë tani, duke i këshilluar ata të qëndrojnë larg jetës së rrugës dhe krimit, të vazhdojnë shkollën , të punojnë, të bëjnë një jetë normale, të gëzojnë jetën dhe të respektojnë familjen.

10- A mendoni të ktheheni në Shqipëri një ditë? Cili është mesazhi për shqiptarët e Shqipërisë Etnike dhe për komunitetin shqiptaro – amerikan?

Këtë vit besoj se do të shkoj në Shqipëri. Mesazhi im për të gjithë shqiptarët është të qëndrojmë sa më të bashkuar më njëri tjetrin, të mos xhelozojnë, por të vazhdojmë të qëndrojmë të fortë dhe besnik ashtu siç jemi ne shqiptarët, krenar për flamurin tonë. Të ndërmarrim hapa për të ndihmuar shqiptarët që jetojnë këtu në Amerikë por edhe për ata që vijnë për t’i punësuar sa më shpejtë. Si dhe të rrisim bashkëpunimin me strukturat për të investuar në Shqipëri duke rritur ekonominë e vendit tonë. Krenar që jemi Shqiptar! Ju falënderoj për intervistën!/JOQ

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat