Kujtime si e njoha Kolonel Xhemal Laçin (1912-1994)

Amerika

Kujtime si e njoha Kolonel Xhemal Laçin (1912-1994)

Nga: Tomë Mrijaj, New York. Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 21:44
Foto realizuar me 15 korrik 1978, në Dasmën e Tomë Mrijaj, në mes është Xhemal Laçi, që ka në krah Monsinjor Dr. Zef Oroshin dhe Dom Rrok Mirditën.

Si e njoha ushtarakun e karrieres Kolonel Xhemal Laçin?

Ishte një ditë e ngrohtë vere në New York. 15 korriku i vitit 1978, ishte ditë gëzimi për familjen time të re, rrethin familjar, dhe posaçërisht për mua, që martohesha. Unë kisha vetëm dy muaj, që isha larguar nga vendlindja e dashur Kosova. Atë natë të gëzueshme, isha i tretur në mendime, sepse më mungonte familja ime në këtë gëzim të madh. Këtu kisha si njerëz më të afërm të rrethit tim, motrën me dhëndrrin dhe fëmijët e tyre të vegjel.  Në atë kohë ishte një numër shumë i vogël bashkëatdhetarësh nga vendilindja ime, që ishin të pranishëm në natën e shënuar të jetës time.

Tani mua më takonte roli i dyfishtë, të pres tek dera, sipas zakonit dhe traditës të hershëm shqiptare. Unë i vetëm, në mungesë të familjes time, së bashku me familjen e mikut, miqtë e shumtë që ishin ftuar nga dy familjet tona, organizuam darsmën e madhe për të ndarë gëzimin e përbashkët të martesës, duke i bashkuar në një sofër të madhe të gjithë miqët tanë shqiptarë mërgimtarë nga zona dhe krahina të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë, Mali i Zi etj. Duhet thenë, për hir të së vërtetës historike, se kjo ishte dasma e parë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikanë, ku dy familje shqiptare bëjnë një darsëm të përbashkët. Shqiptarët, ishin shumë të lidhur me njeri-tjetrin, sepse ishin të pakët në numër si komunitet këtu në New York.

Në atë mbrëmje të paharruar, në hyrje të derës së restorantit, ku ishim rreshtuar të gjithë për të pritur mysafirët, më ra në sy një burrë elegant, i veshur hijshëm me shije të hollë të kohës, i cili, u përqafua përzemërsisht me mikun tim Prendush Gegën.

Ai me buzëqeshje i tha Prendushit: “Ma gjej nji vend, dikund me beqar…” Prendushi, po me buzëqeshje iu përgjigj, se vendi juaj është caktuar pranë meshtarit të shquar Mons Dr. Zef Oroshi. Aty e kuptova se ky person, ishte një personalitet i rëndësishëm.

Image

Gjatë natës, disa herë sipas traditës dhe zakoneve tona të lashta, që i kemi ruajtur me besnikëri, shkuam së bashku me mikun tim në tavolinat e miqëve, për t’iu uruar mirëseardhjen të gjithë të pranishmve në restorantin luksoz, ku po zhvillohej dasma e jonë. 

Para se të fillonte prerja e tortës (ëmbëlsirës) së çiftit, unë me nusen shkuam tek tavolina kryesore, ku ishin të ulur miqët tanë të nderuar: Mons Dr. Zef Oroshi, Dom Rrok Mirdita, etj. Meshtari ynë Monsinjor Oroshi, më njoftoj me njeriun që nuk e njihja, duke më thënë se ky është Kolonel Xhemal Laçi. Kështu me radhë me gotat tona të mbushura me verë i uruam mirëseardhjen të gjithë miqëve të pranishëm në dasmën tonë, të cilët na gëzonin shumë me pjesëmarrjen e tyre…Mbas dy muajve, sërisht jam takuar përzemërisht me Kolonel Xhemal Laçin, më 24 shtator të vitit 1978, me rastin e inagurimit të Kishës së Re “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronx, New York, ku ishte një pjesëmarrje shumë e madhe e komunitetit shqiptar, pa dallim feje dhe krahine.

Ishte një gëzim shumë i madh për të gjithë shqiptarët, që për herë të parë në botën e lirë ata kishin një Kishë Katolike Shqiptare, e cila në Shqipëri prej viteve 1944, po vazhdonte të masakrohej dhe persekutohej barbarisht nga rregjimi ateisto-komunist i diktatorit të egër Enver Hoxha.

Mbas ceremonisë së rastit, për të cilën ka shkruar atë ditë edhe gazeta e famshme e përditshme amerikane The New York Times, vazhdoi programi i ceremonisë, me një darkë festive dhe gazemore, që u shtrua për ketë rast në Hotelin “Chateu Pelham”, në të cilën morën pjesë më shumë se 800 vetë.

Unë, kisha kënaqësinë e veçantë, që së bashku me njerëz të tjerë të përshëndes ngjarjen e shënuar të komunitetit tonë asokohe, duke recituar një poezi kushtuar udhëheqsit shpirtëror, themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA Dr. Mons Zef Oroshit (1912-1989).

Drejtuesi i mbrëmjes më paraqiti mes bashkëatdhetarëve si një i ri i porsa ardhur nga Kosova. Sapo mbarova përshëndetjen, duke zbritur nga foltorja, një burrë me shtrin dorën dhe më përqafon. Ky personalitet ishte Kolonel Xhemal Laçi, i cili, në të njëjtën kohë më njofton me disa intelektual të tjerë, duke u thënë se jam nga Kosova.

Pas disa ditësh, takohem rastësisht me Kolonelin në shtëpinë e Kapedanit të Mirditës Ndue Gjomarku në Queens, NY.  Në makinë gjatë kohës së kthimit Koloneli më thotë, se ka dëshirë një ditë kur të gjenim kohën e përshtatshme, të zhvillojmë një bisedë të gjatë për Kosovën, gjendjen politike, ekomike, sociale të vendit. Aty mësova se ai e donte shumë Kosovën dhe e kishte pikë të dobët, duke u interesuar me detajet më të imta, për gjendjen dhe banorët trima e fisnik të papërkulur Kosovar, përballë makinës dhe gjenocidit serb.

Pas pak ditësh, së bashku me axhën e gruas time, shkuam për ti bërë një vizitë Kolë Bajraktarit në Queens NY. Aty gjetëm edhe Kolonel Xhemal Laçin. Së bashku të gjithë filluam të bisedojmë gjatë për tema të ndryshme.

Ç’ mendonte Koloneli për Kosovën ?

Në një bisedë të ngrohtë me Kolonelin, ai donte të dinte se nga cili vend i Kosovës isha unë. I thashë se jam nga Lugu i Drinit, që i përket Rrafshit të Dukagjinit. Ai me hodhi një vështrim të shpejtë dhe me sinçeritet shtoi: “Unë kam menduar se ju jeni nga qyteti, nga ndonjë familje e ngritur me tradita intelektuale. Këtë përshtypje kisha kur ju takova për herë të pare, në atë mbremje të mrekullueshme kur ju u martuat.”

Meqenëse ai ishte i interesuar të dinte më shumë për familjen time, të parët e mi, unë me ngadalë fillova ti përshkruaj shkurtimisht historinë e familjes ndër shekuj. Kolonelit i tregova, se gjyshi dhe babai i im, kanë qenë Kryetar Komune. Gjyshi ka qenë i shkolluar në Austri.

Biseda jonë ndryshoi temë. Ai me foli për emigrantët politik, që ishin arratisur nga Shqipëria, si pasojë e persekutimit të vazhdueshëm të rregjimit kriminal komunist. “Kur ju Tomë po flisnit për Kosovën, kisha shumë emocione dhe dhimbje të thellë në shpirt, për atë popull trim dhe fisnik, që po vuan nga rregjimi sllavo - komunist në Jugosllavi…”, - më tha Kolonel Laçi.

Image

 

Më pas unë i solla shumë shembuj nga historia e popullit tonë. Gjatë atyre ditëve kisha dëgjuar shumë histori me vuajtje dhe sakrifica nga emigrantë të ndryshëm, që me mund dhe përpjekje të mëdha kishin mundur të mbërrinin në SHBA.

Sa herë që unë flisja, ai me dëgjonte me vëmendje. I thashë se po ju tregoi një rast, që e kam dëgjuar nga babai im dhe e kam vërtetuar këtu në mesin e mërgimtarëve nga Prendush Gega, që ka jetuar për disa vite në krahinën e Llapit.

Bashkëatdhetarit tonë Kolë Bibë Kallabës, i kishte vdekur babai në Dumnic të Llapit (Podujev), Një vendas i quajtur Sali Obraxha e kishte sjellë me qerre kuajsh nga Llapi në Lug të Drinit të vdekurin për t’a varrosur në vorrezat e krishtera.

Babai im ato ditë kishte qenë Shef i Zyrës së vendit dhe kur kërkojnë leje zyrtare për të varrosur u thotë atyre, shkoni tek ajo kulla e i thoni të zotit të shtëpisë se Shefi i Zyrës së vendit, na ka dërguar tek ju, që të na ndihmoni ta varrosim të vdekurin në vorrezat e Ranocit.. Ajo ishte shtëpia e madhe e Gjolleshajve.

Më kujtohet, kur babai im e porositi nënën e tij (gjyshen time), duke i thënë: “Kurdo që të shkosh tek vorrezat e Ranocit, vendos lule apo qiri tek ai varr, që s’ka njeri të vetin këtu.”

Kur babai im erdhi për vizitë në New York, u prit perzemërsisht nga familja e Kolë Bibë Kallabës, që jetonte këtu.

Unë mbaj mend shumë kujtime të bukura, për figurat e shquara të komunitetit tonë në Amerikë, me një pjesë të cilëve kam patur rastin, nderin dhe privilegjin të njihem nga afër dhe të zhvillojmë shumë biseda, me tematikë historike dhe shoqërore. Ata me të vertetë ishin njerëz të mëdhenj dhe atdhetarë të flaktë, që e donin shumë vendlindjen dhe historinë e lavdishme të popullit shqiptar ndër shekuj.

Shqiptarët, tradicionalisht janë popull bujar, sepse kanë vuajtur shumë gjatë pushtimit otoman dhe atij komunist nën ish-Jugosllavi. Një përjetim bujarie dhe zemërgjerësie të madhe e kam dëgjuar nga tregimet e burrit të urtë e të dashur të komunitetit tonë Prendush Gega, gjatë kohës që ai jetonte në Istog (Burim), mbas arratisjes nga ferri komunist i diktatorit antishqiptar Enver Hoxha.

Prendushi e filloi tregimin e tij me plot emocione, duke iu rikthyer shumë viteve më parë, kur i kishte ndodhur një ngjarje, që më vonë bëri bujë për të mirë në të gjithë Kosovën.

Ai kujton: “Ne ishim të gjithë të ardhur nga Shqipëria, mbasi ishim arratisur nga rregjimi i egër komunist atje. Dola nga shtepia, ku banonim të gjithë së bashku. Ishte ditë tregu dhe dola me mendimin se mos po takoj ndonjë të njohur. Ne kishim shumë nevoj për ushqim, sepse nuk kishim asgjë për të ngrenë. Dimri kishte mbërritur heret në shtëpinë tonë. Duke iu afruar tregut, mbas disa minutave pash një burrë të gjatë si lisat e bjeshkëve tona, me veshje kombëtare. Ai mbante në dorë një shami dhe ngadalë po iu ngjiste shkallëve të Bashkisë. I afrohem dhe me një zë të qetë e përshëndes dhe më pas i marr leje se a mund t’ju pyes diçka. Ai me një buzeqeshje me kthen përshendetjen dhe menjëherë më thotë: “Po dashamir, mund të më pyesni çfarë të doni.”

I thashë se ne jemi emigrant politik të arratisur nga Shqipnia. Më vinte zor, sepse është e vështirë për burrin të kërkoj ndihmë. O dashamir a mundeni të më ndihmoni me disa të holla, se jemi pa bukë në shtëpi!? Ai më vështroi në sy dhe pashë se i erdhi keq dhe menjëherë lëshoi shaminë që mbante në dorë e hapi dhe më  ofroj si ndihmë të hollat që kishte në shami. Ai nuk i numeroi të hollat dhe më tha: Merri! Burri fisnik, shtoi: “Nëse ngushtohesh prap, shko tek mulliri im dhe i thuaj se je i derguar nga unë. Asnjëherë mos rrini pa bukë.”

Unë nga gëzimi – tregonte Prendushi, zbrita me shpëjtësi nga shkallët. Kur rashë poshtë kisha harruar ta pyes se kush ishte ai burrë që mi dha paret. E pyes njerin, që ishte aty afër, se si e ka emrin ai burrë që po i ngjitet shkallëve të Bashkisë? Ai mu përgjigj se ai personi quhet Idriz Caka.

Kështu kaluan ditët dhe erdhi stina e pranverës. Gjatë kësaj kohe ne filluam të punojmë dhe pak nga pak i mblodhëm të gjithë të hollat, për t’ia rikthyer njeriut zemër bujarë Idriz Caka.

Një ditë u nisa me paratë në xhep drejt e tek dera e Idriz Cakës. Mbasi u përshendetëm i thash, se kam ardhur për t’ju falenderuar edhe një herë nga zemra e familjes time dhe për t’iu rikthyer paratë që ju më keni dhënë disa muaj më parë, kur ne kishim nevojë të madhe. Idrizi, me buzëqeshje më tha: “Merri paratë! Ne jemi vëllezër dhe nëse ngushtohesh hajde prap…”

Koloneli po e shikonte me vemendje Prendushin. Ai e kuptoj se thashe-thenat që kishte dëgjuar më parë, nuk ishin të vërteta. Ai dëgjoi me veshët e tij ngjarjen dhe pa se dy vëllezër të besimit musliman, kishin ndihmuar me bujari dy vëllezër të besimit të krishterë të arratisur nga Puka e Shqipërisë. Kosova, kishte nxjerrë gjithnjë burra trima dhe zemër bujarë gjithmonë. Nga ajo ditë me Kolonelin mbetëm miq të pandarë.

Cilët ishin miqtë më të ngushtë të Kolonelit?!

Koloneli, ishte një mik i ngushtë i Dr. Mons. Zef Oroshit. Ai ndihmoi me bujari fisnike në ndërtimin e Kishës katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronx, (sot “Zoja e Shkodrës, Hartsdale) New York. Në çdo manifestim të përvitshëm, sikurse ishte 28 Nentori për perkujtimin e Ditës së Flamurit, Koloneli me miqët e tij vinin për të ndarë gëzimin e përbashkët me të gjithë shqiptaro-amerikanët në ambientet e Kishës.

Monsinjor Oroshi e kishte kthyer në traditë Lutjen në Kishën Shqiptare, për të gjithë dëshmorët e të gjithë kohrave, pa dallim feje e krahine të rënë për interesat e larta të Atdheut. Midis shumë miqëve ishin përherë të ftuar: Kolonel Xhemal Laçi, Prof. Arshi Pipa, Imam Isa Hoxha, Prof. Rexhep Keasniqi, Dr. Fuad Myftia, Ismet Berisha, Nderim Kupi, Dr. Sami Repishti, Prof. Luan Gashi, Prof. Zef Nekaj etj. Koloneli ynë gëzonte respektin e të gjithëve. Kështu Kapidan Ndue Gjomarku e çmonte shumë, për qëndrimet e tij burrërore, karakterin e fortë prej burri dhe pathyeshmërinë e tij në rastet delikate.

Papajtushmërit në mendime me anëtar të partive të tjera të emigracionit  a reflektoheshin në sjelljen e tij?! Apo kishte një qendrimt të tillë që respektonte bindjet e secilit.

Një herë më tha Kapidani: “Edhe pse asht legalist e i betuem si monarkist besnik i Mbretit Ahmet Zogu dhe birit të tij Leka Zogu I, ne takimet tona asnjiherë se kam dëgjue tuj fol për partin e tij se cilës i perket. Ai asht nji njeri i rregullt e shum i vendosun, për të ndjek me besnikri traditat e hershme shqiptare…”

Si i trajtonte miqtë?

Me daljen në pension të Dr. Mons Zef Oroshit, Koloneli së bashku me Fuad Myftinë nuk e harrojnë asnjëherë miqësinë e vjetër, që kishin me klerikun e shquar atdhetar, antikomunistin e vendosur dhe dashamirin e madh të Shqipërisë (vendlindjen, Mirditën) dhe Kosovës martire.

Unë kam përcjellë disa herë me makinë Kolonelin në shtëpi dhe kam dëgjuar nga goja e tij fjalë shumë të mira për figurat e shquara të diasporës shqiptare këtu në Amerikë dhe posaçërisht për Imzot Oroshin dhe të tjerët, me të cilët i lidhte një miqësi e pastër dhe e ngushtë tipike shqiptare, pa dallim feje dhe krahine.

Nëpër foto të ndryshme kam parë që ishte në pararojë të çdo demonstrate, mund të më flisni më gjatë për qendrimet e tija?

Kolonel Xhemal Laçi, iu parapriu çdo demonstrate patriotike në krye të Levizjës së Legalitetit, që u zhvilluan për shumë vite nga mergata shqiptare këtu, për përmbysjen e komunizmit në trojet shqiptare dhe padrejtësitë, që i bëheshin vëllezërve të Kosovës së roberuar nga rregjimi famkeq serbo-sllav. Sipas një bisede, që kisha me legalistin Enver Shaska, në lidhje me Kolonel Laçin, ai më tha edhe këtë episodë:- “Me Kolonel Laçin, u larguam nga Shqipëria nga fundi i vitit 1944, mbasi komunizmi kishte dominuar kudo në trojet shqiptare. Pjesa e pakënaqur, duke mos pas shprese vendosëm të largoheshim me qëllim që në vendet Perendimore të Europës të gjejmë mbështetje dhe të organizohemi për t’u rikthyer një ditë sërisht në vendlindje për të përmbysur komunizmin. Ne për shumë vite ishim të organizuar në shoqata patriotike dhe parti politike antikomuniste në diasporë dhe prisnim momentin që situate ndërkombëtare të ndryshonte në dobi të krahut tonë dhe për lirinë dhe demokracinë e trojeve tona etnike shqiptare, që ishin të pushtuar nga komunizmi i zi. Një grup i madh vullenetarësh nga trojet shqiptare qëndruam për një kohë të gjatë në Mynih të Gjermanisë në ushtri për tu stërvitur brenda Kompanisë 4000, që një ditë të shpejtë të mësyjmë Alpet tona. Por kjo ditë nuk erdhi asnjëherë. Një ditë gjenerali amerikan kaloi në repartin ku ne u gjendeshim. Papritur dëgjuam zërin e Kolonel Xhemal Laçit, që iu drejtua me zë të lartë gjeneralit amerikan:”Deri kur do të presim!?” Gjernerali amerikan me buzëqeshje iu pergjigj: “Ne besojmë se shumë shpejt, do të vijë ajo ditë!” Kolonel Laçi ishte një ushtarak me të gjitha përgatitjet e duhuara të kohës. Ai kishte një kulturë perëndimore, por edhe një bagazh të pasur të traditës shqiptare, që e kishte trashëguar nga koha e hershme e rinisë brenda familjes, në Pukën e tij që e deshti aq shumë me mall e nostalgji gjatë gjithë jetës.”

A reflektonte shpesh mallin për vendlindjen?

Kujtojmë, se Shqipëria ende jetonte në kthetrat e komunizmit të diktaturës së Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij fanatik. Por Koloneli shpresonte dhe besonte se në Shqipëri herët ose vonë do të shembej komunizmi, përpara se ai të mbyllte sytë dhe ta shihte Atdheun të lirë dhe demokratike.

“Unë dua të prehem në Atdhe, atje ku i kam të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes ndër shekuj. Atdheu im është Shqiperia të cilën e dua shumë shumë…”, - më thoshte shpesh Koloneli. Ai fliste me emocione sa herë që përmendej Shqipëria dhe Kosova.

Falë Zotit, dëshira e Kolonel Xhemal Laçit u bë realitet. Mbas rrëzimit të komunizmit në vitet 1990, i erdhi djali (Muhameti) për vizitë në New York. Më vonë, u kthye Koloneli në vendlindjen e tij. Ato ditë që ai po përgatitej për tu rikthyer në Atdhe, unë shkova për t’i uruar udhë të mbarë, i gëzuar se ëndrra e tij u bë realitet, falë besimit të patundur, që ai kishte se një ditë diktatura komuniste do të shembej dhe do shihte dhe prekte nga afër shtëpinë dhe truallin e të parëve të tij në vendlindje.

Atë mbremje isha aty së bashku me dy miqët e tij të ngushtë Ndrecë Gjergjin dhe Zef Berishën. I thashë Kolonel, kam ardhur për t’iu uruar udhë të mbarë në vendlindje! Të kujtohet se sa herë cikrronim gotat më uroje, se ishalla së shpejti e shohim Shqipërinë e Lirë dhe Demokratike! Dhe mu përgjigj se nuk ka dasht të shkonte në Shqipëri në këtë mënyrë, por si ata burrat e mëdhenjë që u hodhën me parashutë e dhanë jetën për atdhe.

Fatmirësisht, Koloneli ynë, është ndër të vetmit, që u kthye në vendin e tij, vend për të cilin vuajti gjithë jetën.

Sot trupi i atij burri të madh prehet në vendin e shqiponjave, të cilit burrërisht i shërbeu gjithë jetën. Kolonel Xhemal Laçi, u nda nga jeta në Shkoderlocen e tij të dashur, në vitin 1994, ku la amanet që eshtrat e tij të prehen në Pukë, që ishte dhe vendlindja e tij.

Lajmi i idhët i asaj dite, më kujtoj me mall e nostalgji ato ditë dhe çaste të bukura plot kujtime të paharruara, për te dhe miqët e shumtë bashkëatdhetarë të tij, që i deshti dhe e donin me gjithë zemër…

Në vitin 2012, në postën elektronike më kishte ardhur një mesazh ku thuhej: “Jam mbesa e Xhemal Laçit, studente e Universitetit të Shkodrës Leonora Laçi. Jam informuar se jeni një mik i tij. Nëse ju zoti Tomë, keni ndonjë dokument apo shkrime për Xhemalin të na i dergoni. Ne do t’ua dinim shumë për nder të gjithë si familja e tij këtu në vendlindje.”

Duke e lexuar sërisht mesazhin, m’u kujtuan fjalët e miqëve, që kaluam shumë vite bashkë me ta në gezime dhe hidhërime.

Mesazhi i Leonorës, më gëzoi shumë. Thashë me vete në ato momente, se ndoshta do të dalin edhe shumë të rinj të tjerë, që do të interesohen për historinë dhe njerëzit e tyre, që punuan e jetuan me plot sakrifica për Atdheun dhe pse jetuan dhe punuan shumë larg vendlindjes, të anatemuar për dekada më radhë nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës.                                                             

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat