Shqiptarët në Filadelfia për të gjashtën herë e ngritën flamurin në bashkinë e qytetit (City Hall) - Bota Sot
Shqiptarët në Filadelfia për të gjashtën herë e ngritën flamurin në bashkinë e qytetit (City Hall)

Amerika

E hënë, 11 dhjetor 2017

Shqiptarët në Filadelfia për të gjashtën herë e ngritën flamurin në bashkinë e qytetit (City Hall)

Nga: Sadik Elshani Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 14:35
Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia ka organizuar për ta shënuar këtë Ditë të Madhe, Festën tonë Kombëtare.

28 Nëntori – Dita e Flamurit është një Ditë e Madhe, Ditë e Shenjtë, dita më e rëndësishme në historinë shumëshekullore të kombit tonë. Atë ditë të Vitit të Madh, 1443, Skenderbeu u kthye në Krujë, ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenare në mes, për të shënuar pastaj periudhën më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Dhe pas një pushtimi gati pesëshekullorë, më 28 nëntor të vitit 1912, në praninë e përfaqësuesve nga të gjitha trevat shqiptare, Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Të tjerat i ka thënë historia dhe tani të përqëndrohemi  te veprimtaritë që shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia ka organizuar për ta shënuar këtë Ditë të Madhe, Festën tonë Kombëtare.

Më 20 nëntor shoqata jonë mori pjesë në Paradën e Ditës së Falenderimeve (Thanksgiving Parade). Nxënësit e shkollës “Gjuha jonë” ishin veshur me kostumet e bukura kombetare dhe së bashku me prindërit e bashkëkombësit tjerë marshonin të shoqëruar nga këngët e vallet shqiptare, ku mbizotëronin ato atdhetare. Përcjellësit e shumtë të paradës i pëlqenin shumë kostumet tona kombëtare dhe me gjeste me duar e trup u bashkangjiteshin ritmeve të muzikës sonë. Si çdo vit tjetër më parë, më 25 nëntor u organizua Mbrëmja e Madhe e Flamurit me një darkë të begatë e program të pasur artistik.

Image

Të pranishmit i argëtoi grupi muzikor i Edi Duros dhe këngëtaret Mira Konçi e Nazife Bunjaku. Për herë të parë në mesin tonë e kishim artistin Mirush Kabashi, i cili me recitimet e tij me plot emocione e ngriti në këmbë tërë sallën. Ne këtë mbrëmje festive ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shqipërisë në ShBA, zonja Floreta Luli-Faber, si dhe kryetari i Akademise Shqiptaro – Amerikane te Shkencave dhe Arteve, profesor Skender Kodra. Po ashtu, këtë vit për nder të Ditës së Flamurit kemi filluar edhe me vizita në familjet e shqiptare.

Dhe ja erdhi edhe data e 28. Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Filadelfias organizon ngritjen e flamurit tonë në Bashkinë e Filadelfias me një ceremoni solemne. Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Filadelfias.

Ngritjenen e flamurit në bashki gjithmonë e kemi organizura ditën e premte, pas së enjtes së Ditës së Falenderimeve (Thanksgiving), sepse shkollat janë të mbyllura dhe një pjesë e shqiptarëve e kanë ditë të lirë. Pra, na siguronte një pjesëmarrje të madhe të bashkatdshetarëve. Këtë vit për shkak të disa veprimtarive të tjera në bashki, ne nuk mund ta organizonim veprimtarinë në ditën e premte dhe ne zgjodhem ditën e martë, 28 nëntor, që ishte ditë pune. Për këtë ishim të shqetësuar se, a do të mund të siguronim një pjesëmarrje të lakmueshme të bashkatdhetarëve? Më vonë u vërtetua se shqetësimet tona kishin qenë të pabaza...

Herët në mëngjes Haki Çollaku me vëllaun e tij, Hasbiun, që kishte ardhur nga Shqipëria dhe djalin e tij, Drinin, kishin sjellur flamujt dhe pajisjet e zbukurimet përkatëse për ta përgatitur skenën, tribunën ku do të mbahej manifestimi. Pas pak castesh erdhi edhe shkruesi i këtyre radhëve dhe disa të tjerë që menjëherë iu përveshën punës për ta rregulluar skenën. Skena u rregullua për bukuri e me shije mjeshtërorë artistike, me një flamur të madh kombëtar në sfond, flamuj shqiptarë e amerikanë anash dhe në mes prttretet e Skenderbeut dhe Ismail Qemalit.

Image

Duke ardhur një nga një e grupe – grupe sheshi u mush plot shqiptarë. Të gjithë vinin me fytyra të qeshura, sepse ngritja e flamurit në qytetin e Filadelfias, në vendlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është nder, është një mirënjohjë për Shqipërinë, gjithë shqiptarët dhe posaçërisht, bashkësinë shqiptaro – amerikane të Filadelfias. Për shqiptarët nuk ka simbol më të shtrenjtë se flamuri ynë. Është ky Flamuri i Shenjtë i Skendrbeut, që pasqyron shpirtin e pastër, karakterin e fortë dhe vlerat e larta morale e njerëzore të kombit tonë, flamuri që bashkon të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në botë. Edhe në këtë ceremony shqiptarët ishin mbledhur të bashkuar, ashtu siç na thërret edhe Himni ynë kombëtar: “Rreth flamurit të përbashkuar…”

Në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Filadelfias, Jim Kenney, në këtë ceremoni merrnin pjesë Përfaqësuesja e Qytetit të Filadelfias (City Representative), zonja Sheila Hess dhe zëvendësdrejtorja e Zyrës për Çështje të Emigrantëve, zonja Symbol Lai. Që në çastet e para të takimit tonë, zonjat Hess e Lai shprehen befasinë e tyre të këndshme për numrin e madh të pjesëmarrësve, organizimin shumë të mirë dhe atmosferën festive, shumë të gëzuar, plot energji e dinamizëm. Shihje vetëm fytyra të qeshura. Ceremoninë e hapi zoti Sadik Elshani, i cili u uroi të pranismëve 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe bëri disa njoftime lidhur me programin e kësaj veprimtarie. Gjatë këndimit të Himnit tonë Kombëtar në shtyllë ngritej flamuri Kuq e Zi, flamuri i shqiptarëve. Për të ngritur flamurin këtë vit u nderuan zotërinjtë Bajram Berisha, afarist nga Shqipëria, mbështetës i shoqatës sonë dhe zoti Bujar Çela, anëtar i Këshillit Drejtues të shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Pas këndimit të himneve kombëtare të ShBA-ve dhe atij shqiptar, fjalën e mori z. Tajar Domi, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

Në fjalën e tij z. Tajar theksoi rëndësinë e kësaj date që nga koha e Skenderbeut e gjer te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë në Vitin 1912, përpjekjet shumëshekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi. Ai i bëri një përshkrim edhe rrugëtimit 100 vjeçar të Shqipërisë së pavarur, që kohëve të fundit është bërë një faktor me rëndësi i stabilitetit në rajon e më gjërë, rolin e saj në NATO dhe pjesëmarrja e saj në misionet paqëruajtëse në Iraq e Afganistan. Një pjeës të fjalës së tij ai ia kushtoi edhe ndihmës së madhe që ka dhënë Amerika në mbrojtjen dhe përkrahjen e Shqipërisë dhe çeshtjes shqiptare në përgjithësi. Për këtë populli shqiptar gjithmonë do t’i jetë mirënjohës Amerikës dhe popullit amerikan. Duke e përfunduar fjalën e tij, ai u bëri një thirrje të gjithë pjesëmarrësve:

 “Të nderuar pjesëmarres : Duke përkujtuar 28 Nëntorin, Ditën tonë të Flamurit, të gjithë ne së bashku kemi detyrimin atdhetar , për të trashëguar ndër brezat e fëmijve tanë, gjuhën e bukur shqipe, kulturën e historinë tonë kombëtare, dhe të ndjehemi krenar me to. Në të njejtën kohë le të falenderojmë bashkinë e këtij qyteti dhe shtetin e Pennsylvanisë , për mundesitë e shkëlqyera që u japin komuniteteve të ndryshme, midis tyre edhe atij shqiptar, që të evidentojnë dhe manifestojnë për ngjarjet e mëdha historike të tyre, siç është edhe Dita jonë e Flamurit për të cilën jemi mbledhur sot.”

Pastaj shumë e entuziazmuar dhe e emocionuar, fjalën e mori zonja Sheila Hess, e cila tha se ndihej e privilegjuar që po merrte pjesë në festimin e 105 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe njëherësh po sillte përshëndetjet e ngrohta dhe konsideratën e lartë të kryebashkiakut (Mayor-it) Jim Kenney. Ajo falenderoi shoqatën “Bijtë e Shqipes” për ndihmesën e dhënë për të organizuar këtë ceremoni të përbashkët. Ajo shtoi se ky vit shënon edhe 15 Vjetorin e Themelimit të shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe uroi për punën e mirë që po ben shoqata për të mbështetur, për të promovuar dhe për të bashkuar bashkësinë shqiptare të Filadelfias.

Filadelfia është një qytet i pasuruar me llojshmërinë e popujve të ndryshëm që vijnë nga të gjitha anët e globit dhe e zgjedhinë Filadelfinë si shtëpi të tyre për të rritë familjet, bërë biznes dhe për të përparuar, vazhdoi ajo. Ndërsa për rolin e shqiptarëvë në Filadelfia ajo u shpreh: “Qyteti mirëpritës i Filadelfias përparon (lulëzon) me kontributin që e bëjnë shqiptaro – amerikanët e Filadelfias në të gjitha fushat e jetës së qytetit – zhvillimin ekonomik e tregtar si dhe karakterin dhe pasurinë kulturore të lagjeve tona.”

Ajo gjithashtu i njoftoi të pranishmit se qyteti i Filadelfias dhe kryebashkiaku Kenney janë të përkushtuar për t’i mirëpritur emigrantët nga të gjitha anët e botës. Pas përfundimit të fjalës së saj ajo ia dorëzoi zotit Domi Proklamatën me të cilën kryebashkiaku i Filadelfias e nderonte Shqipërinë në përvjetorin e saj të pavarësisë dhe shoqatën “Bijtë e Shqipes” me rastin e 15 Vjetorit të Themelimit të saj dhe e shpallte 28 Nentorin e vitit 2017 si Ditën e Shqipërisë në Filadelfia.

Në vazhdim fjalën e mori zonja Symbol Lai, e cila shprehu kënaqësinë që në emër të kryebashkiakut po na uronte mirëseardhjen në Bashki për ta shënuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe ajo e theksoi se Filadelfia është qytet ku emigrantët janë të mirëpritur, “kështu ne ndërtojmë paqen dhe mirëkuptimin në mes të popujve të ndryshëm”.

“Ceremonia e sotme e ngritjes së flamurit është një rast jo vetëm për të shfaqur lidhjet tuaja me Shqipërinë, por edhe për të përparuar këmbimet ndërkulturore, kështu që qytetarët që nuk janë familiar me muziken tuaj, ushqimet tuaja, ose traditat tuaja, mund të mësojnë për pasurimin dhe aromën që po i kontribuojnë qytetit tonë ne rritje” – theksoi zonja Lai.

Pas këtyre fjalimeve të shkurtëra përsëri jehoi kënga dhe vallja shqiptare. Me kaq veprimtaria në sheshin përpara Ndërtesës së Shërbimeve Komunale mbaroi për të vazhduar pastaj me një Pritje (Reception) në Ndërtesën e Bashkisë (City Hall). Këtë vit ishte hera e parë që po organizonim një pritje të tillë, por çdo gjë ishte rregulluar bukur: tavolinat mbushur me plot ushqime tradicionale shqiptare, ushqime të tipit aperitiv të përshtatshme për kokteje të tilla, pije të ndryshme. Për këtë ishte kujdesur zoti Enver Parllaku, nga restoranti "La Fontana”, si dhe shumë zonja shqiptare. Edhe zoti Jakup Domi kishte sjellur ca ushqime te shijshme, ndërsa zoti Shpëtim Daku kishte sjellur ca shishe me verë.

Edhe në këtë sallë madhështore mbizotëronte një atmosferë festive dhe shumë e gëzueshme. Bashkatdhetarët po këmbenin bisada të përzemërta, po shprehnin kënaqësinë për organizimin shumë të mirë të festimit të Ditës së Flamurit ne Bashkinë e Filadelfias, shprehnin falenderimet për shoqatën “Bijtë e Shqipes” dhe veprimtarët e saj të angazhuar në organizimin e kësaj ceremonie.

Në këtë pritje merrte pjesë edhe miku i shqiptarëve, anëtari i Këshillit Bashkiak, zoti Mark Squilla, i cili me kënaqësi iu drejtua të pranishmëve, duke shprehur adhurimin e tij për këngët dhe vallet tona që luhen me aq energji e dinamizëm dhe se e ndiente veten të lumtur që po festonte së bashku me miqtë e tij shqiptarë. Ai i porositi shqiptarët që fëmijve të tyre t’ua mësojnë gjuhën shqipe, traditat shqiptare, sepse këto janë vlera që i begatojnë shqiptaro – amerikanët. Po ashtu, ai e përgëzoi shoqatën “Bijtë e Shqipes” për punën e mirë që po bën në këtë drejtim, duke e mbajtur hapur shkollën shqipe, duke organizuar me dhjetëra veprimtari atdhetare e kulturore.

Kështu edhe këtë vit me plot sukses u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit në Bashkinë e Filadelfias. Nuk mund ta mbyllim këtë shkrim pa i shprehur falenderimet dhe mirënjohjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetit të Pennsylvanias dhe qytetit të Filadelfias që na kanë pranuar si qytetar të lirë e të barabartë, ku jetojmë, punojmë, studiojmë, rrisim familjet tona dhe me krenari e ngremë flamurin tonë Kuq e Zi. Ndërsa Shqipërisë sonë të dashur i urojmë mbarësi e përjetësi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test