Ilirjan Rusi – dibrani që është një figurë e çmuar në SHBA - Bota Sot
Ilirjan Rusi – dibrani që është një figurë e çmuar në SHBA

Amerika

E martë, 23 janar 2018

Ilirjan Rusi – dibrani që është një figurë e çmuar në SHBA

Më: 3 janar 2018 Në ora: 06:00
Ilirjan Rusi me Bill Clintonin

Ilirjan Rusi është një veprimtar i njohur të diasporës shqiptare në SHBA. Ai është dibrani, që me familjen e tij tash disa dekada jetojnë në Nju Jork, dhe është bërë një emër i respektuar nga figura eminemte të politikës dhe administratës amerikane, që ka dhënë kontribut të madh për çështjen shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe trevat e tjera.

 Ai në një intervistë të posaçme për INA, flet për familjen e tij dhe aktivitetet e tij.

A mund të na flisni me pak fjalë për një histori të shkurtër të familjes suaj?

Ne jemi një familje nga Dibra që si shumë shqiptarë kemi emigruar në SHBA. Babai im është Turhan Rusi dhe nëna ime është Lirije. Kam dy vëllezër, Selimin dhe Beniaminin. Ata më quajnë Ilir, por emri im i plotë është Ilirjan. Kemi pasur edhe motrën tonë Florina, e cila vdiq nga kanceri në gji në vitin 2003, edhe ate në moshë shumë të re 33  vjeçare. Ajo ishte e martuar me Faton Marken, dhe la pas tre djem të shkëlqyer.  Prindërit e mi dhe vëllai i madh Selimi kanë lindur në Dibër, ndërsa ne fëmijët e tjerë kemi lindur në Shkup.

Pse dhe kur familja juaj emigroi në SHBA?

Si shumë familje, edhe ne ia mësyem SHBA-ve. Në rrethanat siç ishin ne u larguam nga ish-Jugosllavia në vitin 1969, duke qëndruar për tetë muaj në Itali si refugjatë dhe pastaj në shkurt të 1970 mbërritëm në SHBA, gjegjësisht në Nju Jork. Për një kohë të shkurtër iu përshtatëm jetës dhe pas tre muajve prindërit e mi gjetën punë. Jeta jonë ishte si emigrantë, duke u vendosur në një apartament në Brooklyn. Babai im për të siguruar një jetë sa më të mirë punonte nga dy punë, ndërsa edhe nëna ime ishte punësuar në kompani pastrimi. Imagjinoni se si ndjeheni të pasigurtë në një vend ku nuk flisni gjuhën, nuk dini vende dhe ku kishte vetëm një grusht shqiptarësh. Nuk është gjë e lehtë të kalosh këto sfida, por Perëndia bekoi  prindërit e mi, të cilët me forcat e tyre dhe vendosmërinë  sakrifikuan për një të ardhme më të mirë edhe për ne si fëmijë të tyre. Nuk ishte e lehtë për asnjë prej nesh, por ne të gjithë ia arritëm, duke arritur qëllimet dhe suksesin tonë.

Ju jeni i njohur si emër i përfshirë në aktivitete të diasporës shqiptare, në radhët e KKSHA?

Po sigurisht ne kemi qenë të përfshirë në aktivitete sa i përket përfaqësimit sa më të mirë të diasporës shqiptare në SHBA, por edhe për të ndihmuar çështjen tonë të shqiptarëve. Kam qenë anëtar i Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan që nga fillimi dhe isha edhe kryetar për dy mandate. Gjatë kësaj periudhe jam takuar me shumë personalitete politike të administratës amerikane, por edhe liderë, politikanë dhe aktivistë të shoqërisë civile në Ballkan, sidomos Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, dhe më gjerë. Ndërsa vlen të theksohet edhe takimet e rëndësishme me ish-presidentin Bill Klinton dhe ish-presidentin Xhorxh Bush, të cilët njihen për kontributin e tyre për ne. Ndërsa siç thash kam takuar shumë personalitete dhe udhëheqës nga rajoni, dhe së fundi arrita ta takoj edhe kryeministrin aktual Zoran Zaev, para dy muajve kur ishte në Nju Jork. Sa i përket kontributit për Maqedoninë, është i rëndësishëm kontributi për Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa gjatë luftës në Kosovë isha në Rambuje për bisedimet dhe në këtë kohë ishte e rëndësishme edhe përfshirja e Richard Holbrook dhe Arben Xhaferrit.

Por si duket Dibra është lënë prapa. Cili është kontributi juaj?

Po ne jemi munduar të japim kontributin tonë për Dibrën. Familja jonë së bashku me bashkëshortin e motrës sonë të ndjerë, Faton Marke kemi hapur një Klinikë për trajtimin e kancerit në Dibër, ku aty orfohen teste falas për monogram dhe përpiqemi të edukojmë gratë për rëndësinë e ekzaminimit,  sepse zbulimi i hershëm është mënyra më e mirë për të mbijetuar kancerin. Organizata jofitimprurëse quhet Florina Rusi Marke Cancer Foundation.

Sa është e organizuar diaspora në SHBA?

Ne jemi mjaft mirë të organizuar, por ne të gjithë bëhemi bashkë kur kemi një sfidë apo nevojë, dhe kjo është dëshmuar në të kaluarën. Diaspora jonë ka ruajtur traditat tona dhe vëllezërit e motrat tona shqiptare janë të rëndësishme për ne. Ne vazhdojmë të promovojmë vlerat tona, por duke kontribuar edhe për vendlindjen, ku atje duam që të respektohen të drejtat themelore të njeriut dhe të drejtat e barabarta. Por përveç kësaj përpiqemi të ndihmojmë në sigurimin e vendeve të reja të punës pasi ekonomia është në gjendje të vështirë në Ballkan.

Cili është mesazhi juaj për vendlindjen?

Mesazhi im është që të krijojmë një rini me potencial të plotë, e përgatitur dhe e arsimuar.  Vendlindja jonë sidomos në Maqedoni ka nevojë për punë, të hapen vende të reja të punës që rinia të punësohet dhe të mos marrë rrugën e mërgimit. E kemi të qartë se ekonomia është e vështirë, por duhet të krijohen kushte, të stabilitetit dhe frymës së mirëqenies, por edhe arritjen e barabarësisë institucionale. Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të jenë pjesë e BE dhe NATO, me kufijt të hapur që qytetarët dhe mallrat të lëvizin lirshëm. Zhvillimi ekonomik, tregtia dhe arsimimi i shëndosh krijon vende pune, rrit konkurrencën dhe krijon një të ardhme që të gjithë e duan.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test