Majko takon shqiptarët e Amerikës: Libra dhe regjistrim për fëmijët e lindur jashtë vendit - Bota Sot
Majko takon shqiptarët e Amerikës: Libra dhe regjistrim për fëmijët e lindur jashtë vendit

Amerika

E diel, 25 shkurt 2018

Majko takon shqiptarët e Amerikës: Libra dhe regjistrim për fëmijët e lindur jashtë vendit

Më: 3 shkurt 2018 Në ora: 22:24
Pandeli Majko

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, nisi të shtunën një vizitë disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndalesën e parë e bëri në Miçigan, ku edhe jeton një numër i madh shtetasish shqiptarë.

Majko, i shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber, dhe përfaqësues të tjerë të diasporës atje, vizitoi qendrat fetare të komunitetit shqiptar në Rochester Hills. Ministri pa nga afër Kishën Katolike të Shën Palit e cila në çdo cep të saj kishte gjurmë shqiptare. Ndërsa famulltari i Kishës Dom Fred Kalaj e njohu me ambientet e mbushura me simbole e figura shqiptare, si Nënë Tereza dhe Skënderbeu. Ministri Majko tha se bëhej fjalë për një lidhje shumë të bukur mes besimit dhe ndjenjës kombëtare.

Në Kishën e Zojës Pajtore të Shqiptarëve, Kisha e dyte Katolike e shqiptarëve në Rochester Hills, Ministri i Shtetit për Diasporën dhe delegacioni që e shoqëronte u prit nga famulltari Dom Ndue Gjergji. Ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e forta të komunitetit, Majko tha se ishte shumë e rëndësishme që një komunitet të gjente pikat e lidhjes. Përfaqësuesit e Kishës e ftuan Ministrin të merrte pjesë në aktivitetin që zhvillohet në datat 15-16 qershor, kur mijëra shqiptarë mblidhen në Miçigan.

Më pas, Ministri i Shtetit për Diasporën vizitoi Teqen e Baba Rexhepit, e para Teqe Bektashiane e hapur në SHBA. Në Teqen ku gjithashtu, simbolet fetare ndërthureshin me ato kombëtare z. Majko u prit nga përfaqësues të komunitetit Bektashian dhe Dervishi Eliton Pashaj. Në fokus të diskutimeve ishte ruajtja e gjuhës shqipe tek brezat e rinj. Z. Majko shprehu gatishmërinë për t’u angazhuar për sigurimin e librave të gjuhës shqipe për shqiptarët atje dhe regjistrimin e fëmijëve të lindur jashtë vendit.

Vizitat në qendrat fetare të shqiptarëve në Miçigan, Ministri Majko i mbylli në Qendrën Islamike Shqiptare ku u takua me përfaqësues të këtij komuniteti dhe Imamin Shuaip Gerguri. Gjatë takimit z. Majko informoi të pranishmit lidhur me hapat që po ndërmerr bashkë me qeverinë për krijimin e lehtësirave për shqiptarët e diasporës.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test