Nju Jork, homazhe në varrezat e Vëllezërve Bytyqi, dëshmorë të UÇK-së - Bota Sot
Nju Jork, homazhe në varrezat e Vëllezërve Bytyqi, dëshmorë të UÇK-së

Amerika

E shtunë, 24 shkurt 2018

Nju Jork, homazhe në varrezat e Vëllezërve Bytyqi, dëshmorë të UÇK-së

Beqir SINA - Yonkers New York Nga Beqir SINA - Yonkers New York Më 6 shkurt 2018 Në ora: 17:41
Homazhe në varrezat e Vëllezërve Bytyqi

YONKERS NEW YORK : Në kuadrin e aktiviteteve për shënimin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nën kujdesin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, dje më 5 Shkurt në Yonkers – Nju Jork, u bënë Homazhe dhe u vendosën kurora tek varrezat e tre dëshmorëve të UÇK-së nga Batalioni Atlantiku - vëllëzërve Bytyqi.

Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko dhe ministri i Diasporës së Kosovës z.Dardan Gashi, gjatë vizitës së përbashkët, në Nju Jork, kan vizituar varrezat e vëllezërve  Ylli, Agron dhe Mehmet  Bytyqi, dëshmorë të UÇK-së, dhe me këtë rast vendosën kurorë me lule dhe bënë homazh.

 Ata së bashku me Ambasadoren Tetuta Sahatçia, konsullin Ylber Kryeziu, dhe një grup ish luftëtarësh të Batalionit Atlantiku, bënë homazhe pranë varreve të tyre, në shenjë respekti për kontributin e tyre për lirinë e Kosovës, të cilët e dhanë edhe jetën për atdheun e tyre.

Vëllezërit Bytyqi, kanë qenë pjesëmarrës të Batalionit Atlantiku, të cilët bashkë me shqiptarë të tjerë, kanë shkuar nga Amerika, për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së, për lirinë e Kosovës.
Vëllezërit Bytyqi janë vrarë pabesisht - prapashpine nga policia serbe më 9 korrik të vitit 1999, dhe ende nuk janë gjykuar kryersit e këtij krimi, që mori jetën e dhe tre shqiptaro amerikanëve .
Trupat e vëllezërve Bytyqi, të maskruara u gjetën tre vjet më vonë në një varr masiv rreth 400 kilometra nga kufiri, në një qendër stërvitore të policisë serbe në Petrovo Selo, dhe u sollën në Nju Jork, në shkurt të vitit 2002, tri vjet pasi ata ishin vrarë nga poliicia serbe.
 
Gjithashtu, në këtë ceremoni morën pjesë edhe anëtarët e Shoqatës së veteranëve të Batalionit Atlantiku të UÇK-së – ish luftëtarët shqiptarë nga Shtetet e Bashkauara të Amerikës, që shkuan e luftuan 19 vjetë më parë, në luftë për çlirimin e Kosovës, dhe disa veprimtar të dalluar të komunitetit, e të tjerë.

Ceremonia e cila është e përvjetshme u mbajtë  tek varrezat në kompleksin e varrezave qytetare – “Holy Mount Cemtry Ofc” në Winter Hill Rd, Tuckahoe – në Yonkers – New York , aty ku prehen edhe tre dëshmorët shqiptar nga Amerika, që dhanë jetën në Kosovë, për lirinë e saj : vëllezërit Bytyqi, Ylli, Agron dhe Mehmet të tre ish ushtarë të Batalionit Atlantiku.
    Me këtë rast pranë memorialit e tre të rënëve, tre bijëve të tyre, ishte familja Bytyqi, babai i tre vëllezërve dëshmor Ahmet Bytyçi, me nënën e tyre, që u përulën pranë varreve të tre djemve të tyre.
 
Më pas secili nga të pranishmit njeri pastjetrit qëndruan në heshtje, duke u përulur në shenjë respekti, për tre dëshmorët e lirisë, Ylli, Agron dhe Mehmet Byrtyçi.
Pelegrinazhi i përvitshëm, nisi me një takim përkujtimor në mjediset e hotelit Royal Regency, aty ku për herë të parë 400 djem dhe vajza nga Amerika, u nisën për të luftuar në Kosovë, në kuadër të Batalionit Atlantiku nga SHBA.

Në këtë takim në emër të ushtarëve shqiptarë, që shkuan për të luftuar për çlirimin e Kosovës, foli ish komandanti i UÇK-së, kryetari i shoqatës Atlantiku Gani Shehu, kurse, në emër të qeverisë së Kosovës, ministri i Diasporës së Kosovës z.Dardan Gashi dhe qeverisë së Shqipërisë, Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, dhe në emër të  familjes Bytyçi, babai i tre vëllezërve dëshmorë, Ahmet Bytyqi i cili falenderoi në emër të familjes.

Në këtë takim folën edhe ish ushtarët e Batalinot Atlantiku, - Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët treguan se si tre vëllezërit luftëtar nga Amerika, u torturuan dhe u vranë nga paramilitarët serbë, pak pasi lufta e suksesshme për liri e pavarësinë e Kosovës, në qershor 1990, kishte përfunduar dhe Sërbia ishte larguar njëherë e përgjithmonë nga Kosova.
Babai i tre vëllezërve, Ahmet Bytyqi, i falënderoi dy ministrat për vizitën dhe u shpreh se është i nderuar që dy shtete erdhën dhe nderuan veprën e bijve të tyre.

“Ata kanë rënë dëshmorë, mirëpo në momente të tilla kur ju vini që t’i kujtoni, atëherë ata mbesin gjithmonë të gjallë. Ju faleminderit”, tha ai, duke falënderuar ministrinë e Diasporës së Kosovës edhe për dekoratën e ndarë për familjen Bytyqi.
“Vepra e tre vëllezërve Bytyqi nuk do të harrohet asnjëherë. Neve na mbetet të punojmë dhe të bëjmë trysni ndaj Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët përgjegjës të këtij krimi sa më shpejt, ndërsa veprën dhe sakrificën e tyre ta kujtojmë gjithmonë”, u shpreh ministri Gashi.

Ish luftëtari i Batalionit Atlantiku, Uk Lushi, në llogarinë e tij në rrjetin shoqëror Facebook, shkruajti dje për këtë veprimtari duke thënë se, me vizitën e ministrave të Diasporës, Pandeli Majko dhe Dardan Gashi, Republika e Shqipërisë dhe Kosovës nderuan prindërit, shokët dhe sakrificën më të lartë të Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, dhe dy shtetet tona duke nderuar Bytyçët nderuan edhe veten.

“Krimi i ekzekutimit të tre vëllezërve Bytyçi, tre shqiptarëve dhe amerikanëve në mision humanitar, shkruan ai është njollë e gjakut që nuk do të përthahet derisa serbët që i vranë dhe shteti i Serbisë të mos paguajnë juridikisht dhe me kompenzime tjera".

Ndërkohë, që varrezat e vëllezërve Bytyçi, Lushi, i ka quajtur si një vend pelegrinazhi nga ku përçohet më së miri mesazhi shqiptar, shprehet që, pasi të vepron drejtësia, ne duhet t'i falim serbët, por kurrë të harrojmë krimet dhe vrasjet serbe të shqiptarëve: “Kujtimi dhe kontributi i vëllezërve Bytyçi, për liri do të jenë gjithmonë të freskëta”, thotë ish luftëtari i Batalionit Atlantiku, Uk Lushi, në llogarinë e tij në rrjetin shoqëror Facebook.

Ceremonia e zhvilluar dje në Yonkers, pranë hotelit Regency, aty ku për herë të parë u nisë për të luftuar në Kosovë, Batalioni Atlantiku nga SHBA, tashmë është bër e përvitshme dhe i bashkohet manifestimeve të në kuadrin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Image
Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test