Erisa Mecolli, shqiptarja që po lobon për Shqipërinë në SHBA

Amerika

Erisa Mecolli, shqiptarja që po lobon për Shqipërinë në SHBA

Më: 13 maj 2018 Në ora: 16:34
Erisa Mecolli, shqiptarja që po lobon për Shqipërinë në SHBA

Erisa Mecolli, është një nga pesë të rinjtë e vendit tonë, që jo vetëm po përfaqësojnë më së miri Shqipërinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe po lobon në nivel institucionesh gjatë qëndrimit të saj dymujor.

25-vjeçarja u përzgjodh mes qindra aplikuesve, për të përfituar nga eksperienca amerikane dhe për ta vënë atë në praktikë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pak ditë më parë, ajo ka zhvilluar një takim me kongresmenen amerikane Marcy Kaptur,   përfaqësuesen për Ohajon në Kongresin Amerikan.

E apasionuar pas artit, megjithëse e diplomuar në shkencat ekzakte (Financë-Kontabilitet), Erisa ka treguar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se Shqipëria është vendi ideal për të kontribuar me një model amerikan.

Image

“Nuk ke çdo ditë shansin të tregosh për vendin tënd, me një anëtare të Kongresit Amerikan. Ne përgatitëm kuti të mëdha me ndihma që do të shkojnë për të ndihmuar njerëzit e zhvendosur nga lufta në disa qytete të Ukrainës. Gjatë kësaj pune vullnetare Znj. Marcy Kaptur u bashkua me ne. Ajo është përfaqësuesja e Ohajos në Kongresin Amerikan. Duke shërbyer mandatin e saj të tetëmbëdhjetë në Dhomën e Përfaqësuesve, ajo është aktualisht drejtuesja e delegacionit të Ohajos në Kongres dhe gruaja me kohëzgjatjen më të madhe në këtë pozicion.

Kam pasur nderin dhe mundësinë, të flas me të në mënyrën më miqësore të mundshme, për gjendjen ekonomike në Shqipëri, mundësitë e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe perspektivat që vendi ynë paraqet për të ardhmen”, – thotë Erisa për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Sipas një kalendari të përcaktuar aktivitetesh, Erisa do të vizitojë disa shtete të ndryshme gjatë qëndrimit në SHBA.

“Kjo është një eksperiencë e paharrueshme, sepse rrallëherë të jepet mundësia të mësosh se si të vesh në praktikë projekte inovative për vendin tonë. Personalisht, mendoj se Shqipëria nuk është ajo e kafeneve, as ajo e parazitizmit, por është e të rinjve që punojnë për një të ardhme më të mirë. Momentalisht, pas pjesës trajnuese, në këtë fazë të dytë, po përjetojmë pjesën e shkëmbimeve kulturore. Jam e befasuar nga fakti që njerëzit janë tmerrësisht mikpritës”, – ka thënë Erisa.

Erisa ndan një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjithë të rinjtë. “Mesazhi im për çdo të ri/të re është i thjeshtë: Të guxojnë dhe të punojnë fort”.

Por, ajo ka një kërkesë të veçantë për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj (të cilin shprehet se e simpatizon për modelin pozitiv që po aplikon në Tiranë).

“Lali Eri, nevojitet një medalje atdhedashurie për gjithë lobimin që po bëjmë për Shqipërinë në nivel personal, ndërpersonal, institucional, mediatik dhe deri tek kryetari i bashkisë në Ohio”. “P.s.: Shaka”, shkruan Erisa në një nga postimet e saj.

Image

 

Proffesional Fellowship 2018 është një program për profesionistët e rinj nga pesë shtete ballkanike, që aplikohet për herë të parë në Shqipëri, me mbështetjen e Departamentit të Shtetit, Washington DC, Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Co-Plan. Shqiptarët e tjerë që po përfaqësojnë vendin tone janë: Arion Sauku, Suela Kocibellinj, Nensi Dragoti dhe Arbër Kodra.

Pas kthimit të saj në Shqipëri, Erisa do të vërë në zbatim në projekt shumë të rëndësishëm në një nga shkollat e kryeqytetit./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat