Asnjë vepër e mirë nuk kalon pa u dënuar

Amerika

Asnjë vepër e mirë nuk kalon pa u dënuar

Nga: Gjek Gjonlekaj/New York Më: 23 maj 2018 Në ora: 08:06
Trieshi

Familja jonë e cila në Triesh njihej me emërin Shtëpia e Pjetër Lukës, gëzonte respekt e dashuri për fe. Anëtarët më të moshuar se ne shkonin çdo të diele  në kishë. Ishim familje e madhe. Në javët e  Shën Kollit, të Kërshëndellave, dhe Pashkëve çdo mbrëmje flisnim uratë. Të gjithë ulur rreth vatrës prisnim axhën tonë Mark Pjetrin të fillonte uratët. Si zot shtëpie që ishte  ulej në krye të oxhakut në një karrikë të madhe që ishte karrika e të zotit të shtëpisë. Para se të fillonte uratët hiqte faculetën e kuqe nga koka dhe bëntë kryq: "Në emën të Atit e të Birit e të Shpirtit Shejtë". Ai ishte serioz dhe shumë ashpër i ndaj sjelljeve ose gjesteve  të papërshtatshme sidomos gjatë lutjeve fetare. Të gjihë njëzëri flisnim uratët si të ishim një korë kishtar. Nëse dikush nga anëtarët e familjes gogsonte ose ankohej për vonesën e darkës Marku lëvizte kokën nga hidhërimi. Ai dallohej nga të gjithë ngase kishte një pamje impozante si të kishte qënë nga ndonjë familje fisnike  gjermane. Të shkonte mallin e Bizmarkut. Të gjithë e kishim frikë. Trieshi për të ishte qëndra e universit. Ishte analist i fenomeneve natyrore.E pëlqete më shumë matematikën se historinë.  Ndërsa babai im Nikë Pjetri ishte ndryshe. Ai ishte  i qetë dhe shumë i durueshëm. Dy karaktere të tilla mbase mund të kenë ndikuar në formimin e karakterit tim.  Ata që e dijnë të kaluarën tonë e dijnë shumë mirë që shtëpia e Pjetër Lukës ishte familje punëtore që jetonte me bujqësi dhe më shumë me blegtori.  Për mua personalisht kisha dhe shkolla ishin njësoj. Kishën e kisha adhuruar nga familja dhe meshtari im i parë kishte qënë Dom. Simon Filipaj. Për mungesë të qelës në kishën e Trieshit Dom. Simoni kishte jetuar për një kohë të gjatë te kushëriri ynë Prëç Marashi. Më këtë rast ai u bë shumë i afërt me shtëpinë tonë. Për babain tim Dom. Simoni ishte meshtar e mësues. Natyrisht se shkolla fillore dhe më vonë ajo tetëvjeçare kishin rëndësi të veçantë për arsimin tim.  Në këtë shkollë që para 50-vjetësh u pagëzua me emërin Gjergj Kastriot-Skenderbeu mësova bazat e arsimit dhe të kulturës. Mësuesit dhe arsimtarët e mi ishin shumë të ndershëm dhe punëtorë. Assnjë herë në jetën time nuk i kisha dëgjuar që kishin bërë komente anti-fetare. Komente qesharake rreth çeshtjeve fetare kisha dëgjuar vetëm nga Rade Roganoviqi inspektor malazez komunist. Rade Roganoviqi ishte shumë i vrazhdë dhe i shëmtuar. Ai tallej me ata që shkonin në kishë, nga se ata kalonin rrugën përpara shkollës sonë. Rade Roganoviq ishte inspektor i shkollave shqipe dhe përgjues i ndjenjave kombëtare dhe fetare të shqiptarëve në Mal të Zi. Ai ishte malazez nga Vraka e Shqipërisë.
 
Trieshi është i njohur për kremtimin e Shën Shtjefnit në Koritë dhe në Koshticë, që është e njohur si festa e bjeshkatarëve. Shumicën e rasteve mesha e Shtjefnit celebrohej në dbanin tonë. Ndonjëri prej familjes sonë dhe meshtari i Trieshit improvizonin lterin vetëm për meshë.

Gjatë shkollimit në Gjakovë shkonim ndonjëherë në kishën e "Shna Nout." E kujtoj edhe sot e kësaj dite atë festë të madhe,ngase  Natën e Shna Nout më 12 qershor mbushej Gjakova me pelegrinë nga të gjitha anët e Kosovës. Në këtë pelegrinazh merrnin pjesë edhe familje shqiptare të fesë islame. Për nxënësit nga Malësia dhe viset e tjera shqiptare në Mal të Zi dita e Shna Nout ishte ditë gëzimi.

Në janar të vitit 1970 gjysma e familjes sonë prej 20 anëtarësh  u vendosëm në një qytezë të vogël afër Romës. Atje mësuam edhe më shumë për fenë tonë, pasi që dy  herë në muaj e vizitonim Kishën e Shën Pjetrit në Vatikan. Bile merrnim pjesë edhe në meshë që i celebronte Papa Pali i VI.  Për malësorët e moshuar kjo ishte një mrekulli sepse nuk e kishin imagjinuar kurrë që një ditë do të shihnin meshë para  Papës së Romës. Atje vepronin edhe disa meshtarë shqiptarë. Pas imigrimit në Shtetet e Bashkuara për një kohë të shkurtër qëndruam në Detroit dhe në Chicago, dhe pas disa muajsh u vendosëm në Kaliforni ku jetuam deri në vitin 1972.  Atje jeta fetare shqiptare ishte shumë e varfër. Pas do kohe u vendosëm në New York, qyteti më i përshtatshëm amerikan për kushtet tona. Shoqëria shqiptare këtu në New York ishte shumë më e përparuar se në qytetet tjera amerikane. Në New York kishte radio-emisione në gjuhën shqipe, kishte organizata e shoqata, kishte xhami e kishë. Edhe pse u vendosëm fillimisht në Brooklyn pas pak kohe  gjetëm lidhjet me kishën tonë shqiptare "Zoja e Këshillit të Mirë" të cilën e drejtonte Dom. Zef Oroshi. Ai ishte meshtar shumë serioz. Familja jonë sidomos babai e nderonte shumë Zef Oroshin nga Mirëdita.  Në atë kohë kishte ardhur edhe një meshtar tjetër nga Ulqini. Ai ishte Dom.Rrok Mirëdta. Dom. Zefi dhe Dom Rroku  bënin shërbime të rëndësishme fetare dhe kombëtare. Në vjeshtën e vitit 1978 shqiptarët e New Yorkut përuruan kishën e re. Deri atëherë kishte qënë vetëm qëndër fetare. Pas përurimit të kishës së re kjo qëndër u bë famulli. Dom Simon Filipaj  ishte ftuar mysafir nderi  për të celebruar meshën e përurimit të kishës së re.  Familja jonë kishim dhënë kontribut për ndërtimin e asaj kishte, por jo edhe aq shumë sepse nuk ishim në gjëndje të mirë ekonomike.  Ato ditë babai im e  ftoj për darkë Dom Simon Filipaj, Dom. Zef Oroshin dhe Dom.Rrrok Mirditën. Ata e pëlqyen ftesën tonë. Prindërit e mi u gëzuan shumë kur e panë Dom. Simon Filipaj në shtëpinë tonë.  Biseduan deri në orët e  vona të natës dhe u larguan shumë të kënaqur. Familja jonë i  kishte qëndruar besnik Oroshit dhe Mirëditës. Por njëkohësisht kishim bashkpunuar edhe me grupin e malësorëve pak si të revoltuar ndaj Zef Oroshit. Vepruam edhe për ndërtimin e një kishte tjetër që do ta drejtonte Dom.Lazër Shëldija. Kjo fushatë kishte filluar në vitin 1982.

Vëllau im Lucë Gjonlekaj ishte njëri prej anëtarëve të fushatës, bile ata kishin kërkuar  ndihma nga shumica e familjeve shqiptare myslimane nga Malësia.  Familja jonë për ndërtimin e asaj kishe kishte dhënë një kontributë prej disa mijëra dollarësh. Ndërtimi i kishës së malësorëve u vonua dhe nuk u realizua kurrë sepse Dom.Lazër Shëldija u vra. Me vrasjen e tij morën fund të gjitha përpjekjet për ndërtimin e asaj kishe. Pas pak kohe vdiq edhe Dom. Zef Oroshi.Pas vdekjes së tyre New Yorku kishte vetëm një meshtarë në detyrë pranë kishës "Zoja e Këshillit të Mirë". Ai ishte Dom. Rrok Mirdita. Në atë kohë Dom Pjetër Popaj shërbente në një kishë amerikane. Kohë pas kohe vinte për shërbime fetare edhe në kishën tonë shqiptare.

Disa muaj pas vdekjes së Dom. Oroshit dhe Dom.Sheldisë i bëra telefon Dom.Rrok Mirditës dhe ia parashtrova idenë e bashkimit të Malësisë me kishën "Zoja e Këshillit të Mirë". Ai tha se e kishte menduar vazhdimisht mundësinë e bashkimit në një kishë. Malësorët kishin blerë tokën për ndërtimin e kishës së re. Ajo tokë ishte një pasuri e madhe. Dom. Rrok Mirdita ishte entuziast për mundësine e bashkimit. Pas një kohe të shkurtër Dom. Rroku thirri në mbledhjen e dy këshillave kishtare për bashkim. Këshillëtarët ishin mbledhur në sallën e kishës "Zoja e Këshillit të Mirë", që gjëndej në Park Ave. në Bronx. Këtë  mbledhje e cila zgjati 5 orë e drejtoi Dom.Rrok Mirdita. Pas disa orë diskutimesh malësorët e zemëruan dhe të gjithë menjëhërë u ngritën në këmbë për t’u larguar nga salla. Në këshllin e Malësisë bënin pjesë: Gjergj Uci, Vatë Marashi,Nikollë Mark Shala, Tomë Gjokaj dhe disa tjerë emërin e të cilëve e kam harruar. Ata nuk e pëlqyen dokumentin përfundimtarë të bashkimit dhe të gjithë së bashku u ngritën në këmbë për t'u larguar nga salla. Dedë Shkreli ishte afër derës.Unë iu luta ta mbyllte derën që të mos dilin jashtë. U dola përpara duke u lutur me gjithë fuqinë e shpirtit tim që të kthehen edhe një herë  e të bisedojnë për mundësinë e bashkimit. Pas lutjeve të mia dhe të dy tri malësorëve tjerë u kthyen dhe vazhduan bisedimet. Malësorët nuk pranonin tjetër mundësi për bashkimin vetëm një vend të tretë. Dikush propozoi që kisha e rë të ndërtohej në tokën e kishës së malësorëve ku ishte vrarë Dom.Lazër Shëldia, por Dom. Pjetër Popaj e kundërshtoi kategorikisht ndërtimin e kishës në tokën ku ishte vrarë Dom.Lazri. Ai kishte vajtur atje i pari pasi ishte njoftuar ajo tragjedi dhe kishte parë me sytë e tij  llahtarinë më të madhe që mund të imagjinonte njeriu, Kurdo flitej për tragjedinë e Dom. Lazër Shëldisë Dom.Pjetri dukej i trishtuar. Dhe më në fund shumica e Këshillit të kishës "Zoja e Këshillit të Mirë" e pranoi kërkesën e malësorëve dhe pas 5 orësh u nënshkrua marrëveshja e bashkimit të këtij komuniteti fetar, por në një vend të tretë. Pas përfundimit të mbledhjes Patër Andre Narkaj më uroi për atë përpjekjen time dhe të Dedë Shkrelit për moslargimin e tyre nga ajo mbledhje vendimtare. Më vonë malësorët i depozituan të gjitha fondet e tyre në llogarinë bankarë të  kësaj kishe dhe pas do kohe u ble toka e kishës se re "Zoja e Shkodrës" në Harstdale në Westchester. Natyrisht se toka u ble me fondet e të dy bashkësive. Pas disa muajsh u thirrë një mbledhje speciale për ngritjen e fondeve për ndërtimin e kishës së re. Në fushatën financiare atë natë u premtuan 900.000(nënqind mijë dollar). Në emër të Familjes Gjonlekaj premtova 100 mijë dollar.Kishin kaluar disa muaj dhe vetëm pak veta kishin dhënë ndonjë  sasi nga ato premtime. Dom.Rrok Mirdita kishte filluar të shqetësohet për ato premtime. Pas meshës mu drejtua: "Ju që keni premtuar aq shumë duhet patjetër të jepni sëpaku një të tretën përndryshe kjo duket si një lojë qesharake.U ndjeva keq për atë koment. Një ditë më vonë e parashtrova këtë problem para familjes. Në atë kohë e kishim humbur gjithë pasurinë. Kishim vetëm nje ndërtesë(building) 40 familjesh në Carol Ave në Yonkers.Iu drejtova vëllaut dhe djalit të tij Tomës që duhet t'i japim 30.000 (tridhjet mijë) dollar. Toma që ishte përgjegjës për çështje financiare tha se mund t'i japim 30 mijë dollarë por brenda dy muajsh ka për ta marrë banka ndërtesen. Më në fund vëndosëm për t'i dhënë dhe pas dy muajsh  banka e mori sepse kishte dhënë kredinë për blerje.Në atë kohë ishte kriza më e madhe e pronave të patundshme (real estate) në New York. Banka e mbajti për pothuajse 5 vjet. Pas 5 vjetësh e morëm përsëri nga banka dhe kështu filluam ringjalljen e business-it tonë. Gjthmonë mendoj për këtë mrekulli të Zotit. Bëmë sakrificën maksimale ekonomike dhe pas shumë vuajtjesh Zoti na e shpërbleu me të mirë. Ajo ishte dita e ringjalljes sonë ekonomike. Pas disa vjetësh i dhamë edhe 70.000(shtatëdhjet mijë) të tjera që i kishim premtuar. Përjetuam vështirësi të papërshkrueshme ekonomike. Këto vuajtje zgjatën pothuajse një dekadë të terë. Vetëm ata që kanë përjetuar kriza të tilla ekonomike dijnë t'i përshkruajnë këto vuajtje.

Image

Në vitin 2001 u hapë fushata për ndërtimin e kishës Shën Pali në Detroit. Edhe për ndërtimin e kësaj kishe familja jonë kontribuoi 10.000 dollarë, kështu bëmë  edhe për kishën "Shna Nou" në këtë qytet.

Pas Luftës së Kosovës flitej vazhdimisht për ndërtimin e një kishe të madhe(katedrale) në Prishtinë. Disa autoritetet politike sidomos Ibrahim Rugova kishte vullnet të jashtzakonshëm për ndërtimin e saj. Menjëherë pas Luftës botova një shkrim të gjatë për rëndësinë e ndërtimit të një kishe të madhe katolike në Prishtinë. Shtypi qëndror i Kosovës dhe i Shqipërisë, bile edhe gazeta "Illiria" në New York e botoi këtë shkrim. Në vitin 2003 një shqiptar nga New Yorku kishte bërë një premtim të madh financiar për ndërtimin e asaj katedralje , por premtimi i tij kishte dështuar.  Për t'i dhënë shpresë Kosovës për ndërtimin e katedrales kisha biseduar ato ditë me Lucën dhe Tomën për mundësinë e kontributit tonë prej 100.000 (njëqind mijë dollarësh) sepse kaq kishte qënë premtimi i dështuar.  Premtimi ynë prej 100.000 (njëqind mijë dollarësh) për ndërtimin e Katedralës "Nënë Tereza" në Prishtinë u botua në shumë gazeta shqiptare. Bile në një shkrim tjetër kisha paraqitur idenë e emërtimit të kësaj kishe, duke e shpjeguar se pas beatifikmit zyrtar në Vatikan emërtimi "Nënë Tereza" ishte i mirëpritur nga autoritetet më të larta fetare në Romë. Premtimi ynë ishte 50.000 dollar në fillim të punimeve dhe të tjerat sipas fazave të ndërtimit. Në gushtin e vitit 2006 u vu gurthemeli i katedraljes në Prishtinë. Ato ditë thirra në telefon Imzot Dodë Gjergjin për kontributin e parë  prej 50.000 dollarësh. Kërkova prej tij numrin e llogarisë bankare. Por ai tha mos u ngutesha sepse të vinte në Amerikë për një fushatë të madhe. Pas një takimi shum të përzëmërt me Imzot Dodë Gjergjin, Dom. Lush Gjergjin, Dom. Fran Kolaj dorëzuam 50.000 (pesëdhjet mijë)dollarë. Pas dy vjetësh me rastin e 100-vjertorit të lindjes së Nënës Tereze dorëzuam edhe 25.000 dollarë dhe në fund 25.000 dollarë të tjera. Kështu u arrit shifra e premtuar prej 100,000 dollarësh. Për ndërtimin e kësaj kishe katedralë kisha shkruar e biseduar shumë herë sidomos me Mons. Mark Sopin,me Dom Shan Zefin,dhe me Engjëll Sedaj. Por ndihemesën më të madhe për realizimin e kësaj vepre ma kishte dhënë Ali Podrimja. Ai kishte bërë shumë shkrime e peticione për ndërtimin e këtij tempulli të rëndësishëm për të ardhmen perendimore të Kosovës. Ali Podrimja ishte takuar dhe kishte biseduar disa herë me udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës për ndërtimin e kësaj kishe kombëtare siç e quante Aliu. Ai ishte takuar edhe me Mark Sopin e Dom.Shan Zefin për t'u dhënë shpresë e vullnet për këtë vepër madheshtore në kryeqytetin e Kosovës. Ali Podrimja ishte fyer e sharë, bile edhe kërcënuar për këtë fushatë, sidomos në atë librin famëkeq "Jo Katedralje në Prishtinë". Aliu shumicën e këtyre punëve i kishte bërë për dashurinë e Nënës Tereze dhe për miqësin tonë të mrekullueshme. Për çudi nuk kisha dëgjuar që të jetë përemendur ndonjëherë emëri i tij në lidhje me këtë çështje.

Në vitin 2007 Patër Pashku Gojçaj kishte hapur fushatën në Amerikë për ndërtimin e një aneksi kishtar pranë kishës së Tuzit. Unë, vëllau im Luca dhe djali i tij Tomë Gjonlekaj dërguam për ndërtimin e kësaj hapësire të madhe kishtare 25.000 (njëzetë e pesë mijë)dollarë. Ndërkohë kishim kontribuar edhe nja 25.000 dollarë për ndërtimin e dy kishave në vendlindje në Triesh dhe në Koshticë, pastaj për kryqin e Trishit në Delaj dhe më vonë për katedralën e Tivarit, për kishën në Konik-Podgoricë dhe për disa kisha në Kosovë. Kontributi ynë për kishat shqiptare në Amerikë, në Kosovë dhe në Mal të Zi arrijnë shifrën prej 275.000 (dyqind e shtatëdhjet e pesë mijë) dollar.Në vitin 2003 kisha vizituar Imzot Mark Sopin në Prizren për të biseduar në lidhje me këtë çështje. Mark Sopi më dha një kopje të planit për ndërtimin e kësaj katedrale, që ishte vepër e një arkitekti të njohur Italian. Për këtë vizitë në Prizren më shoqëroi drejtori i RTK-Avni Spahiu.

Image

Ne vjeshtën e vitit 2002 kisha promovuar në Instiutin Alabanologjik librin e Papës Gjon Palit të Dytë "Të kapërcehet Pragu i Shpresës". Aty kishin ligjëruar Mons. Mark Sopi, Pajazit Nushi,Engjëll Sedaj dhe Agim Vinca. Unë fola vetëm për rëndësinë e ndërtimit të kësaj katedralje. 

Gjatë kohës që kisha punuar për "Zërin e Amerikës" kisha bërë shumë kronika dhe intervista me klerikët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara.  Gjatë vizitës së parë të Dom. Rrok Mirditës në Shqipëri, ata e kishin të njohur zërin e tij sepse e kishin dëgjuar dhjetëra herë në Zërin e Amerikës. Pasi ishte kthyer nga ajo vizitë në Shqipëri foli për këtë fenomen, duke falënderuar Zërin e Amerikës dhe mua personalisht. Këto i tha publikisht gjatë një një meshe në New York, pasi ishte këthyer nga Shqipëria. Në atë kohë Zëri i Amerikës transmetonte një herë në javë "Rubrikën Shqiptarët e Amerikës". Në këtë rubrikë kisha folur gjërsisht për Monsinior Zef Oroshin, për Dom Rrok Mirditën dhe për Dom Pjetër Popaj. Bile babai  i Dom. Pjetrit e kishte pëlqyer  aq shumë atë kronikë sa që e mbantë atë audio-kasetë në automoblin e tij dhe e dëgjonte kohë pas kohe.

Pas incidentit që kishin pësuar Dom. Rrok Mirdita dhe Dom Pjetër Popaj natën në kishën e tyre nga një band kriminale, Familja jonë u ofroi një largim të përkohshëm dhe mundësisht vendosjen në një hotel derisa të qetësohej gjëndja. Gjatë një meshe pas asaj ngjarjeje Dom.Rrok Mirdita tha:"Natyrisht se kemi arëmiqë, por kemi edhe miqë, sepse këto ditë një familje e famullisë sonë na ka ofruar qëndresën në një hotel, deri sa të rregullohet kjo çëshje". Herën e fundit që Imzot Zef Oroshi vizitoi Bostonin kërkoi shoqërimin tim për dy ditë në atë qytet ku takua me shumë shqiptaro-amerikanë që i kishte njohur në kohën kur kishte jetuar në Boston.Ne si familje bëmë çmos për ndërtimin dhe rindërtimi e kishave shqiptare në tokat tona dhe në Amerikë. Ata që janë gjallë e dijnë kontributin tim për organizimin e Simpoziumit të 300-Vjetorit të Pjetër Bogdanit në Universitetin Fordham. Mbase mund të kenë harruar që ishin lidhjet e mia që e sollën Ibraim Rugovën për herë të parë New York më 6 tetor të vitit 1989.

Por në fillim të Luftës së Kosvës situate ndryshoi. Familja jonë kishte mbështetur "Vendlindja Thrret" qe ishte organ i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Disa nga anëtarët e këshillit të kishës që vepronin si skribët dhe farizenjët  filluan fushatën kundër nesh, duke u sjellur  nëpër këmbë meshtarëve në New York dhe në Detroit. Bile njëri prej meshtarëve në Detroit kishte thënë se isha enverist. Propaganda e LDK-ës nga disa të shitur e patalogjikë kishte arritur kulmin sa që mu ndalua fjalimi im në kishën tonë për nipin tim Rrok Camaj që kishte humbur jetën në tragjedinë e 11 shtatorit 2001 në World Trade Center, pavarësisht se familja e tij më kishte autorizuar mua për të folur  për këtë tragjedi të madhe të familjes dhe Amerikës. Nuk mu dha leja. Armiqt patologjikë bënë këtë sepse në emisionin "Zëri I Malësisë" në pranverë të vitit 1999  kisha thënë se:" Klerikët shqiptarë ortodoksë e katolikë nuk po bëjnë sa duhet për të shpëtuar Kosovën nga ajo tragjedi. Ata mund të bëjnë më shumë në botën perëndimore, por mbase nuk e bëjnë këtë sepse shumica e shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë. Klerikët e lartë shqiptarë të këtyre dy feve mund të bëjnë veprime fetare,politike dhe diplomatike në zyrat më të larta fetare dhe politike të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Duhet të bëjnë më shumë se kjo është koha më tragjike në historinë e popullit shqiptar". Gazeta "Boston Globe" shkruante ato ditë për intervistën që kishin dhënë  me njërin prej autoriteteve më të larta fetare shqiptare ortodokse. Ai kishte kërkuar ndalimin e bombardimeve të NATO-s kundër Sërbisë. Ata që do të shkruajnë historinë e diasporës për  atë kohë mund  ta gjejnë emërin e këtij kleriku të lartë. Në këtë shkrim nuk po e shënoj emërin e tij sepse nuk dua ta shqetësoj. Por kjo është e vërteta e Zotit. Dihet mirëfilli pse kishte kërkuar ndalimin e bombardimeve kundër Sërbisë. Analfabetët tonë të New York nuk kishin ide për këto deklara. Pas rënjes së diktaturës në Shqipëri u futën në komunitetin tonë shumë komunista. Disa nga ata gjoja ishin konvertuar në katolikë vetëm për të fituar dokumentet e duhura të emigracionit.  Nga kjo dredhi përfitoi më së shumti Dashamirë Peza, djali  i Myslim Pezës. Ai ishte konvertuar për krye nate dhe vepronte si të ishte profesor teologjie. Për krye natet Alia ishte bërë Ili. 

Pavarësisht përpjekjeve dhe kontributeve të lartëpërmendura dhe pavarësisht se punova në qëndrën informative dhe propagandës  më të madhe antikomuniste në botë nuk u thirra asnjëherë për t'i thënë dy fjalë në asnjë festë dhe në asnjë ceremoni as fetare ose shoqërore. Nuk mjaftonte një gjysmë shekulli jetese në këtë vend. U privilegjuan disa nga bijtë dhe bijat e familjeve më komuniste të popullit shqiptar. Pavarësisht se në verën e vitit 1988 kisha organizuar takimin e shqiptarëve me Nënën Tereze në Bronx dhe isha i vetmi shiptar që kisha biseduar me të në gjuhën shqipe për Zërin e  Amerikës. Takimet dhe korrespondenca,pastaj pjesëmarrja në mortin e saj në Kalkutë në rolin e  korrespondentit special ato ditë nuk i kishin plotësuar kushtet që t'i them dy fjalë në 21 mbrëmje përkujtiomore në Bronx. Për 21 vjet u ftuan për të folur ata që nuk e kishin parë kurrë me sytë e tyre.  

Në New York, në Tuz  dhe në Prishtinë janë bërë disa gabime ne lidhje me kontributet tona që nuk duheshin bërë, bile edhe për emrat e deformuar. Për këto kemi fakte që mund t'i fotokopjojmë. Nga të gjitha këto përpjekje dhe kontribute sot për sot ndjehemi mirë për mbështetjen fisnike  të Dom. Pjetër Popaj ndaj studentit tonë të teologjisë Vasel Gjonlekaj i cili vazhdon studimet universitare për t'u bërë meshtar. Ky është djali i vëllaut tim Lucë Gjonlekaj. Nëse realizohet kjo thirrje në shërbim të Zotit, atëherë do të shpërblehen të gjitha përpjekjet tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat