Te stacioni i autobusit

Art

Te stacioni i autobusit

Më: 17 korrik 2016 Në ora: 20:33
Michael Kruscha

“Stacionet e autobusëve” mund të jenë një mënyrë artistike për të treguar stile dhe kultura të ndryshme, që nga perceptimi arkitekturor i tyre, e deri tek manifestimi i kulturave nga vende të ndryshme.

Michael Kruscha ka udhëtuar në Armeni, Arabi, Afrikë e Azi për të fiksuar në objektivin e tij fotografik ndalesat e autobusëve. Në disa raste këto stacione janë paradoksale në qëllimin e tyre, si për shembull: pritja e një autobusi në mes të shkreterirës, ndaj edhe ekspozitën e tij artisti e ka titulluar “Në mes të asgjëje”. 

Duket sikur ka vende në të cilat koha është ndalur, pikërisht për të treguar historinë.

“Ka shumë foto që sjellin elemente të cilat mund të zbulohen teksa ai sheh, duke u nisur që nga struktura e ndërtimit, e deri tek fakti se këto foto janë dëshmi kohore nga vendet ku janë shkrepur. Janë stacione që unë i kam kërkuar për vite e vite të tera. Nuk ka qenë një proces i shpejtë ai i përzgjedhjes, më janë dashur 13 vite për të mbërritur deri këtu. Janë shkrepur në rajone të veçanta, ku secili prej tyre ka një faktor joshës në vetvete. Do të veçoja pamjet e Marokut dhe ato të Kazakistanit, në stacionet e të cilave shihen ende elemente të regjimit socialist”, u shpreh Michael Kruscha.

Ndoshta edhe stacionet shqiptare do të bien pre e objektivit të Kruscha-s, por për këtë do t’i duhet edhe një vizitë tjetër në vendin tonë.

“Është udhëtimi im i parë në Shqipëri. Kam parë disa stacione këtu, por e kisha të pamundur t’i sillja në kaq pak kohë në këtë ekspozitë, ndaj në të ardhmen ndoshta do të sjell një të tillë”, tha fotografi dhe piktori gjerman.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat