Arti konceptual pa jetëgjatësi

Art

Arti konceptual pa jetëgjatësi

Nga: Ilir Muharremi Më: 6 shtator 2016 Në ora: 23:41
Ilir Muharremi

Për Picasso-n e vërteta nuk ekziston. Ai këtë të vërtetë e bënë në njëqind telajo. Ku duhet kërkuar të vërteten? Pasi që ajo është kudo, atëherë nuk ekziston. Nuk kemi ndarje nga e vërteta. Vazhdon më tutje së ulurituri artisti Sandro Kia: “Kërkoja të gjeja pikën zero të krijimit. Por kjo zero nuk ekziston”. As këtu nuk ndeshemi me rrënjët e fenomenit krijues. Pasi ekziston mendimi për zeron, zeroja ekziston. Pastaj, shënon Akile Bonito Oliva (kritikë italian i artit) “Të bësh art do të thotë tanimë të mbash dorën në kontakt me nivelet e materies të artit”. Artistët më shumë shtyhen drejt rizbulimit ose shkencës. A kanë rizbuluar artistët? Viteve të fundit po. Çfarë zbuluan? Kënaqësinë e krijimit dhe qëllimin e pëlqimit. “Artistët konceptualistë kosovar”, vetëm u shndërruan në kopjues të zbehtë. Jetojnë në mungesë filozofie, ideje dhe praktikës shpirtërore.           

     Po ndalem më shumë te Bonito Oliva. Çfarë bëri rikualifikimi i rolit të artit? Artisti me këtë fitoj në territorin e tij (fjala për gjuhën, vendin dhe historinë.) “Artisti i brezit të fundit ka rizbuluar privilegjin e oborrit të kufizuar”, thotë Oliva. Arti evoluon me kohën dhe kufizohet nga vendi ku jeton artisti. Arti duhet të bëjë jo vetëm një hap para, por shumë hapa. Shpesh edhe të mos jetë i kuptuar për kohën. Këta janë artistë të thellë.

     Arti i sotëm jeton brenda një përulje të madhe të një territori  tejet të ngushtë me produkt manual (video, instilacion, gjetje dhe mbetje në natyrë ose të punuara nga dora e njeriut),ky art nuk varet nga të treguarit, por nga faktet dhe përrallat mendore. Ndjehet i privilegjuar brenda teknikave dhe materialeve, por tashmë ky art bënë zëvendësim në prekje të produktit. “Fudullëku i veprës në mungesë të artistit konceptual, sjellja elitare e artistit që luante me befasimin e publikut dhe surprizën”, sipas Oliva-s, janë zëvendësuar me përulësinë e një pune krijuese evidente dhe reale. Këtu arti bëhet një ndjenë e drejtpërdrejtë dhe përjetësisht kontakt i drejtpërdrejtë me botën. “Artisti ribëhet maniak dhe manierist i manisë së tij”, vazhdon ai. Artisti ngulmon për një unitet dhe refuzim të botës. Me maniakizmin e ti, artisti do duhej të na hapte perspektivat e fundit mbi përmbajtjen e gjithckaje. Sado që artisti është opozitë me botën, prapë gjejnë pajtueshmëri.  Oliva, dialektikën e shihte si simptomë të një ideologjie që përdor djallëzitë e veta përballë një realiteti të pakapshëm. Kjo është e vërtetë, sepse artistët e rinj si në botë ashtu edhe tek ne në Kosovë kanë reshtur së praktikuari djallëzi të tilla. Tashmë nuk ka drejtim ndaj të cilit pilotohet përvoja krijuese. Këtu pikërisht ka lindur edhe Transavanguardia e cila ndërton të ardhmen mitike, por edhe merr nga e shkuara, duke u zhveshur nga retorika e traditës. Këtu Oliva artistët Transavanguadias i sheh si të një brezi të fundit që gjenden në një ekspansion të madh.

     Arti përveç që jeton në të sotmen  ai duhet të jetë edhe i së ardhmes. Kjo nënkupton me materiale dhe krijime të reja. Instilacionet p.sh duhet të ngërthejnë aluzione psikologjike dhe filozofike, kuptohet me referime (historike, mitike apo të kohës, sepse arti kufizohet nga koha në të cilën jeton.) Artisti Anselm Kiefer i takon këtyre instilacioneve. (Në vitin 1969 u prezantua me disa fotografi të titulluara ‘Pushtimet”, në të cilat tregonte veten, duke nderuar si nazist, në vendet e pushtuara nga Hitleri. Imazhet qenë komike, ironike dhe groteske, dhe qëllimi qe satirizues i autorit.) Normalisht që këtu shpërthen edhe skandali nga gjermanët. Arti duhet të ngjallë një erë debatesh. (kuptohet polemika psikologjike, ideologjike dhe ndijime trupore.) Përveç që arti krijon debat, shikuesin duhet ta kthejë në reflektim dhe ky art më shumë është i çastit momental, diçka kaluese sesa e përjetshme. Më shumë i nënshtrohet kohës përbrenda dhe debatit sesa përjetësisë, të cilën e ruan piktura, skulptura, grafika.... P.sh “Gratë e Antikitetit”, instilacion i Kiefer-it, kjo vdesë pas përfundimit të ekspozimit, porse kuptimi ruhet në fotografi me shpjegim tekstual për të. Ky art nuk reduktohet në muzeume, ose i mbyllur në Galeri, por jeton në kontakt të drejtpërdrejtë me publikun. Sikurse shfaqja në teatër. Pas përfundimit të saj çdo gjë vdesë në skenë. Vallë, a po i vije fundit artit të përjetshëm, e po zgjerohet brenda kufijve të momentales? Ky më shumë është art si gazeta që shfletohet gjatë  ditës me lajme të reja dhe hidhet në mbeturina në mbrëmje. Ja rasti i një artisti konceptual i cili u vetëekspozua për pesëmbëdhjetë ditë në një vitrinë të Londrës më 1962. Autori u bë model i punës së tij. Pastaj, Fabio Mauri i cili u prezantua në Bienalen e Venedikut më 1993 me performans. Një Hebreje qëndron nudo me shpin kah publiku, vështron pranë pasqyrës dhe në pasqyrë i vizatuar ylli i Davidit. I ngjan një teatri ku aktori luan për vetveten e jo për publikun.

     Josef Bojs veten e quan si një lloj doktori që ka mision shërimin e shoqërisë që vuan nga shpirti i sëmurë. Ky art a mund të quhet tejkalim? Veprat e tija  kalojnë gjitha dimensionet skulpturore, por kthehen në themel religjioz dhe spiritual. Ai kristianizmin e sheh si kundër materializmit. Prapë arti kthehet te historia, por me metoda të shprehjes së kohës. Artisti është viktimë e së shkuarës dhe kohës në të cilën jeton. Ky art është nxitës për debat. Kërkon përgjigje nga spektatori, por edhe shtron pyetje derisa reflekton. Puna e Bojsit tjetër: “Tërmet brenda në pallat” ku janë paraqitur katër ulëse prej druri, vazo nga terakota, po ashtu edhe nga qelqi në fund edhe  një vezë. Është ambient tërmeti dhe qëllimi është që spektatori ta ndjejë fuqinë dhe frikën e tërmetit. Ky art, nga heshtja kërkon zhurmën dhe është i kufizuar brenda në hapësirë. Jeton vetëm deri në përfundim të ekspozitës. Çfarë mund të mbetet krejt në fund nga kjo, vetëm një fragment dhe fotografi dy diemsionale. Qëllimi është më shumë tek mesazhi dhe ideja e këtij arti sesa rehatia shpirtërore. Ky art transformohet me artistin dhe shikuesin. Më shumë është art i diskutimit sesa i estetikës.

     Me video incizime, video lojëra, realitete virtuale, pastaj karrige të vendosura në skaje të Galerive, një palë syze.... pavetëdijshëm ka krijuar drejtime kronike dhe publiku i artit shndërrohet në publikë momental. Shpejtësia, dinamika e jetës ndikon shumë. Këto hapësira arti, përjashtojnë estetikën, instalojnë zbavitjen. Ky art më shumë mbështetet në gjetje të formave, modeleve sesa në krijim. Duhet të lind vepra e jo artit, të tregohet zhurma, psikologjia, lëvizja e cila nuk ka harmoni, lidhshmëri dhe kuptim, pastaj të protestohet me këtë se “ja kjo nuk është art”. Përmes artit të tregohet jo arti. Porse ngushtë arti jeton dhe kufizohet nga vendi i cili vjen artisti. Sado që arti i ri lind nga refuzimi ai prapë i kthehet së shkuarës.

     Transavanguardia, lëvizje që doli në dritë më 1979 si reagim i artit konceptual, riafirmojë fuqinë tek rrënjët  kombëtare. Rilidhet direkt me ekspresionizmin dhe më të kaluarën italiane. Edhe fovistët i qëndrojnë pranë. Por edhe kjo lëvizje qe pak si avangardë dhe a nuk është patetike rrëzimi i së shkuarës për të ngritur të renë? Si përtypet e reja, e vjetra është e pavlefshme. Pavarësisht kjo e re a është më tërheqëse, më e thellë, e kohës, jeton në përtypje dhe shtyhet me propagandë. Po harrojmë se publiku ka fituar aftësinë për absorbimin e çdo lloj provokimi artistik dhe nuk duhet kërkuar shpëtim të artit tek cilësitë tradicionale, por të një kombinimi të mirëfilltë. Transavanguardia e ktheu kokën te tradicionalja.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat