Personazh/ Flet piktori Aleksandër Dragoti; Ju tregoj takimet e mia me djalin e xhaxhait Stan Dragoti

Art

Personazh/ Flet piktori Aleksandër Dragoti; Ju tregoj takimet e mia me djalin e xhaxhait Stan Dragoti

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 7 tetor 2016 Në ora: 19:40
Aleksandër Dragoti

-Në takimin qeveritar tek ish-vila e Enverit Stan Dragoti foli me shumë emocion

-Atë nuk e lanë një minutë të qetë, iu sulën kush të tregohej më i afërt

-Ai mbetet njeriu që bëri rizgjimin e ëndrrave njujorkeze me filmin e famshëm “I love New York”

- Dragoti e cilësoi bregdetin e virgjër shqiptar me atë kalifornian dhe malet, me ato të Zvicrës.

-Xhaxha im Asllani ka ikur nga Dragoti në vitin 1929

-Ardhja e parë dhe e fundit e xhaxhait në Shqipëri ka qenë në vitin 1949 ku ndenji një muaj

- Xhaxhai ishte njeri i humorit, por sa kohë ndenji në Tiranë u mbyll përbrenda dhe nuk bënte asnjë shaka

- Asllani erdhi me dy vajzat dhe si dhurata solli këpucë për pjesëtarët e familjes

-Kur xhaxhai iku, i tha babait kujdes dhe suksese

-Kur erdhi Stan Dragoti drejt tij u turrën gjithfarë njerëzish që s’kishin lidhje fisnore

- Berisha kur më prezantoi tek Stan Dragoti i tha: ‘Xhentëlmen Sandër Dragoti’

-E vetmja fjalë shqip që dinte Stan Dragoti ishte, “shejtan”

-Kur iku i dhurova tre piktura të mijat, “Lahuta e Fishtës’, “Kapelja e Skënderbeut”, “Balada e Doruntinës”

- Mesazhi i Stanit “Atdheu fillon tek individi, sa më i përgjegjshëm të bëhet individi, aq më i fortë bëhet shteti. Duajeni punën dhe respektoni ligjet”

Aleksandër Dragoti është djali i xhaxhait të Stan Dragotit dhe këtë lidhje gjaku ai e thotë me shumë modesti por me shumë dashuri. Babai tij, ish-Komandanti I Brigadës VIII S, Asaf Dragoti, e kishte vëlla babanë e Stan Dragotit, Asllan Dragotit. Fisi Dragoti në Tepelenë është një familje e madhe me ndjenja të theksuara patriotike. Familja e Asllan Dragotit për një jetë më të mirë dhe për një ekonomi më të mirë niset për në emigracion. Ai ishte martuar me Bahrien, nga qyteti i lashtë i Tepelenës, me të cilën lindi katër fëmijë, tre vajza dhe një djalë, Stanin. Stan Dragoti si djalë i vetëm, ishte dhe më i përkëdheluri. Më vonë ky djalë i përkëdhelur do të ishte  Shqiptari që “shembi” muret e Hollivudit ose njeriu që bëri rizgjimin e ëndrrave njujorkeze me filmin e famshëm “I love New York”. Stan Dragoti  ka lindur më 4 tetor 1932 në New York City. Stan Dragoti në moshë të vogël ishte tepër kureshtar dhe i interesuar ta shpenzonte kohën përballë programeve televizive. Çdo film që shikonte ishte i pasionuar ta komentonte me motrat dhe prindërit. Që në moshën 7 vjeç filloi të vizatonte, kishte  imagjinatë të theksuar.  Këto ishin edhe ato që bënë realitet ëndrrën e tij. Mbaroi njëkohësisht kolegjin në “Cooper Union”, New York dhe shkollën e Arteve Vizuale. Ndërsa bashkëpunon akoma që prej vitit 1968 me kolegun e tij, Charli Moss. Stan bëri emër që në hapat e parë, kur si drejtor i një filmi pati sukses të pabesueshëm. Disa nga shitjet kalonin shifrën 200 milionë dollarë të çdo prodhimi të kompanisë së tij. Njëkohësisht filloi të realizonte reklama për gjigantët e industrisë së linjave ajrore dhe atyre të prodhimit të makinave. Njeri inteligjent dhe krijues, duke i vënë njohuritë në shërbim të kohës, u bë shpejt i njohur dhe i kërkuar. Në vitin 1996 ai bën një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ideja e tij ishte të realizonte dhe tre filma në vendin e origjinës. Në këtë vizitë Dragoti ka qenë i shoqëruar nga Ekrem Bardha, Arthur Lika, Dino Erbeli, Geri Kokolari, Bardhyl Quku, njëkohësisht dhe nga pushtetarë dhe zyrtarë të lartë shqiptarë. Në këtë ardhje të tij, Dragoti ka vizituar me helikopter edhe fshatin e origjinës së tij, vendlindjen e babait, Dragotin në Tepelenë, një fshat piktoresk që shtrihet përballë qytetit. Gjatë kësaj vizite në Shqipëri, Dragoti e cilësoi bregdetin e virgjër shqiptar me atë kalifornian dhe malet me, ato të Zvicrës.

Kur ka ikur në emigrim Asllani xhaxhai juaj?

Me sa më ka thënë babai, xhaxhai im Asllani ka ikur për emigrant ekonomik në Amerikë në vitin 1929. Ishin vitet kur Shqipëria ishte e rrënuar dhe ekonomia ishte e varfër. Familja e prindërve të mi në Dragot, edhe pse kishte toka nuk mund të përballonte jetesën, pasi toka ishte e varfër. Mungonte ujitja, mungonin plehrat kimikë mungonin makinat bujqësore. Pra ishte një bujqësi e prapambetur, plus që prodhimet blegtorale nuk kishin treg, pasi rrugët e komunikacionit ishin shumë të kufizuara. Çdo transport bëhej vetëm me kafshë (gomarë, mushka, kuaj, etj). Gjithë bujqësia ishte bazuar në pendët e qeve, ku lërimi bëhej në mënyrë primitive. Ky ishte shkaku. Xhaxha Asllani bisedoi gjatë me babanë derisa u vendos. Të dy ranë dakord që ai të shkonte në Amerikë për një jetë më të mirë.

Si u krye lëvizja drejt Amerikës?

Lëvizja e familjes së xhaxhait u bë me vapor nga Durrësi në Itali dhe nga Italia në Amerikë. Udhëtimi zgjati mbi një muaj dhe babai më ka thënë që, pasi kishte mbërritur, ai kishte dërguar një letër. Sipas babit vetëm dy letra mban mend se janë dërguar prej xhaxhait. Pastaj erdhën vitet e Luftës dhe çdo gjë erdhi për keq. Situata ishte e vështirë dhe  mungonte pothuajse fare komunikim i saktë dhe i rregullt.

A ka ardhur ndonjëherë xhaxhai Asllani në Tiranë?

Vitin s’e mbaj mend të saktë, siç më ka treguar babai, por do ketë qenë nga fundi i viteve 1940. Xhaxhai erdhi me dy motrat e Stanit. Ne atëherë kishim shtëpinë tek blloku i ambasadave, pasi babai vinte nga lufta si Komandant i Brigadës VIII dhe kishte një pozicion të rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme. Madje xhaxhai lëvizi drejt fshatit dhe Tepelenës me makinën e tij. Xhaxhai vetëm shikonte dhe nuk fliste. Nuk donte ta prekte babanë apo t’i prishte humorin për çka shihte në Shqipëri. Ai vinte nga Amerika dhe shihte çfarë disniveli kishte. Shqipëria, aq më tepër që po dilte nga lufta, ishte bërë tërësisht e shkatërruar. Nuk kishte rrugë, nuk kishte ushqim, nuk kishte industri por as bujqësi. Ishin vitet para të pasluftës dhe çdo gjë dukej e shkretë. Xhaxhait i kishte ikur humori dhe nuk thoshte asnjë fjalë. Çdo gjë e bluante përbrenda dhe nuk i shprehej babait. Babai mendonte se Shqipëria po bënte përparime dhe as e mendonte se si ishte Amerika e asaj kohe, që po ndihmonte të gjithë. Kur do largohej për në Rinas i tha babait nën zë, “kujdes dhe suksese!”. Iku shumë i ngrysët. Erdhi me shumë ngazëllim dhe u largua larg humorit që e karakterizonte, më tregonte babi. Ai ishte takimi i fundit i babait me të vëllanë. Ata u ndanë përfundimisht. Ishin në dy botë të ndryshme, në dy botë në luftë të egër me njëra-tjetrën. Babi vdiq shumë shpejt pas ikjes së tij. Nuk e di pse. Ngjarjet rrodhën në mënyrë të befasishme.

-A pati ndonjë reagim xhaxhai pasi pa gjendjen?

Duke kuptuar situatën ai pyeti babanë se mos i prish ndonjë punë ardhja e tij. Po babai e qetësoi duke i thënë se kishte marrë leje tek Enver Hoxha. Kjo e lehtësoi disi situatën.

Ju mbajtët lidhje me familjen e xhaxhait më pas?

Më pas as që bëhej fjalë. Amerika u bë armiku kryesor i Shqipërisë. Askush nuk guxonte të mbante lidhje me Amerikën. As nuk pyesnim jo më pastaj të bënim letërkëmbim. U ndamë për së gjalli. Tek tuk dëgjonim për arritjet e Stan Dragotit. Ngazëllehesha. Ndihesha krenar, por kurrë nuk e përmendja emrin e tij. Një përmendje kushtonte. E tillë ishte ajo kohë që sot as nuk mund të besohet. Nuk e morëm vesh kur xhaxhai ndërroi jetë. Dinim që kishte tre vajza dhe një djalë. Për djalin Stanin xhaxhai kishte debulesë, jo vetëm pse ishte i vetmi, por në përgjithësi shqiptarët tek djemtë shohin vijimësinë e fisit të tyre, shtimin e radhëve për të lënë pasardhës që të mos u shuhet dera.

Kur e keni takuar Stan Dragotin?

E kam takuar në vizitën që ai bëri në vitin 1996 me ftesë të  ish-Presidentin Berisha. Vizita ishte zyrtare dhe jo private. Gjatë atij udhëtimi, Dragoti ka qenë i shoqëruar nga Ekrem Bardha, Arthur Lika, Dino Erbeli, Geri Kokolari, Bardhyl Quku, njëkohësisht dhe nga pushtetarë dhe zyrtarë të lartë shqiptarë. Në këtë ardhje të tij, Dragoti ka vizituar edhe fshatin e origjinës së tij, vendlindjen e babait. Për nder të tij Presidenti Berisha shtroi një darkë-koktej tek ish-vila e Enver Hoxhës. Darka ishte me ftesa, ku ishin vetëm personalitete. Unë kisha ftesë speciale nga Presidenti Berisha. Atë kohë Ministër i Kulturës ishte Teodor Laço. Në këtë takim kishte personalitete nga të gjitha fushat. Prezantimin e të gjithëve e bëri vetë Berisha. Kur u afrua tek unë Berisha i tha: “Ky është djali i xhaxhait tuaj Xhentëlmen.”.  Stani qëndroi disa sekonda duke më shikuar pastaj m’u afrua dhe më përqafoi. Më mbajti disa sekonda shtrënguar. Pasi më lëshoi filloi të më pyesë për babanë tim (xhaxhanë e tij) ku ishte varrosur, për familjen. Më hodhi krahun dhe i tha përkthyesit që ta ndiqja. Kisha shumë emocione, shumë. Më dukej si një njeri gjigant. Kur filloi të fliste dhe të uronte më mori në  krah: “Jam shumë i lumtur që vij në vendin e origjinë sime. Kam ngelur i befasuar nga mikpritja. Shoh njerëz të dashur dhe të respektueshëm. Shqipëria duhet të ketë një tjetër të ardhme. Ndihem i lumturuar.”  Gjatë gjithë darkës atë nuk e linin rehat dhe e rrethoni të gjithë. Sa vinte njeri, ikte tjetri. Pra ishte nën një dyndje njerëzish dhe nuk pata kohë të flas më gjatë. Rreth tij ishin bodigardët që nuk lejonin në afërsi të tepruar apo biseda bezdisëse.

Sa takime keni pasur gjatë atyre ditëve?

Jam takuar katër herë. Ai kishte një agjendë të ngjeshur. Një takim ai e bëri mes të afërmve tek Piaca, ditën e dytë. Ishte një takim mbresëlënës, por edhe pak i stresuar. Aty u panë shumë njerëz që dhe nuk kishin lidhje me të apo ishin nga fshatrat aty afër  dhe thoshin që e kishin njeri të afërt. Duhet të kini parasysh ,se ai ka këtu njerëz edhe nga nëna edhe nga babai. Të gjithë donin të tregoheshin kush ishte më i afërt me të. Ai e vuri re këtë sjellje, po e anashkalonte me butësi. Në përshëndetjen e tij u shpreh, se ishte i kënaqur që takonte të afërmit e prindërve dhe ndjehej i kënaqur për këtë gjë. Gjatë asaj mbrëmje unë isha në krah, edhe pse nuk munda të flas gjatë me të, pasi gjithkush donte të ishte afër tij. Vinin e pyesnin dhe atij i duhej përkthyes, por kishte edhe pyetje rutinë që nuk ngjallnin interes. Qëndroi me ne rreth një orë dhe u mundua të na e bënte qejfin të gjithëve. Në një moment më pyeti për varrin e babit dhe se si ecja në profesionin tim.

Po takimi i radhës?

Ishte ditën e nesërme me artistët. Takimi u bë po tek Piaca, tek salla e madhe, jo aty ku u bë me familjarët. Ishte një takim me pyetje përgjigje të shumta. Aty ishin të gjithë aktorët e mëdhenj shqiptarë. Pyetjet ishin kryesisht për idetë e tij për realizimin e filmave në Shqipëri. Qysh në fillim, në media u përhap lajmi se ai kishte ardhur me plan-ide për të realizuar tre filma artistikë në Shqipëri. Një për Skënderbeun një për Holokaustin, ndërsa një film tjetër do të bazohej mbi librin “Zyra e Shërbimeve Strategjike gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri”. Është një libër shumë interesant shkruar nga Peter Lukas. Filmi do ta bazohej mbi marrëdhëniet mes agjentit shqiptaro-amerikan Tom Stefan dhe Enver Hoxhës, se si amerikanët e këshilluan agjentin e tyre që të vriste Hoxhën, gjë që ai nuk e realizoi dot.

A dinte ndonjë fjalë shqip Stan Dragoti?

Ah, (qesh) për sa kohëndenja afër tij vura re se vetëm njëherë që ai tha fjalën: ‘Shejtan’. Kur u shtrua darka me njerëzit e afërm, një djalë i vogël 6 vjeçar duke ecur mes tavolinave padashur theu një pjatë. Kjo krijoi zhurmë dhe Stani pa me vëmendje mos pësoi gjë fëmija. Shqetësimi tij  për fëmijën ra shumë në sy. Kur pa që fëmija nuk kishte gjë, ai tha me të qeshur dhe përkëdheli, “ah shejtan, shejtan!”. Këtë fjalë e përdorte babai i tij, por edhe babai im. Pra, ishte si një fjalë përkëdheljeje që përdorej shumë në familje. Kaq mora vesh për shqipen e tij. Pra, nuk e zotëronte shqipen, pasi puna e largoi nga familja dhe ai nuk kishte ku ta përdorte shqipen.

 Çfarë ju dhuroi Stani si të afërm që ishit?

Të gjithëve u dhuroi nga një pako të vogël simbolike. Kishte tjetër natyrë por pashë që ruante traditën.

Po babai i tij kur erdhi në atë kohë çfarë dhurata solli?

Ah kjo më ka mbetur në mendje, sepse ma thoshin shpesh motrat dhe babai. Atë kohë dhurata më e bukur për çdo shqiptar ishin këpucët. Kjo pasi këpucët në Shqipëri prisheshin shpejt sidomos në Tepelenë që ishte gur dhe stërrall. Nuk ekzistonte asfalti. Pra xhaxhai solli këpucë për motrat. Ishte një gëzim i jashtëzakonshëm.

Po ju çfarë i dhuruat Stan Dragotit?

I dhurova tre piktura nga të mijat. Nga më të bukurat; “Lahuta e Fishtës’, “Kapelja e Skënderbeut”, “Balada e Doruntinës”.

Kush ishte dëshira më e madhe e Stanit?

Të shihte fshatin e origjinës. Ai bëri një vizitë me helikopter pa u ulur për të parë me imtësi, pastaj vazhdoi vizitën ajrore në drejtim të bregdeti shqiptar. Është habitur me çka pa.

Cili ishte mezazhi që ju la nga bisedat dhe takimet Stan Dragotin?

Mesazhi që ai la me nëntekst nga të gjitha sa tha ishte “Atdheu fillon tek individi, sa më i përgjegjshëm të bëhet individi, aq më i fortë bëhet shteti. Duajeni punën dhe respektoni ligjet”.  

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat