Kumbaro: Kolonja ka Marubin e saj

Art

Kumbaro: Kolonja ka Marubin e saj

Më: 29 tetor 2016 Në ora: 21:22
Ekspozita

Rreth 1300 fotografi negativë në xham nga fondi i rrallë i shekullit të 20-të, të fotografit kolonjar Dimitër Vangjeli, u ekspozuan sot në Muzeun Historik në Kolonjë.

Në ceremoninë e zhvilluar në qytetin e Ersekës, në qendrën e re të saj, të pranishëm ishin ministrja e kulturës Mirela Kumbaro, zv.kryeministri Niko Peleshi, Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi, kandidati i majtë për Bashkinë e Ersekës Ilia Stefo si dhe personalitete të tjera të politikës e artit.

Zbulimi i thesarit të Dhimitër Vangjelit, siç theksoi edhe ministrja Kumbaro nisi pas një telefonate të ish-kreut të ndjerë të Bashkisë, Arben Malo dhe punës së bërë nga Qendra Kombëtare e Iventarizimit të Pasurive.

Duke vlerësuar punën e bërë për shpëtimin e këtyre fotove nga arka e municoneve ku dergjeshin prej 60 vitesh, Kumbaro tha se tashmë edhe Kolonja ka Marubin e saj.

Ndërsa zv.kryeministri Niko Peleshi tha se në këto foto dëshmi të së shkuarës takohet qytetaria, jo vetëm arti i fotografisë.

“Një shekull më parë, duken edhe shenjat e varfërisë, po ka një ndryshim me ditët tona. Në çdo foto persoanzhet apo skenat ka edhe një përpjekje për tu dukur bukur dhe me estetikë të lartë. Ky është një mesazh që vlen edhe sot, sepse ka debat për çdo gjë që bëhet për të zbukuruar. Por edhe edhe para 100 vitesh estetika ka patur rëndësinë e saj”.

Ekspozita Fotografike dhe promovimi i albumit “Kolonja përmes fotografisë” u organizua nga Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore në bashkëpunim me Bashkinë Kolonjë.

Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore prej muajsh ka punuar me kujdestarët pasionantë të trashëgimisë kulturore në Ersekë për zbulimin, inventarizimin, skanimin, dixhitalizimin dhe regjistrimin e këtij Fondi të rrallë të fotografive negativë në xham të fotografit kolonjar Dhimitër Vangeli që i përkasin fillim shek. 20-të.

Dhimitër Kristo Vangjeli, lindi më 08.09.1872 në fshatin Prodan të rrethit Kolonjë. Në moshë të re, u largua nga fshati për të jetuar për disa kohë në Athinë. Atje punoi e mësoi disa profesione. Kur u kthye në vendlindje hapi një dyqan të vogël në qytetin e Ersekës, mbi portën e të cilit vendosi një tabelë ku shkruhej: Hëmbëltore, Orëndreqës e Fotograf.

Në sajë të pasionit të tij për fotografinë, ai brenda një kohe të shkurtër e shndërroi dyqanin në një laborator fotografik por jo studio, që sipas trashëgimtarëve e ka zanafillën që në fillimet e 1900-ës. Me pasionin e vizionin e fotografit dhe si njeri që e dashuronte punën e profesionin që kishte përzgjedhur, Vangjeli me aparatin fotografik në krah shëtiti në të gjithë fshatrat e Kolonjës duke u shndërruar në një person të njohur e të dashur për bashkëkohësit e tij. Si fotograf shëtitës, është ndër të paktët që ka në qendër të fotografisë jetën e pothuajse gjithë fshatrave me të gjitha ciklet e jetës, që nga lindja, pagëzimi, martesa deri edhe tek ceremonitë mortore. Fotot e tij janë pasqyrim i saktë i gjendjes së Kolonjës në gjysmën e parë të shek. XX.

Në një vështrim të përgjithshëm të negativëve xham të këtij fondi të vyer, prej afërsisht 1300 të tillë aq sa kanë mundur t’i shpëtojnë kohës, pasqyrohen në mënyrë domethënëse ndoshta gati unikale portrete individuale e familjare, çifte të sapomartuar, grupe njerëzish, vajza e djem, të rinj e të moshuar, ceremoni nga festat tradicionale të vitit për të dy ritet ortodoks e bektashinj, ceremoni dasmash e mortore, foto të kishave e teqeve shoqëruar me klerikët e tyre, shkolla me nxënësit e mësuesit, dhe manifestime me qindra njerëz duke festuar evente të festave kombëtare, luftëtarë të armatosur vendas dhe të huaj, peizashe, etj.

Të gjithë diapozitivat në negativ xham franceze që i blinte në Korçë e Selenik, të sistemuara në kuti kartoni të cilat shprehin origjinalitetin edhe sot, i ruajti si gjënë më të shtrenjtë në shtëpinë e tij në fshatin Prodan.

Dhimiter Vangjeli ndërroi jetë në Prodan, më 1 prill të vitin 1957 në moshën 85 vjeçare. Pa më të voglin dyshim që pasioni i tij i fotografit është një vlerë e shtuar për Kolonjën dhe Kolonjarët. Me anë të fotove të tij, ky album tregon dhe flet me gjuhën e fotografisë për ato vlera të jashtëzakonshme që mbart krahina e Kolonjës.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat