Arti i filigranit, gërshetimi i metalit të çmuar

Art

Arti i filigranit, gërshetimi i metalit të çmuar

Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 14:50
Filigrani

Arti i filigranit, që ndërthur gërshetimin e fijeve të holla e elastike të metalit të çmueshëm, po kthehet tashmë në të preferuarin e shqiptarëve, por edhe të turistëve të huaj.

Punimet e dorës me argjend të pastër, të kombinuara shpeshherë me gurë të ndryshëm natyralë, konsiderohen si dhuratat më elegante që mund t’i bëhen dikujt.

Vjollca Çela, pronare e një dyqani në kryeqytet, thotë për ATSH-në se, “në dyqanin tim shiten shumë punimet e argjendit, si filigrami i argjendit që punohet në Tiranë dhe Shkodër”.

Sipas saj, më shumë preferohen vathët e vegjël, ata ekstravagantë, byzylykët, varëset, spilat që përdoren për pallto ose fustane, unazat dhe deri tek kurorat për nuse.

“Disa prej këtyre punimeve zakonisht kombinohen me gurë natyralë, të cilët i bëjnë të duken shumë unikë. Ka shumë femra që i blejnë punimet për të plotësuar pamjen e tyre kur vishen në mënyrë më elegante për ndonjë rast më special”, shton Çela.

Punuesit e filigranit, vijon ajo, pranojnë se për t’i “mbijetuar” kohës, kanë arritur që punimeve të vjetra t’u shtojnë elemente moderne, por pa e tepruar, në mënyrë që të ruhet vlera e këtyre stolive për femra e meshkuj, por edhe dekorimeve të ndryshme.

Ndërsa sa u përket sendeve të tjera si tabaka, gota, spilë shpate, pjata, penë, mbajtëse bizhuterish, jelekë popullorë, papuçe femre, mbajtëse qiriu, frutiera, vazo, etj, punime të tilla , vijon Çela, kryesisht bëhen me porosi sipas kërkesave të klientëve.

Sipas saj, vajzat dhe gratë, janë blerëset më të mëdha të punimeve të filigranit.

Stolitë dhe punimet e filigranit po tërheqin gjithnjë e më shumë interesin e femrave. Shitësit dhe krijuesit e tyre tregojnë se shumica e punimeve të tilla u kushtohen vajzave dhe grave.

“Më pëlqejnë shumë punimet prej argjendi, se janë më të bukura dhe janë të punuara me dorë. I përdor zakonisht gjatë festave ose mbrëmjeve me një veshje elegante, por të thjeshtë”, shprehet Ana, një vajzë 27 vjeçare.

Sipas saj, këto bizhuteri janë unike. Ana preferon më mirë të shpenzojë pak dhe të blejë diçka të punuar me dorë dhe me vlerë, sesa bizhuteri që shiten rëndom në dyqane të shumta.

Si të kujdeseni për stolitë e argjendit

Stolitë e argjendit dhe punimet e filigranit me argjend, pas qëndrimit disavjeçar mund të humbasin shkëlqimin dhe ngjyrën fillestare.

Kjo, sipas shitësve të këtyre punimeve, tregon se ato kanë nevojë për pastrim. Ata rekomandojnë që punime të tilla të dërgohen nëpër argjendari në mënyrë që pastrimi i tyre të jetë profesional. 

“Pastrimi i mirëfilltë nuk mund të kryhet në kushte shtëpiake, pasi profesionistët e këtyre punimeve dhe stolive kanë pajisje të veçanta me të cilat i pastrojnë ato. Prandaj është mirë që këto punime të pastrohen në mënyrë profesionale”, thekson Vjollca.

Sipas saj, punimet e filigranit bëhen edhe më të bukura dhe më të veçanta kur nuk pastrohen.

“Njerëzit i preferojnë edhe më shumë kur janë punime, që kanë ndenjur shumë dhe u ka ndryshuar ngjyra për shkak të mospastrimit”, shton ajo.

Historia e punimit të filigranit

Fjala Filigran (lat. Filum-tel dhe Granum-kokërr) shpjegon teknikën e bërë nga bizhuteri zbukuruese nga copat e bukura dhe të holla prej teli të kombinuara me rruza të vogla (granula).

Argjendi është metal shumë i çmuar që nxirret nga minierat dhe më pas përpunohet , në mënyrë që të shërbejë për prodhimin dhe realizimin e punimeve të ndryshme , qofshin ato të thjeshta apo artistike si stoli, enë, orendi, monedha apo gjëra të tjera.

Regjistri (kodiku) më i vjetër i mjeshtërve esnafëve që njihet deri më sot në Shqipëri, si dhe në Ballkan është ai i mjeshtrit  të argjendarëve të qytetit të Elbasanit (1662-1900). Ne zejen e argjendarisë mjeshtërit shqiptarë kanë përdorur teknika të ndryshme për prodhimin e objekteve të shumëllojshme. Më të njohurat kanë qenë teknika e skalitjes, e rrahjes, derdhjes dhe ajo e filigranit.

Teknika më e njohur e argjendarisë jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në gjithë Ballkanin dhe më gjerë është ajo e filigranit, e cila kulmin e zhvillimit e arriri në shekullin XIX dhe këtej dhe u përdor jo vetëm oër punimin e stolive të trupit , por edhe për zbukurimin e armëve, enëve de orendive.

Filigrani (që mjeshtrit e moshuar të Shqipërisë së Veriut e quajnë telish me kokrra e filigran i aplikuar ose mëbështetur në pllakë ku mbizotërojnë kokrrat dhe telish kafazeli filigran, i tejdukshëm, ku kokrrat pothuajse mungojnë është një degë e veçantë e punimit të metaleve me fije të holla që kërkon zotësi, talent e durim. Me këtë teknikë pune mjeshtrit shqiptarë sidomoas ata të Shkodrës , Prizrenit, Tiranës dhe Elbasanit nxjerrë nga duart e tyre punë të shumëllojshme dhe të holla aq sa filigrani i tejdukshëm njihet si specialitet shqiptar në Ballkan.

Në kohën e ilirëve sidomos në viset jugore , punimi i argjendit ishte shumë i zhvilluar dhe para ardhjes së keltëve.

Image
Filigrani
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat