Masar Caka piktor i peizazhit lirik

Art

Masar Caka piktor i peizazhit lirik

Nga: Mr. Bislim Aliu Më: 21 janar 2018 Në ora: 15:10
Mr. Bislim Aliu

Piktura e Masar Cakës është një ndijim i lartë i sensit poetik. Këtë poetizim ai e ravijëzoi me shprehjen dhe format e nduarnduarta të ndijimit ndjesor. Ky ndijim, paraqitet, mbase gjithherë, në çdo tablo të piktorit sensible. Veprat e tij, gjithsesi janë arritje e lartë e shprehjes individuale. Ato rrezatojnë përherë me idilin e lartë të shprehjes sensitive e përmbajtësore.

Pa mëdyshje, krijimi është një botë e brendshme, tejet e ravijëzuar, e mendjes  dhe e shpirtit të krijuesit. Ajo, lind, atëherë, kur të rrokë drithërima prekëse e tundimit.

Dhe, këtë tundim, mbase nuk mund ta ketë secili krijues. Zatën, këtë  kreativitet mund ta bëjnë vetëm krijuesit e mirëfilltë, që e kanë shpirtëroren e ndjesuar. Ky krijim vjen gjithsesi, nga brendia e ravijëzuar, që nuk e zgjedhë mjedisin, por as kohën e caktuar. Ai, sigurisht, është frut i qasjes intuitive, i punës, i rrethit që i imponohet vazhdimisht. Këto krijime janë të bukura, pavarësisht nga vijnë, nga qendra, apo nga periferia.

Dhe, në këtë kontekst të krijimit, hyn edhe shprehja krative e piktorit, shumë sensible, Masar Caka. Ai këtë e tregoi me punë përkushtuese dhe me angazhim të madh drejt një qasjeje tejet rezonuese dhe mjaft sensitive. Gjithsesi, ai këtë  kreativitet e tregoi me paraqitjet e veta individuale dhe shumë të tjera kolektive, ku për shpërfaqje ndjesore e të mirëfilltë i sollën shpërblime dhe mirënjohje për krijimtarinë e treguar dhe për zhvillimin e artit pamor në përgjithësi.

Piktori Caka u lind në Gjakovë më 1945. Akademinë e Arteve Figurative e kreu në Beograd më 1972, ku kreu edhe studimet pasuniverzitare në vitin 1982. Përndryshe ishte professor ordinar i Anatomisë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë që nga viti 1974. Vdiq në Gjakovë në vitin 2000. Ai, gjithsesi i takoi brezit të mesëm të piktorëve që me përkushtim të denj e avancuan pikturën kosovare në përgjithësi.

Portretet, shprehje e ravijëzuar e piktorit

Piktori Caka kishte një ndjeshmëri të lartë për portrete. Ai këtë e bëri me mjaft përkushtim që nga faza e hershme e krijimtarisë. Dhe, që në fillim u pa dendur përkushtimi i mirëfilltë për portrete, e sidomos për portrete familjare; prindërve, fëmijëve, njerëzve të njohur, poe edhe për njerëzit e zakonshëm. Ai këtë e bëri me një poetikë të lartë dhe fare të ravijëzuar.

Ky portret i tij, mjaft i poetizuar, u zhvillua në një shprehje më të gjerë, kryesisht i femrave [grave] gjakovare, por edhe të disa mjediseve të tjera kosovare. Dhe, përgjithësisht, në portretet e piktorit shihet veçantia e “tebdiles” arkaike e grave. Shihet qëndresa heroike dhe krenaria e tyre, por në anë tjetë shihet edhe dhembja dhe idili i  gurëzuar e intim i tyre.

Kjo intimë e mbuluar me perqe dhe çarçaf është paraqitje individuale e piktorit Caka. Ky idil, mbase, shëmbëllen lartë me idealizmin e thuktë tejet ndjesor. Në përgjithësi, krijimet e piktorit,  por edhe rrëfimin për adetet dhe zakonet e grave të cilat patjetër duhet flakur.

Mendoj se kjo “protestë” e tij ishte intimë e lartë e tij, që gjithsesi simbolizon kohën kur femra jonë mbante fytyrën e mbyllur shpirtërore.

Por, njëherit, kjo paraqitje e grave të mbyllura me ferexhe , tregon “bukurinë” e grave.

Sigurisht, ky cikël [gratë tebdile dhe me ferexhe] ishin realizime të thukta dhe krijime me një kreativitet shumë të lartë të rrëfimit idilik dhe fare përmbajtësor.

Ato, sot, qëndrojnë bukur, si një strall dhe katakomb i rezonuar, dhe, në anën tjetër, si një shprehje e një kohe të kaluar i femrës sonë që me pietet të lartë e mbajti mbulesën e çarçafin si një mbulesë krenarie.

Idealizmi dhe lirizmi i shprehur në peizazhe

Interesimet  e piktorit Caka, nuk u ndalen vetëm me kaq. Ai, gjithsesi, interesohej edhe për tema të tjera, që gjithherë tregonin shprehjen e lartë të rrëfimit përmbajtësor. Megjithatë, piktori në këtë faze, tregoi një interesim tejet të dukshëm pë peizazhe.

“Ato peizazhe i paraqiti dhe i trajtoi me një veçanti dhe specifikë që e dallon për nga kompozicioni, detajet, ngjyra, drita që nxisin një lirizëm shpirtëror, një optimizëm jete duke e ngërthyer dramacitetin e kontrasteve dhe tonalitetin e ngjyrave të kërkuara me ndjeshmëri për qetësimin e ndritshëm paqësor si vision i jetës më të lumtur” – thotë piktori I. Ponosheci.

Në këto peizazhe gjithherë u vërejt shprehja e lartë poetike.Ky poetizim, mbase i ravijëzuar, u vërejt dendur në tablotë e mëvonshme të piktorit Caka. Dhe, në këto peizazhe përherë vërehet idili i peizazhit lirik. Eshtë, pra, një peizazh harmonik, i qetë me një kompozicion dhe kolorit të mirëfilltë. Këtë peizazh, sigurisht piktori e njohu përmes Cabratit të tij legjendar. Cabrati përherë u bë frymëzim idilik i piktorit.

Në përgjithësi, peizazhet e Masar Cakës, janë peizazhe poetike. Ai këtë poetizim dhe shprehje të lartë lirike e mbajti thellë si një intimë dhe intuitë të lartë rrëfimtare.Mbase, lirizmi i tij shpirtëror i paraqitur në veprat e tija e bëjnë gjithsesi piktor shumë sensible.

Këtë plotësi rrezatuese ai e tregoi bukur dhe me një sens të lartë komunikimi.

Ndonëse vdiç i ri, pra në moshën 55 vjeçare, ai na la vepra  dhe një bagazh shumë të pasur krijimtarie  me shprehje të lartë dhe të mirëfilltë figurative. Pra, na la vepra me ndijim të sensibilizuar poetik. Këtë poetizim, ai e ravijëzoi bukur me format e nduarnduarta të ndijimit të lartë ndisor. Ky ndijim, mbase u paraqit, rregullisht në çdo tablo të piktorit Caka. Veprat e tij, sigurisht janë arritje e ndjeshme e shprehjes individuale. Ato rrezatojnë përherë me me shprehjen e tij fare përmbajtësore.

 Atë, sot e kujtojmë si një piktor të vyer me një kreativitet të lartë shprehës, por besa, edhe si një pedagog të vyer të Anatomisë Plastike në Fakultetin e Arteve në Prishtinë ku punoi rregullisht dhe me nderë që nga viti 1974.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat