Adem Kastrati, piktori që i rilidh hallkat e historisë kombëtare shqiptare

Art

Adem Kastrati, piktori që i rilidh hallkat e historisë kombëtare shqiptare

Nga: Delvina KËRLUKU Më: 21 qershor 2018 Në ora: 16:29
U paraqit ekspozita retrospektive në Shkup kushtuar Adem Kastratit

Në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, në objektin – Hamami i Daut Pashës, të martën u hap ekspozita e piktorit të mirënjohur Adem Kastrati. Në krijimtarinë e Adem Kastratit dominon tematika sociale me elemente etno folklorike të ambienteve rurale. Shpatet e bjeshkëve, fushat, livadhet, lulëkuqet, fyejt e barinjve, kambanat e bagëti, zogjtë, ahishtat, krojet, janë atributet identifikuese të ambienteve shqiptare, por edhe e përbëjnë poetikën e këtyre cikleve. Përditshmëria vazhdimisht prezantohet nëpërmjet gërshetimit të natyrës dhe figurës së njeriut të zakonshëm, e përshkruar nga lirizmi socio – antropologjik i nën qiellit rural shqiptar. Në epiqendër të kompozicioneve të këtij cikli autori e fikson figuracionin, në veçanti figurën e njeriut, e cila posedon identitet social e psikik me karakteristika të ambienteteve kosovare – shqiptare. Një vend të posaçëm në krijimtarinë e kësaj tematike sidomos zë vend personazhi i femrës shqiptare, e cila është trajtuar nga aspekte të ndryshme.

Në paraqitjen e figurës së gruas inspirohet nga feminiteti dhe sidomos nga zelli i saj. Zakonisht ajo paraqitet me ekstremitete të theksuara anatomike dhe është e vendosur në një enterier autentik, pranë vatrës, para magjes djepit të fëmijës së saj. Ajo, gruaja shqiptare është e shoqëruar nga fëmijët e saj edhe kur bën punët e shtëpisë edhe kur ajo del në fushë. Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë, prof.dr.Dita Starova Qerimi tha se pas ekspozitave sublime retrospektive të organizuara kohë më parë në galeri u përkushtua plotësisht edhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe përmes institucioneve tjera, për realizimin e misionit për të prezantuar piktorin shqiptar Kastrati, i cili ka jetuar dhe vepruar në Maqedoni, duke lënë  në trashëgimi vepra të rëndësishme, të cilat me sukses të madh përfshihen në mozaikun multikulturor dhe multietnik të Republikës së Maqedonisë. Qerimi shtoi se piktori Adem Kastrati “i cili ka vetëm datën e lindjes” është një kronist përmes pikturave autentike artistike të momenteve tragjike të shqiptarëve, gjatë kohës së regjimeve, të cilët ua kanë hequr të drejtën, veçanërisht ata persekutoheshin me dyndje të dhunshme (pa kthim) sidomos në Turqi në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar.

Image
Adem Kastrati ka krijuar 800 vepra, një numër i madh i tyre janë shpërndarë nëpër botë. Kastrati ka kaluar rreth 40 vjet të jetës së tij në Maqedoni, ku krijonte vazhdimisht dhe punonte si profesor i artit figurativ. Ka marrë pjesë në më shumë se 20 ekspozita të pavarura në Shkup, Prishtinë, Tiranë,Dubrovnik, Beograd, Munih, Paris, Gjenevë, etj. Ka marrë pjesë edhe në ekspozita grupore: Lubjanë, Zagreb, Dubrovnik, Nish, Palermo, Tiranë, Paris, Arhis (Danimarkë), etj

Sipas Qerimit, piktori Kastrati bën pjesë me mjeshtërit e mëdhenj të pikturës, të cilët përjetësojnë varganët e njerëzve në ekzil. Piktori e shpreh revoltën e tij në botën në të cilën mbizotëron diçka sipërfaqësore, e papërfunduar, e pamjaftueshme, tregimi i tij artistik përhap shpresë dhe ngushëllim. Qerimi thotë se piktori Kastrati jetoi dhe punoi në kushte të vështira, atelieja dhe galeria ishte dhoma e vogël në banesën e tij, megjithatë punonte në mënyrë asketike, sizifovike me këmbëngulje, meditim dhe imagjinatë të madhe. Pikturat e tij filluan të “fluturojnë nëpër botë, duke dalur nga atelieja – kafazi” nga banesa e vogël në Shkup.

Ministri i Kulturës Asaf Ademi, tha se është i nderuar që ka mundësi t’ju drejtohet audiencës, për herë të parë që po i drejtohet një publiku në gjuhën shqipe që kur është në detyrën e ministrit të Kulturës, së dyti me rastin e 85-vjetorit të lindjes së piktorit dhe, së treti, sepse shënohet 70-vjetori i themelimit të Galerisë Kombëtare të Maqedonisë. Ademi shtoi se duke i parë këto piktura – e ndjejmë jo vetëm dorën e Piktorit, por edhe erën e dheut të ngjyrave që ai i përdorte, e ndjejmë dashurinë që ai kishte për familjen, për nënën në veçanti – si qenia më e veçantë e jetës, por e ndjejmë edhe dashurinë dhe kujdesin e tij për folklorin, për traditën, për kombin, për peizazhin shqiptar, e ndjejmë dashurinë e tij për femrën si qenie estetike, por e ndjejmë edhe se ai ishte njëri nga ne, por me një shpirt tjetër, me një sy tjetër dhe me një dorë tjetër.

Ministri Ademi tha se tani kur Shkupit po i rilidhen hallkat e historisë sonë, kur po bëhet përpjekje që t’i rikthehet shpirti i dikurshëm i diversiteteve kombëtare, fetare e gjuhësore, emri i Adem Kastrati është emri i shkupjanit tipik, që 40 vjet i kaloi duke e pikturuar mallin dhe dashurinë në këtë qytet. Profesori Universitar Fatmir Sulejmani tha se në vitin 2005, si përfaqësues i bordit të Galerisë Ndërkombëtare të Maqedonisë, ka hapur ekpozitën e parë retrospektive të piktorit Kastrati. Sipas profesor Sulejmani, pikturat e Kastratit e përbëjnë portretin domethënës të Atdheut, të bëra me truallin e bojërave të vendlindjes, pejsazhe dhe kodra, tufa të dhenve, barinj të vegjël, ngërzit që punojnë tokën, djepin që përkundet nga dora e nënëlokeve, nuset dhe vashat që korrin arrat, krushqit, dasmat, sofrat, oxhaqet, që të shpijnë në kohën e fëmijërisë të piktorit, në folklorin e pasur shqiptar dhe në pafundësinë e borërave. Pikturat e poetit, sipas Sulejmanit përcaktojnë motet e acarta, dallojnë portretet e malësore si aktiviste në çdo pjesë të saj. Piktori malësoren e paraqet me sy të mëdhenj me një simbol të vullkaneve të zjarrta, si një qenie plot sakrificë në jetën e saj. Në veprën e piktorit Sulejman nënvizon se ka elemente të njeriut që vuan, jetës që mbrohet dhe tragjedisë ballkanike.

Me rastin e kësaj ekspozite u publikua  edhe monografia më e madhe deri më tani për jetën dhe veprën e  artistit Adem Kastrati e shkruar nga prof.dr.Mixhait Pollozhani, pas hulumtimit shumë vjeçar dhe pas konsultimit të dokumenteve dhe materialeve të arkivit familjar. Kësaj ekspozite ju bashkëngjit me fjalim edhe kryetar i Parlamentit Talat Xhaferi, shoqëroi me muzikë artistja Nita Grubi, në një audiencë mjaft të zgjedhur. Ndërsa ekpozitën e moderoi Anita Latifi, nga Teatri Kombëtar Shqiptar, në Maqedoni.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat